Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së “EURO 2024”, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.
Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dyseldorf.
UEFA nisi hetim ndaj FSHF-së për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Kroaci-Shqipëri, por edhe ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, më 20 qershor.
Pas ndeshjes me Kroacinë, ofendoi dhe shau maqedonisht.
Pas kësaj ai reagoi në rrjete sociale duke shkruar:
“Përshëndetje të gjithëve
Së pari dua të jem falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.
Falja është burrërore dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar.
Me respekt, Mirlind Daku”