NGA MENTOR PETRELA
Inspirues për kohët moderne të Shqiptarisë do të mbetet Sami Frashëri, humanist enciklopedist, klonimet e të cilit duhen kërkuar me qiri në histori si ermitet. Për koincidence nominative pasues i denjë i tij qëndroi humanisti eseist Sami Repishti, që u nda nga jeta në vigjilje të Ditës së Pavarësisë. Antifashist, antikomunist antitotalitarist i shërbeu çështjes shqiptare deri në frymën e fundit me patriotizëm. Vuajti burgjet e torturat e komunizmit, por i inspiruar nga religjioni monoteik dhe Hana Arendt ai dinte të falte mbasi i konsideronte persekutorët e torturuesit e tij si Aishmanin tek Banaliteti i Djallit.
Paqësor si çdo humanist, injorancën që mbjell kotësinë, mburrjen dhe agresionin sipas Butler e kishte përjetuar në përiudhën fashisto-komuniste, duke e përbuzur, megjithëse vuajti për pasojë torturën fizike e mendore. Ndër bisedat dhe shkrimet e tij ndjehet butësia e tmerrshme kur u drejtohej kundërshtarëve ose toleranca pa kufi, mbasi për të nuk ekzistonte koncepti që të konsideronte armik një shqiptar. Solidariteti i të burgosurve të ndërgjegjes me klerin katolik të martirizuar me të cilin e lidhte formimi, dialekti dhe Abrahami e bënë të qëndrojë i papërkulur ndaj çdo presioni. Ismail Kadare e çmonte humanizmin e tij dhe shprehte keqardhje që për arsye historike nuk kishte mundur ta njihte së afërmi.
Me urtësinë patriotike që e karakterizonte u bë zë i fuqishëm i Kosovës në SHBA, ku argumentimet e tij influencuan bindshëm administratën amerikane deri sa u arrit pavarësia e saj. Mendjen e tij në diktaturë e transkriptonim çdo natë te “Zëri i Amerikës” nëpërmjet mesazheve mesianike me variabël nga Arshi Pipa, Nikolla Pano tek Rexhep Qosja. Analizat e tij pas rënies së perdes së hekurt në zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, rajon e më gjerë mbi të gjitha fenomenet shoqërore e politike do të jenë dokumente për studiuesit, për t’i shërbyer asaj që në të ardhmen të mos përsëriten gabimet që shqiptarët më tepër se të huajt i kanë bërë vetes dhe trojeve të tyre. Njëherë, i mërzitur nga komente poshtëruese ndaj tij të disa mbeturinave staliniste në Shqipëri, njëlloj sikur hakerat rusë që paguan Putini, dr. Daren djali i tij, e këshilloi duke iu lutur në moshën 97 vjeç që të ndalonte shkrimet e analizat e tij brilante.
“Nuk mundem” ishte përgjigja e tij. Çfarë i shtyn të klonuarit si Samiu drejt ukronisë, utopisë apo magjepsjes pas Shqipërisë, Kosovës. Shpjegimin e gjejmë te formula Makiaveliste shtetformuese (jo Makiavelik që ka kuptim negativ), që është shkruar tek “Discorssi te Tite Livit”. Samiu shpresonte që mund të realizohej në Shqipërinë etnike të idealizuar shteti i harmonisë midis Princit, Parisë dhe Popullit, që konkludonte Tite Livi. Në meditimet e tij përpiqej të analizonte ngecjen në një nyje Gordiane të shoqërisë shqiptare.
Mendimi humanist i të klonuarve si Samiu, i liberal-demokratëve, gjatë dhe ndërmjet dy luftërave botërore së bashku me nacional-demokratët të persekutuar në komunizëm, ata u përpoqën të zgjidhin ose ta presin nyjën.
A është ky shembull që tregon se në dejet e humanistëve shqiptarë ndër shekuj pas Skënderbeut vazhdonte të rridhte ADN e Aleksandrit të Madh, që me shpate e zgjidhi nyjën?
Samiu humanist, iluminist nuk mund të ishte entuziast si Steven Pinker, mbasi edukimi i tij perëndimor ishte i ndërtuar mbi një atavizëm që iu ngjit në rini me vuajtjet nën totalitarizëm dhe me persekutimin e familjes në vazhdim. Shqipëria e Kosova e lirë nga regjimet shtypëse u bënë më në fund realitet, ndërtimi i shoqërive demokratike properëndimore në një tokë të begatë mbetën ëndrra e Sami Repishtit.
/Gazeta Panorama