Agjencitë e Sigurisë Kibernetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë zhvilluan sot në Tiranë Takimin e parë Teknik për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë.

Kërcënimet kibernetike janë shtuar dhe janë përsosur më tej, u theksua nga folësit kryesorë në takim, ndaj bashkëpunimi kombëtar dhe rajonal për një të ardhme digjitale më të sigurtë është bërë i domosdoshëm për të siguruar infrastrukturat digjitale.

Takimi, që synon rrjetëzimin e Agjencive të Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, Gjeorgji dhe Moldavi, u organizua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP.

Shqipëria ka një përvojë me sulme të mbështetura nga shteti islamik i Iranit më herët, po ashtu edhe nga grupe ruse të lidhura me Moskën, ndërsa aktualisht Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i Shqipërisë ka raportuar se nga janari në shtator kanë ndodhur 20 sulme kibernetike drejt Shqipërisë, ku 18 prej tyre janë menaxhuar me sukses.

Po ashtu gjatë periudhës janar – tetor në portalin e raportimeve të AKSK-së janë regjistruar gjithsej 176 raportime për përmbajtje të paligjshme në lidhje me fëmijët, ku 109 prej tyre janë CyberBullying.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në një udhëkryq; ekonomitë tona, shoqëritë tona, qeveritë tona dhe kanë nevojë për ndërlidhje e bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike. Koha e tashme kërkon dy reagime: përgjigje kolektive dhe front të bashkuar, sepse sulmet kibernetike shfrytëzojnë fragmentimin. Ndaj partneritetet duhen forcuar duke bashkërenduar politikat kibernetike, aleancën kibernetike si dhe mekanizmat ndërkufitare. Besimi është guri i themelit”, tha Igli Tafaj, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë.

Krahas politikave më të forta të sigurisë në vendet e rajonit, ekspertët pohuan se nevojitet sa më parë edhe përafrimi i legjislacionit të tyre të sigurisë kibernetike me ligjet e BE-së, veçanërisht për ato vende, që janë në proces integrimi në Bashkimin Europian. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor e ka gjithashtu si një prej përparësive të veta transformimin digjital të rajonit në shumë sektorë.

Sfida për rajonin mbeten, sipas tyre, krijimi i agjencive të sigurisë kibernetike si dhe gjithëpërfshirja e operatorëve, si dhe zhvillimi i kërkimeve akademike në fushën e sigurisë kibernetike.

“Sulmet kibernetike nuk i njohin kufijtë. Shkëmbimi i përvojave dhe dijenive është i rëndësishëm për të shmangur pasojat e këtyre goditjeve. Takimi i Tiranës sjell një forum për pjesëmarrësit për të ndarë praktikat më të mira, për të diskutuar mbi sulmet kibernetike të fundit dhe për të punuar mbi krijimin e një Rrjeti të Bashkëpunimit për Sigurinë Kibernetike CCN. Ky rrjet do të mundësojë ndarjen e informacionit në kohë reale dhe përgjigje të koordinuara ndaj kërcënimeve në rritje”, tha përfaqësuesi i UNDP-së, Francisco Roquette.

Organizatorët shprehën besimin që ky takim vendosi themelet për Dialogjet Globale të Politikave Kibernetike për Ballkanin Perëndimor, të cilat ndërtojnë qëndrueshmërinë digjitale dhe bashkëpunimin për sigurinë kibernetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe për Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Bashkimi Europian ka zhvilluar strategjinë e vet të sigurisë kibernetike, duke duke u përqëndruar tek një politikë kibernetike ndërkombëtare, tek partneritetet më të fuqishme ndërkombëtare si dhe tek rritja e kapaciteteve kibernetike, ndaj Takimi i Tiranës u vlerësua si një përpjekje në drejtimin e duhur për transformimin digjital në vendet pjesëmarrëse.