Me vetëm katër muaj larg zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara përçarjet politike të elektoratit janë të skajshme. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, disa votues fajësojnë mediat se po e thellojnë këtë ndjenjë të ndasisë.

Votuesit amerikanë thonë se nuk ka dyshime që Shtetet e Bashkuara janë të polarizuara ndërkohë që po afrohen zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

John LaRussa është njëri prej tyre. “Mendoj se vendi nuk ka qenë kaq i përçarë që nga epoka e të drejtave civile. Jemi në një situatë ku njerëzit nuk janë në gjendje të bisedojnë me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Michael McDermott, një tjetër votues thotë se mediat e polarizuara politikisht po e përkeqësojnë këtë problem.

“Kemi stacione lajmesh të veçanta për këndvështrime të veçanta. Duhet ta trajtosh çdo informacion që dëgjon me skepticizëm”, thotë ai.

Një anketë e realizuar në vitin 2023 gjeti që amerikanët kanë prirje t’i shohin mediat si dëmtues të demokracisë dhe si diçka që rrit ndasitë politike dhe jo që i zbut ato.

Vetëm 16 për qind e të anketuarve thonë se janë plotësisht të bindur se mediat i raportojnë lajmet në mënyrë të plotë, të saktë dhe të drejtë.

Studentja Nicki Dolce është njëra prej skeptikëve.

“Kur lexon lajmet, e kupton nga mënyra e të shkruarit se po mundohen të ndikojnë te lexuesi në një mënyrë apo tjetër”, thotë ajo.

Media si kontribuese e polarizimit nuk është aksident, thotë Justin Owen, President i qendrës ‘Beacon’ në shtetin Tenësi, që angazhohet për politika që mbështesin një treg të lirë.

“Bëhet fjalë për klikime, apo jo? Bëhet fjalë për numrin e lexuesve për lajmet. Dhe thënë hapur, të qenit më ekstrem shpërblehet ngaqë tërheq më shumë vëmendje”, thotë ai.

Shumë votues gjithashtu fajësojnë rrjetet sociale që kanë zgjeruar ndasitë politike.

“Njerëzit shprehin mendimet atyre aty, gjithashtu. Mendoj se i hedhin benzinë zjarrit”, thotë një tjetër votues.

Por ndërkohë që mediat tradicionale dhe rrjetet sociale mbase mund t’i nxisin përçarjet, ekspertët thonë se ato nuk i shkaktojnë ato.

Sipas profesores së shkencave politike Johanna Dunaway nga Universiteti Syracuse, polarizimi nuk është fenomen i ri.

“Ka shumë pak prova se mediat mund të ndikojnë tek njerëzit përtej qëndrimeve që ata tashmë kanë. Polarizimi ka ekzistuar edhe para se mediat të ndryshojnë dhe para se të riktheheshin në skenë mediat që mbajnë qëndrime partiake”, thotë ajo.

Ndërsa zgjedhjet presidenciale po afrohen, profesorja Dunaway thotë se ajo është më e shqetësuar për shpërndarjen e informacionit të rremë dhe sfidave të shtuara me të cilat përballen lexuesit e lajmeve për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.