Shtatë vende të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Italinë, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën, u kanë bërë thirrje së bashku autoriteteve në Venezuelë t’i publikojnë shpejt procesverbalet zgjedhore, për të garantuar transparencë në lidhje me zgjedhjet e fundjavës së kaluar, njoftoi Zyra e Kryeministres italiane.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Venezuelës e shpalli presidentin Nicolas Maduro, i cili është në pushtet prej vitit 2013, fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut, me 51 për qind të votave, duke nxitur menjëherë akuza nga opozita për vjedhje votash.

Opozita thotë se, bazuar në numërimin e saj të hollësishëm, kandidati opozitar, Edmundo Gonzalez, me gjasë i ka fituar 67 për qind të votave.

Deklarata e përbashkët e vendeve të BE-së iu bashkua kritikave nga vendet e jashtme për mënyrën se si Qeveria venezuelase i ka organizuar zgjedhjet.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Argjentinën, e kanë njohur Gonzalezin si fitues të zgjedhjeve.

Javën e kaluar, ministrat e Grupit 7 shprehën solidaritet me popullin e Venezuelës dhe shqetësimet e tyre për rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve venezuelase t’i publikojnë menjëherë të gjitha regjistrat e votimit, për të garantuar integritet dhe transparencë në procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatën e shtatë vendeve të BE-së, e cila përfshirë edhe Portugalinë, Holandën dhe Poloninë.

“Opozita thotë se i ka mbledhur dhe publikuar më shumë se 80 për qind e regjistrave zgjedhore nga të gjitha qendrat e votimit. Verifikimi është thelbësor për njohjen e vullnetit të popullit venezuelas”, thuhet në njoftim.