“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.
Ky lajm u publikua nga kryeministri Edi Rama me një postim në Facebook.
Ai shkruan se “K’cimi i Tropojës” ishte një trashëgimi e braktisur.
“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e bukur se “K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, si edhe me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.
Përfshirja e K’cimit të Tropojës në listën prestigjioze të UNESCO-s ka nisur përmes nismës së Shoqatës “Kërcimi i Tropojës” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).