Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të shtojë Izraelin dhe Hamasin në listën e shkelësve të të drejtave të fëmijëve.

Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Guterres e përpilon çdo vit një listë të shteteve dhe milicive, veprimet e të cilave kërcënojnë fëmijët.

Në listë janë përfshirë grupe të Mianmarit e deri te Rusia, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, më 2022.

Tani, Izraeli pritet të shtohet në listë.

Guterres e dërgon listën në Këshillin e Sigurimit dhe ky trup më pas vendos nëse do të marrë masa.

Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve të përhershme në Këshill, dhe ato kanë qasje hezituese për të vepruar kundër Izraelit, aleatit shumë të afërt.

Ulëse të përhershme në Këshill ka edhe Rusia, dhe kur OKB-ja i ka vendosur forcat ruse në listën e saj të zezë, vitin e kaluar, për vrasje të djemve dhe vajzave, dhe sulm në shkolla dhe spitale në Ukrainë, Këshilli nuk ka marrë asnjë veprim.

Përfshirja e Izraelit këtë muaj në listë, ka mundësi që vetëm të rrisë vëmendjen globale në qasjen e Izraelit ndaj luftës në Gazë, dhe t’i rrisë tensionet veçse të larta për këtë çështje.

Në listë do të përfshihen edhe grupet si Hamasi dhe Xhihadi Islamik.

Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, ka thënë se shtimi i izraelit në “listën e turpit’ nuk do të kthejë mbrapsht mijëra fëmijë që janë vrarë prej Izraelit ndër dekada.

“Megjithatë, është hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, ka thënë Mansour.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “OKB-ja e ka vendosur vetë veten në listën e zezë të historisë”.

Benny Gantz, ministër në kabinetin e Netanyahut, ka reaguar gjithashtu ashpër, dhe e ka cituar kryeministrin e parë të Izraelit, David Ben-Gurion, duke thënë se “nuk ka rëndësi çfarë thonë johebrenjtë, e rëndësishme është çfarë bëjnë hebrenjtë”.

Për muaj të tërë, Izraeli është përballur me kritika ndërkombëtare për shkak të viktimave civile në Gazë, dhe dilemave nëse ka bërë mjaftueshëm për të parandaluar vdekjen e tyre në luftën tetëmujrore.

Në dy sulmet e fundit ajrore në Gazë janë vrarë dhjetëra civilë.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar që më shumë se 1 milion palestinezë në Gazë mund të përballen me nivelin më të lartë të urisë në mesin e këtij muaji, nëse armiqësitë vazhdojnë me ritmin e njëjtë.

Konflikti mes dy palëve ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.

Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.