Zlatko Kokanoviq nuk do një minierë litiumi në oborrin e shtëpisë së tij dhe do të bëjë gjithçka që mundet për ta penguar hapjen e saj.

“Të gjithë ne këtu, jemi gati të japim jetën”, tha bujku 48-vjeçar për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Ata mund të qëllojnë. Kjo është mënyra e vetme që mund ta hapin minierën”.

Në lojë është një luginë e harlisur bujqësore në Serbinë perëndimore, me rezervat më të pasura të litiumit në Evropë, një metal i çmuar që përdoret për të prodhuar bateri për makinat elektrike dhe është thelbësor për kalimin në energjinë e gjelbër.

Nëse duhet të ketë një minierë në luginë apo jo, është bërë një nga çështjet më të diskutueshme në kombin ballkanik, duke nxitur protesta nga mijëra veta, në një sfidë ndaj presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa qeveria këmbëngul se miniera është një mundësi për zhvillim ekonomik, kritikët thonë se ajo do të shkaktonte ndotje të pariparueshme në luginën e Jadarit, së bashku me rezervat e ujit nëntokësor, tokën bujqësore dhe dy lumenj të vegjël që përshkojnë luginën.

Mijëra veta pritet të marrin pjesë në një tubim të paralajmëruar për të shtunën në Beograd, duke kërkuar një ligj për të ndaluar minierat e litiumit kudo në Serbi, shkruan zeriamerikes.

Zlatko Kokanoviç do të jetë atje me grupin “Ne Damo Jadar”, ose “Nuk e japim Jadarin”.

“Ne nuk jemi të interesuar për përfitimet e tyre. Ne jemi rritur në këtë tokë dhe do të vdesim në këtë tokë”, tha Kokanoviq, i cili ka pesë fëmijë. “Kjo tokë nuk është pronë e askujt tjetër, është e fëmijëve tanë”.

Hulumtimi i rezervave të litiumit dhe të borit në luginën e Jadarit është bërë nga kompania shumëkombëshe e minierave Rio Tinto për 20 vjet. Kompania ka hartuar plane për hapjen e një miniere.