Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Boris Ruge qëndroi së fundmi në Kosovë dhe Serbi, ku diskutoi me autoritetet e të dyja vendeve për stabilitetin rajonal. Ruge, ju bëri thirrje palëve që të përmbahen në deklarata dhe nga veprimet e njëanshme me qëllim të sigurisë afatgjatë në Kosovë dherajon.

Serbia të ndihmojë në gjetjen e përgjegjësisë për Banjskën dhe sulmin ndaj ushtarëve të NATO-s
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, një ditë më parë takoi në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në platformën X, Ruge shkroi, se temë diskutimi ishin edhe çështjet rajonale, përshirë “sigurinë afatgjatë në Kosovë”. “Ne biseduam gjithashtu për çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e përhershme në Kosovë. NATO-ja pret që Serbia të ndihmojë në gjetjen e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator 2023”, shkroi Ruge, duke ju referuar përleshjes së serbëve të veriut të Kosovës me trupat e KFOR, në maj të vitit të shkuar ku mbeten të plagosur 90 ushtarë të NATO-s. Ndërkohë që pak më vonë në shtator, një grup serbësh të armatosur të kryesuar nga ish-nënkryetari i listës Srpska, Millan Radojçiq, vranë një polic të Kosovës në fshatin Banjskë të veriut.

Vuçiç me akuza kundër Prishtinës
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, pas takimit me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, shkroi në një postim se me Ruge, bisedoi për ndikimin e mundshëm të siç thotë, “vendimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”. “I shpreha shqetësimin e madh për tendencën për të komplikuar situatën përkundër të gjitha përpjekjeve të Beogradit për t’i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut. Gjithashtu theksova, se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve që Prishtina provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ndikon shumë tek populli serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tij”, shkroi Vuçiq. Presidenti serb ju referua zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ku autoritetet kosovare mbyllën nëntë zyra të postës së Serbisë dhe synimeve të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, para vizitës në Beograd ishte në Prishtinë ku takoi komandantin e forcave paqeruajtëse të KFOR, Özkan Ulutaş dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me të cilën bisedoi pikërisht për çështjen e urës mbi lumin Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe. Zyrtari i lartë i NATO-os, Boris Ruge, ju bëri thirrje autoriteteve kosovare të përmbahen “nga veprimet e njëanshme”. “Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve, por edhe për stabilitetin rajonal”, shkroi Ruge në platformën X.

Këmbëngulja e Kurtit thellon mospajtimet me ndërkombëtarët
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kanë hedhur poshtë kërkesën e komunitetit ndërkombëtar që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër të diskutohet në dialogun e Brukselit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Këmbëngulja e Kurtit që ta hap urën çoi në mospajtime të thella me vendet perëndimore, përfshirë SHBA. Partnerët kërkojnë nga Kurti që hapja e urës të bëhet vetëm në koordinim me ndërkombëtarët.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se me gjithë mospajtimet që Shtetet e Bashkuara kanë me qeverinë aktuale të Kosovës, përkushtimi amerikan ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur, por, potencoi se “ky përkushtim nuk vlen për çdo qeveri apo veprim politik të saj”. “Disa nga fushat e bashkëpunimit me qeverinë aktuale mbesin më pak pozitive sesa që ne kishim shpresuar. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë sa ka qenë gjithmonë. Megjithatë më duhet të theksoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës jo domosdoshmërisht vlen për çdo qeveri të Kosovës ose për çdo zgjedhje apo veprim të caktuar të politikave qeverisëse”, tha ambasadori Hovenier./ DW