Nëse edhe ju bëni pjesë në grupin e njerëzve që kanë probleme me të gjumin, atëherë ndoshta ky shkrim është për ju! Gjithçka ka nisur nga një video në TikTok e publikuar nga një përdoruese me emrin Shapla Hoque. Në videon që është pëlqyer nga më shumë se 1.5 milionë persona, tregohet sekreti që pretendon kjo vajzë për një gjumë të qetë dhe të shpejtë.
Dhe zgjidhja vjen nga uji i sallatës jeshile! Ajo tregon saktësisht se si ta përgatisni këtë ujë, duke mbushur një filxhan me salltë jeshile, së cilës i shtohet ujë i ngrohtë. Lihet për disa minuta dhe prej andej hiqet sallata dhe konsumohet vetëm uji.
Gjatë videos, Hoque thotë se ka filluar të ndihet menjëherë e përgjumur dhe brenda 30-40 minutave pasi ka pirë ujin ka shijuar një gjumë të plotë dhe pa ndërprerje.
Në mijëra komente, shumë përdorues të tjerë në TikTok thonë se duan ta provojnë këtë taktikë.
“Kjo funksionoi për mua pasi nuk flija fare gjithë natën,” tha një ndjekës. Të tjerë thonë se e kanë provuar dhe nuk ka funksionuar për ta. Por në vend që të përpiqemi të zbërthejmë të gjithë qëndrimet në rrjetet sociale, janë mjekët ata që kanë një ide më profesionale për këtë metodë.
“Ka kaq shumë ‘kura mrekullibërëse’ për problemet e gjumit,” thotë mjekja Jade Wu.“Unë sigurisht nuk i fajësoj njerëzit që duan të gjejnë zgjidhje kaq të lehta për pagjumësinë, por zakonisht jam dyshuese kur diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë.”
Dietologia Sonya Angelone, gjithashtu ka rezervat e saj për gjithë këto pretendime që lidhen me ushqimin apo suplementet që ndikojnë në përmirësimin e gjumit.
Në fakt, ka vetëm një studim që është bërë për të parë nëse uji i sallatës mund të përdoret për përmirësimin e gjumit dhe subjektet ishin minj, jo njerëz. Në studimin e publikuar në vitin 2017 në revistën “Food Science and Biotechnology”, studiuesit gjetën një lidhje midis ekstraktit të sallatës dhe sasisë së kohës që u desh që minjtë të binin në gjumë. Mjekët thonë se ky studim ka shumë dyshime, sepse nuk u morën në konsideratë edhe një grup tjetër minjsh që nuk pinë ujin e sallatës për të parë diferencën e kohës së gjumit, ndaj edhe ideja se ky lloj uji është “shpëtimtar” për pagjumësinë duhet të merret me rezerva!