Thesare historike, peizazhe idilike, vende fetare: Shqipëria ka gjithçka për të ofruar, shkruan Emily Pradel në një artikull të botuar në të përditshmen gjermane “BILD”.

Shqipëria, vendi i vogël në Gadishullin Ballkanik, është destinacioni ideal për vizitorët dhe ata që janë të interesuar për kulturën.

Zbuloni gjithçka rreth gjeografisë dhe traditave të vendit mesdhetar, Shqipërisë!

Çfarë gjuhe flitet në Shqipëri?

Gjuha zyrtare në Shqipëri është shqipja. Por jo vetëm në këtë vend, por edhe në Kosovë e Maqedoni! Në përgjithësi, bëhet një dallim midis dy dialekteve: gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug. Megjithatë, elementët toskë të dialektit përfaqësohen më shpesh.

Vendndodhja gjeografike e Shqipërisë

Shqipëria ndodhet në perëndim të Gadishullit Ballkanik dhe kufizohet me Republikën e Malit të Zi në veri. Vendi kufizohet me Greqinë në jug dhe me detet Adriatik dhe Jon në perëndim.

Moti

Moti është mjaft i larmishëm: në bregdet moti është mesdhetar dhe i butë me dimër të shkurtër dhe verë të ngrohtë dhe të thatë.

Megjithatë, klima ndryshon në varësi të rajonit në brendësi. Në lartësitë më të larta, dimri është  zakonisht më i ftohtë dhe toka mbulohet nga bora.

Temperaturat arrijnë minimumi -15 gradë Celsius dhe në verë ne bregdet ato arrijnë maksimalisht 40 gradë celcius.

Kryeqyteti – Tirana

Ndërtesa shumëngjyrëshe dhe shumë kulturë: Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është zemra pulsuese e vendit dhe qendra e kulturës, politikës dhe biznesit.

E themeluar në shekullin e XVII, qyteti është zhvilluar që atëherë në një metropol dinamik, duke ofruar një ndërthurje magjepsëse të arkitekturës osmane, italiane dhe komuniste.

Tirana ofron atraksione të shumta që pasqyrojnë historinë e pasur të qytetit dhe zhvillimin modern.

Këtu janë disa nga atraksionet kryesore që nuk duhet t’i humbisni gjatë udhëtimit:
Zemra qendrore e qytetit është Sheshi Skënderbej, i cili mban emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ai është i rrethuar nga ndërtesa të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar – muzeu më i madh në Shqipëri – ose Xhamia e Et’hem Beut.

Kultura ushqimore në Shqipëri

Kuzhina shqiptare karakterizohet nga diversiteti dhe ndikimet e saj nga kuzhina mesdhetare, otomane dhe ballkanike. Në kulturën ushqimore ka edhe ndikime nga kuzhina italiane dhe ajo greke. Vakti kryesor? Dreka!

Ja disa pjata tipike shqiptare që përfaqësojnë traditën e kuzhinës së vendit dhe që nuk duhet t’i humbisni në pushimet tuaja:

Qofte: qofte shqiptare me mish viçi ose qengji, qepë dhe erëza.

Byrek: Një petë e shijshme e mbushur me djathë, spinaq, mish ose kungull.

Bakllava: Një ëmbëlsirë e bërë nga shtresat e pastave të mbushura me arra dhe sherbet.

Fërgesa: Një pjatë tipike verore e bërë me speca të pjekur, domate dhe gjizë, ndonjëherë e përgatitur edhe me mish.

Tarator: Një kos i ftohtë me kastravec të grirë, veçanërisht në verë.

Traditat në Shqipëri

Këto tradita pasqyrojnë diversitetin dhe trashëgiminë që karakterizojnë vendin:

Vallet dhe muzika popullore
Vallet popullore si “Vallja e Tropojës” dhe “Vallja e Shpatave” janë pjesë e pandashme e festave shqiptare. Të shoqëruara me instrumente tradicionale si lahuta dhe çifteli, ato pasqyrojnë gëzimin e jetës dhe krenarinë e shqiptarëve.

Festat Kombëtare: Simbolet e Pavarësisë
Festa kombëtare e pavarësisë së Shqipërisë festohet më 28 nëntor. Parada, koncerte dhe fishekzjarre: në këtë ditë kudo valëvitet flamuri shqiptar, simbol i krenarisë dhe unitetit të popullit.

Feja dhe festat: Një bashkëjetesë harmonike
Shqipëria njihet edhe për tolerancën e saj fetare: myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Festat fetare si Bajrami dhe Pashkët respektohen nga të gjitha komunitetet dhe shpesh festohen së bashku.

Pesë vendet më të bukura në Shqipëri

Kruja – Kalaja e Krujës, Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Liqeni i Bovillës

Saranda – Kalaja e Lëkurësit, Porti i Sarandes, Manastiri i 40 Shenjtorëve

Riviera Shqiptare –  Vlorë, Xhamia e Muradies, Kalaja e Kaninës

Berati – Kalaja e Beratit, Muzeu Etnografik Kombëtar, Ura e Goricës

Shkodra – Kalaja e Rozafës, Rruga Ndre-Mjeda, Monumenti i Nënë Terezës, Katedralja e Shën Stefanit.

Sa e sigurt është Shqipëria?

Shqipëria është një vend i sigurt për të udhëtuar. Turistët duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet lokale dhe të bëjnë kërkimet e tyre përpara se të udhëtojnë.