UASHINGTON – Rusia, Kina dhe Irani po mbështeten gjithnjë e më shumë tek rrjetet kriminale për të udhëhequr operacionet e spiunazhit kibernetik dhe ndërhyrjet piraterike ndaj vendeve kundërshtare, si Shtetet e Bashkuara, thuhet në një raport për rreziqet dixhitale i publikuar të martën nga kompania Microsoft.
Bashkëpunimi në rritje mes qeverive autoritare dhe piratëve kibernetikë ka alarmuar zyrtarët e sigurisë kombëtare dhe ekspertët e kibernetikës. Ata thonë se kjo reflekton faktin se vijat ndarëse po bëhen gjithnjë e më të paqarta mes veprimeve të drejtuara nga Pekini apo Kremlini që synojnë të dëmtojnë rivalët dhe aktiviteteve të paligjshme të grupeve që janë zakonisht më të interesuara për përfitim financiar.
Në një rast, analistët e kompanisë Microsoft zbuluan se një grup kriminal hakerësh me lidhje me Iranin kishte infiltruar një rrjet izraelit për lidhje të reja të njerëzve nëpërmjet internetit dhe se më pas ishin përpjekur të shisnin informacionin personal që kishin mbledhur. Kompania Microsoft konkludoi se hakerët kishin dy motive: të turpëronin Izraelin dhe të nxirrnin fitime.
Në një tjetër rast, hetuesit identifikuan një rrjet kriminal rus që kishte infiltruar në muajin qershor mbi 50 paisje elektronike që përdoreshin nga ushtria ukrainase, me sa duket për të fituar qasje dhe informacion që mund të ndihmonte sulmin e Rusisë në Ukrainë. Nuk kishte ndonjë motiv të qartë financiar për këtë grup, me përjashtim të ndonjë pagese që mund të kishin marrë nga Rusia.
Një martesë me interes
Për vende si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, bashkimi i forcave me kriminelët kibernetikë ofron një martesë interesi nga e cila përfitojnë të dyja palët. Qeveritë mund të nxisin volumin dhe efektshmërinë e aktiviteteve kriminale pa kosto të shtuara. Për kriminelët, kjo ofron mundësi të reja për fitime dhe premtimin për mbrojtje nga qeveria.
“Shohim në secilin nga këto vende prirjen për kombinimin e aktiviteteve të shtetit dhe krimit kibernetik”, tha Tom Burt, nënpresident në kompaninë Microsoft për sigurinë dhe besimin e klientëve.
Deri më tani nuk ka asnjë provë që sugjeron se Rusia, Kina dhe Irani po ndajnë burimet me njëri-tjetrin, apo se po bashkëpunojnë me të njëjtat rrjete kriminale, tha zoti Burt. Por, ai tha se përdorimi në rritje i “mercenarëve” privatë kibernetikë tregon se sa larg mund të shkojnë kundërshtarët e Amerikës për ta keqpërdorur internetin.
Raporti i kompanisë Microsoft analizoi rreziqet kibernetike në periudhën mes korrikut 2023 dhe qershorit 2024, duke shqyrtuar se si kriminelët dhe vendet përdorin hakerimin, taktikat phishing për marrje informacioni, programet keqdashëse malware dhe teknika të tjera për të fituar qasje dhe kontroll mbi sistemet elektronike të objektivit të tyre. Kompania thotë se klientët e saj përballen me mbi 600 milionë incidente të tilla çdo ditë.
Rusia e përqëndroi pjesën më të madhe të operacioneve të saj kibernetike në Ukrainë, duke u përpjekur të hyjë në sistemet ushtarake dhe qeveritare dhe duke përhapur dezinformata që synojnë sabotimin e mbështetjes për luftën në radhët e aleatëve të Ukrainës.
Ukraina është kundërpërgjigjur me operacionet e saj kibernetike, përfshirë një operacion javën e kaluar që shkëputi lidhjen me rrjetin të disa mediave shtetërore ruse.
Në shënjestër zgjedhjet amerikane
Rrjete të lidhura me Rusinë, Kinën dhe Iranin kanë sulmuar edhe votuesit amerikanë, duke përdorur faqe të rreme në internet dhe llogari në mediat sociale, për të përhapur pretendime false dhe mashtruese për zgjedhjet amerikane të këtij viti. Analistët e kompanisë Microsoft mbështesin vlerësimin e zyrtarëve amerikanë të zbulimit që thonë se Rusia po sulmon fushatën elektorale të Nënpresidentes Kamala Harris dhe se Irani po punon për t’iu kundërvënë ish-Presidentit Donald Trump.
Irani bëri sulm kibernetik ndaj ekipit elektoral të zotit Trump dhe u përpoq, pa sukses, që të ngjallë interesimin e demokratëve për materialet e vjedhura. Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar Iranin se gjithashtu mbështet fshehurazi protestat për luftën në Gazë.
Rusia dhe Irani pritet të përshpejtojnë ritmin e operacioneve të tyre kibernetike ndaj zgjedhjeve amerikane, ndërsa afron dita e votimit, thotë zoti Burt.
Kina nga ana tjetër, ka qëndruar përgjithësisht jashtë garës presidenciale, duke e përqëndruar dezinformimin e saj tek garat më pak të bujshme zgjedhore për në Kongres, apo për postet e zgjedhura në nivel lokal. Kompania Microsoft gjithashtu pikasi rrjete të lidhura me Pekinin që vazhdojnë të sulmojnë Tajvanin dhe vendet e tjera në rajon.
Mohime nga të gjitha palët
Në përgjigje, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha se akuzat se Kina krijon partneritet me kriminelë kibernetikë janë të pabaza dhe i akuzoi Shtetet e Bashkuara se përhapin “dezinformata për të ashtuquajturat rreziqe nga hakerë kinezë”.
Në një deklaratë, zëdhënësi Liu Pengyu tha se “pozicioni ynë është konsekuent dhe i qartë. Kina kundërshton me forcë dhe i lufton sulmet kibernetike dhe vjedhjen kibernetike të çfarëdo forme”.
Rusia dhe Irani kanë hedhur poshtë edhe akuzat se përdorin operacione kibernetike për të sulmuar amerikanët. Nuk pati reagime të menjëhershme nga përfaqësuesit e këtyre tre vendeve dhe të Koresë së Veriut, të cilëve iu drejtuan pyetje të hënën.
Paralelisht me kërcënimet, janë shtuar dhe përpjekjet për t’iu kundërvënë këtyre kapaciteteve kibernetike dhe të dezinformimit, por është natyra anonime dhe jo gjithnjë e njëtrajtshme e internetit që ndonjëherë saboton efektshmërinë e kundërpërgjigjes.
Autoritetet amerikane njoftuan rishtazi planet për të sekuestruar qindra faqe interneti të përdorura nga Rusia për të përhapur dezinformim zgjedhor dhe për të mbështetur përpjekjet për sulme piraterike ndaj ish-zyrtarëve amerikanë të zbulimit dhe mbrojtjes. Por hetuesit në Laboratorin për Studime Dixhitale të Këshillit të Atlantikut konstatuan se faqet që sekuestrohen nga qeveria, mund të zëvendësohen me lehtësi dhe shpejtësi.
Në shtator për shembull, Departamenti i Drejtësisë sekuestroi dhjetëra faqe interneti. Studiuesit pikasën 12 faqe të reja që ishin krijuar menjëherë në vend të tyre. Një muaj më vonë, ato vazhdonin të ishin në funksionim.