Shkencëtarët amerikanë po zhvillojnë një lloj të ri patateje që mund t’i rezistojë valëve të nxehtësisë, me synimin për të ndihmuar në rritjen e prodhimit të kulturave bujqësore në të ardhmen, kur ndryshimet klimatike do të jenë më të theksuara.

Një grup studiuesish zhvilluan teste terreni në shtetin amerikan të Illinois dhe zbuluan se bima e modifikuar prodhoi deri në 30 për qind më shumë patate nën stres termik.

Ky sukses u arrit duke shtuar dy gjene për të modifikuar një proces të quajtur fotorespiracion, që ndihmon në përmirësimin e efikasitetit të bimës dhe lë më shumë energji për rritje më të madhe.

Autorët e studimit, i cili u publikua në revistën Global Change Biology, e përshkruan këtë hap si “një rrugë premtuese për rritjen e prodhimit në kushte të ngrohjes globale”.

Megjithatë, janë të nevojshme teste të tjera në vende të ndryshme për të konfirmuar këto rezultate në mjedise të ndryshme.

Projekti u drejtua nga Katherine Meacham-Hensold dhe përfshinte shkencëtarë nga Universiteti i Illinois (UIUC) në SHBA dhe Universiteti i Essex-it në Angli.

Meacham-Hensold tha se qëllimi i projektit është përmbushja e nevojave ushqimore në kushtet e ngrohjes globale, shkruajnë mediat.

“Duhet të prodhojmë kultura bujqësore që mund t’u rezistojnë valëve të nxehtësisë, të cilat pritet të jenë më të shpeshta dhe më intensive, nëse duam të sigurojmë nevojat ushqimore të popullatës në rajonet më të rrezikuara nga ulja e prodhimit për shkak të ngrohjes globale”, deklaroi ajo.

“Rritja me 30 për qind e masës së gomave të patates në testet tona tregon përmirësimin e procesit të fotosintezës, që i hap rrugën kulturave bujqësore të përshtatura për ndryshimet klimatike”, përfundoi shkencëtarja.