Është momenti i Shqipërisë! Është momenti i një eksperiencë që do të jetë padyshim unike. Nga Dortmundi i Gjermanisë të ndizet shkëndija e emocionit kudo ku frymohet shqip.
Sonte në mbrëmje, kombëtarja shqiptare do të zbresë në “Signal Iduna Park” për të sfiduar kampionët në fuqi të Italisë.
Në ndeshjen e parë të grupit B, në prezencën e mbi 40 mijë zemrave kuqezi, e milionave të tjera që do të brohorasin nga larg për luftëtarët e Kombit.
Përballë do të jetë Italia, një skuadër që në vendin tonë ka shumë tifozë. Por për një natë të vetme, zemrat e shqiptarëve do të rrahin vetëm për ngjyrat kuqezi.
Eksperienca e dytë në finalet e një Europiani na ka rezervuar kundërshtarë tepër të fortë në letër. Por nuk e ka zbehur aspak dëshirën dhe besimin se mund të jemi ne surpriza epkëtij turneu.
Sfida me të kaltrit do të jetë e veçantë për shumë nga lojtarët e Shqipërisë, të cilët luajnë në Itali prej vitesh dhe i njohin mirë kundërshtarët që kanë përballë.
Historia është në favorin e Italisë, që ka fituar 4 duelet që ka patur me kuqezinjtë, por gjithnjë ka një herë të parë. Dhe djemtë e Sylvinhos do të tentojnë ta bëjnë realitet pikërisht në këtë mbrëmje.
Shqipëria u kualifikua si e para e grupit në kualifikuese, e në anën tjetër ka treguar se di të luajë tashmë si një skuadër e madhe, ndaj çdokujt që ka përballë.
Ky është Europiani i Etrit Berishës, Hysajt, Abrashit, Ajetit e Alijit, që pas 2016-s përjetojnë për herë të dytë emocionet e një Europiani.
Ky është Europiani i Asanit, Bajramit dhe Asllanit, që me supergolat e tyre e dërguan Shqipërinë në Euro 2024.
Ky është Europiani i Ramadanit, Mitajt, Seferit, të cilët kanë shkëlqyer në kualifikuese.
Është Europiani i Ismajlit, Muçit, Laçit dhe Dakut, gjithnjë të gatshëm për të dhënë gjithçka për fanellën më të bukur.
Edhe i Strakoshës, Mihajt, Kumbullës, Kastratit, Balliut, Manajt e Gjasulës, prezentë sa herë thirren në apel.
Është Europiani i Medon Berishës, e Arbër Hoxhës, të cilët përjetojnë për herë të parë emocionet e fanellës kuqezi. Por edhe i atyre që ishin, por mbetën jashtë, pasi vetëm 26 merren me vete.
Padyshim edhe Europiani i Armando Brojës, i cili në sytë tij ka “zjarr”, për të përligjur besimin dhe dashurinë që i falin tifozët kuqezi.
Mbi të gjithë është Europiani i Berat Gjimshitit. Kapiteni nga Lugina është frymëzim dhe shembull suksesi.
Ndonëse nuk ishte pjesë e skuadrës në 2016, ai nuk u ankua kurrë dhe nuk hoqi dorë asnjëherë.
Dhe Berati – pasuri e krenari kombëtare – tashmë shkon si i pari i vendit në një turne madhështor si ky i Euro 2024.
Është Europiani i Sylvinhos dhe gjithë stafit të tij, të cilët që në ditën kur kanë nisur punën e kanë kuptuar filozofinë e kombit tonë, e tani synojnë që të shkruajnë historinë, me germa të arta në një kapitull të veçante.
Ky është Europiani i të gjithë shqiptarëve, është Europiani që duhet shijuar në maksimum e ëndërruar deri në fund.
Guxim, zemër dhe pa frikë! Forca Shqipëri! I gjithë Kombi është me ty!