Koreja e Veriut tha se përpjekja e saj për të dërguar në hapësirë një satelit të ri zbulimi ushtarak dështoi të hënën për shkak të shpërthimit të motorit të raketës gjatë fluturimit.

Përpjekja erdhi vetëm disa orë pasi Pheniani lëshoi një paralajmërim, në të cilin thoshte se do të përpiqej të lëshonte një satelit deri më 4 qershor, që do të ishte sateliti i tij i dytë spiun në orbitë.

Ky ishte dështimi i radhës nga Koreja e Veriut, një vend që ka armë bërthamore, pas disa përpjekjeve që përfunduan me shpërthime vitin e kaluar. Pheniani dërgoi me sukses satelitin e tij të parë spiun në orbitë në nëntor.

“Raketa në të cilën ishte vendosur sateliti shpërtheu në ajër gjatë fazës së parë të fluturimit”, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Administratës Kombëtare të Teknologjisë Ajrore të Koresë së Veriut në një raport të transmetuar nga media shtetërore.

Sipas një analize fillestare, shkak i shpërthimit ishte një motor rakete me lëndë djegëse të lëngshme të zhvilluar së fundmi, por raporti thotë se janë duke u hetuar edhe shkaqe të tjera të mundshme.

Zyrtarët në Korenë e Jugut dhe Japoni kishin raportuar më herët se lëshimi i satelitit kishte dështuar.

Koreja e Veriut lëshoi raketën nga një pikë jugore e brigjeve të saj perëndimore rreth orës 22:44, thanë zyrtarët e ushtrisë së Koresë së Jugut.

Megjithatë, zyrtarët koreanojugorë thanë se panë një sasi të madhe mbetjesh nga raketa në det vetëm dy minuta pas lëshimit të saj.

Objekti i nisur nga Koreja e Veriut u zhduk mbi Detin e Verdhë, u tha gazetarëve shefi i kabinetit japonez Yoshimasa Hayashi, duke shtuar se Tokio mendon se asgjë nuk kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore.

“Këto lëshime raketash shkelin rezolutat e OKB-së dhe janë një çështje serioze e sigurisë për njerëzit tanë”, tha zoti Hayashi.

Transmetuesi publik japonez “NHK” shfaqi një video, ku shihej një pikë ngjyrë portokalli duke fluturuar gjatë natës, që më pas mori flakë në një zonë afër kufirit mes Kinës dhe Koresë së Veriut.

Një zyrtar i ministrisë japoneze të mbrojtjes u tha gazetarëve se ngjyra e flakëve në pamjet filmike sugjeron se karburanti i lëngshëm mund të ketë qenë duke u djegur, por se po vazhdon analizimi i detajeve, raportoi kanali televiziv “NHK”.

Qeveria japoneze lëshoi një paralajmërim urgjent të hënën për banorët në jug që të gjejnë strehim nga kërcënimi i mundshëm i një rakete të Koresë së Veriut, dhe pak më vonë e tërhoqi atë, duke thënë se raketa nuk pritej të fluturonte mbi territorin japonez.

Japonia tha për sistemin e saj të transmetimit “J-Alert” se Koreja e Veriut dukej se kishte lëshuar një raketë, duke dërguar paralajmërimin për banorët në prefekturën jugore të Okinavës.

Disa dështime, një sukses

Kjo është përpjekja e dytë e Koresë së Veriut për të nisur në orbitë një satelit përgjimi. Pas disa përpjekjesh të dështuara që përfunduan me rrëzimin e raketës, Koreja e Veriut nisi me sukses në orbitë një satelit të tillë në muajin nëntor.

Përpjekja e parë e Koresë së Veriut në 31 maj të vitit të kaluar për të nisur satelitin Chollima-1 dështoi në fazën e dytë të lëshimit. Mediat shtetërore fajësuan një sistem të ri të paqëndrueshëm motorësh dhe injektimi të karburantit.

Pas dështimit të përpjekjes së vjetshme, Koreja e Jugut arriti të marrë pjesët e satelitit të rrëzuar në det dhe analizimi i tyre tregoi se nuk mund të shërbente si një platformë zbulimi.

Një tjetër përpjekje në muajin gusht gjithashtu dështoi, me probleme në fazat e shtytjes së raketës që u rrëzua në det.

Autoritetet për hapësirën të Koresë së Veriut i përshkruan problemet e gushtit si “probleme jo të mëdha” për sa i përket qëndrueshmërisë së përgjithshme të raketës.

Në muajin shkurt, ekspertët amerikanë të hapësirës thanë se sateliti i parë spiun i Koresë së Veriut, Malligyong-1 ishte funksional. Ata pikasën ndryshime në lëvizjen në orbitë, çka sugjeroi se Pheniani po kontrollonte me sukses satelitin, kapacitetet e të cilit mbeten të panjohura.

Mediat shtetërore të Koresë së Veriut njoftuan se sateliti ka transmetuar ndër të tjera pamje të Pentagonit dhe të Shtëpisë së Bardhë, por imazhet nuk u publikuan ndonjëherë.

Gjatë vizitës më 13 shtator 2023
Gjatë vizitës më 13 shtator 2023

Nisja e sukseshme në hapësirë e nëntorit ishte përpjekja e parë e bërë pasi udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un bëri vizitën e rrallë në shtator në qendrën moderne hapësinore të Rusisë, ku presidenti rus Vladimir Putin premtoi ta ndihmojë Phenianin për prodhimin e satelitëve.

Dy vendet nuk kanë dhënë detaje për këtë lloj ndihme që mund të jetë në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Korenë e Veriut.

Ekspertët rusë kanë vizituar Korenë e Veriut për të ndihmuar me programin e satelitëve dhe raketave të hapësirës, ka njoftuar agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut “Yonhap”, e cila citoi një zyrtar të mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Pheniani ka thënë se ka nevojë për një satelit zbulimi ushtarak që të monitorojë aktivitetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.