Pak ditë pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit më 2020, radhët kanë qenë të gjata para dyqaneve që shesin ar në Poloni.
Më vonë ka shpërthyer lufta e Rusisë në Ukrainë, duke mbushur edhe një herë tjetër dyqanet me klientë në Poloninë fqinje.
Piotr Kozik, menaxher i një dyqani që shet ar, në Varshavë, kujton ditët pak pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.
Ai kujton që ka qenë ditë e enjte, dhe është shënuar e ashtuquajtura “E enjtja e trashë”, ditë kur polakët e qerasin veten me paczki, petull e ëmbël.
“Atë ditë, më të gjata kanë qenë pritjet para dyqaneve të arit, sesa për petulla nëpër furra të bukës”, ka thënë Kozik.
Polakët janë tronditur prej luftës në anën tjetër të kufirit, si pasojë e së cilës janë përballur me rritje të numrit të refugjatëve, dhe ari ka qenë një prej mjeteve të vetme që u ka ofruar garanci financiare e deri diku edhe psikologjike.
Radhë të tilla nuk ka më, mirëpo kërkesa për ar vazhdon të jetë e lartë, ndonëse lufta ka hyrë në vitin e tretë.
Polakëve ua shton edhe më shumë sikletin një krizë e migrantëve në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, të cilën autoritetet polake e shohin si luftë hibride të krijuar prej Moskës dhe Minskut.
Radoslaw Paklikowski, 38-vjeçar, sipërmarrës në qytetin perëndimor polak, Vrocllav, ka nisur të blejë monedha ari dhe argjendi më 2021 dhe tani investon 5 për qind të aseteve të tij në këto metale të çmuara.
“Posedimi i arit në formë fizike ka shumë rëndësi, dhe kur e them këtë nuk nënkuptoj një ton ar, por sasi që ju ndihmojnë të kaloni kufirin, apo të siguroni familjen, nëse ndodh diçka e keqe”, ka thënë ai.
Për disa tjerë, fakti që vendi i tyre është në NATO, është një lloj sigurie.
Megjithatë, nuk janë pak ata që shqetësohen se nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, ajo nuk do të ndalet me aq.
Teksa qeveritë perëndimore rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe dërgojnë armë në Ukrainë, njerëzit e thjeshtë janë në kërkim të garancive.
Disa prej tyre kanë blerë shtëpi në Spanjë dhe Itali. Për dallim prej investimeve në patundshmëri në Poloni, ari, diamantet dhe argjendi mund të barten lehtë.
Në Poloni, ari lidhet me traumat e Luftës së Dytë Botërore, kur njerëzit kanë luftuar për mbijetesë.
Rrëfimet ende barten prej gjeneratës në gjeneratë, se si falë posedimit të arit apo monedhave të arit, shumë familje kanë arritur të sigurojnë ushqim apo të kalojnë lehtësisht kufirin, kur Polonia ka qenë e pushtuar prej forcave gjermane dhe atyre sovjetike.
Rreth 6 milionë shtetas polakë janë vrarë në luftë, shumica prej tyre hebrenj polakë.
Marta Bassani-Prusik, udhëheqëse e kompanisë së metaleve të çmuara, ‘Mint of Poland’ ka thënë se klientët e saj janë zakonisht polakë, familjarë të të cilëve kanë pasur histori të ngjashme të vuajtjeve, si dhe njerëz me rrënjë polake, që kthehen për të parë tokën e paraardhësve, të ikur prej getove të Varshavës.
“Ata thonë se janë gjallë vetëm për shkak të arit, sepse gjyshërit e tyre kanë pasur ar, apo monedha ari”, ka thënë ajo.
Bassani-Prusik tregon se investimet në shufra dhe monedha ari kanë qenë më të vogla në periudhën para pandemisë së koronavirusit, mirëpo ato kanë marrë hov pas pandemisë dhe luftës, “sepse të gjithë kanë qenë të frikësuar për atë që ka ndodhur”.
Sapo situata ka nisur të normalizohet, ky treg e ka përjetuar edhe një tjetër rritje, për shkak të inflacionit pas pandemisë së koronavirusit, i cili ka arritur në 18 për qind në Poloni.
Çmimi i arit është i ndjeshëm, gati sikurse bursat, dhe investitorët mund të humbin nëse blejnë sasi të e arit shtrenjtë dhe detyrohen t’i shesin lirë, nëse i humbasin, apo edhe ua vjedh dikush.
Një tjetër arsye është që çmimi i arit është në dollarë, në nivel global, dhe sikurse nafta, ndryshimet në tregtim të valutave mund të ndryshojnë çmimin.
Megjithatë, ari mbetet atraktiv pasi prej 1.3000 dollarëve për 31 gramë, çmimi ka arritur në mbi 2.300 dollarë në dekadën e fundit.
Kjo rritje është rezultat i rritjes së kërkesës prej individëve dhe bankave qendrore në Azi, sipas Michal Teklinskit, ekspert në Goldsaver, degë e grupit Goldenmark, që mundëson blerjen e arit me këste.
Teklinski parashikon që çmimet do të vazhdojnë të rriten në vjetët e ardhshëm, sepse bankat qendrore në Kinë dhe shumë tregje tjera, janë duke rritur rezervat e tyre të arit.
Rritja e kërkesës për blerje të arit fizik është vërejtur sidomos në Poloni, Gjermania, Zvicër dhe Austri.
“Pas vitit 2020, njerëzit kanë nisur t’iu kthehen rrënjëve”, ka thënë ai.
Kompania ‘Mint of Poland’, e cila ka funksionuar prej vitit 1766, ka qenë dikur pronë shtetërore, por është privatizuar pas rënies së komunizmit.
Ajo e ka të drejtën ekskluzive për të prodhuar monedha për qarkullim në Poloni. Ajo, po ashtu, pret monedha për shumë shtete në botë, nga Paraguaj deri në Irlandë dhe nga Luksemburgu deri në Tajlandë.
Kompania deklaron se arin e nxjerr prej minierave polake dhe që prodhohet në mënyrë etike – që do të thotë se respektohen të drejtat e njeriut dhe të ambientit.
Në një dyqan të ‘Mint of Poland’ në Varshavë, në afërsi të zonës ku dikur ka ekzistuar getoja e Varshavës, çmimi i arit përditësohet çdo ditë.
Në një pasdite, së fundmi, 40-vjeçari, Marcin Grzesiak, pronar biznesi, ka hyrë në dyqan dhe ka porositur tri monedha ari.
Ai ka paguar 7.000 dollarë për to.
Grzesiak, i cili jeton në lindje të Polonisë, afër kufirit me Bjellorusinë, ka thënë se dëshiron t’i diversifikojë investimet për shkak të shqetësimeve për situatën gjeopolitike dhe rrezikimit të stabilitetit financiar global prej ndonjë sulmi kibernetik.
“Ne po jetojmë në kohë të paqarta”, ka thënë ai.
“Nuk kam pritur ndonjëherë që Rusia të sulmojë Ukrainën. Edhe miqtë e mi prej Ukrainës nuk kanë pritur që Rusia do t’i sulmojë ndonjëherë. Gjithçka mund të ndodhë”./Associated Press