Ka filluar puna për ndërtimin e një linjë hekurudhore me vlerë prej 12 miliardë dollarësh, për trena me shpejtësi të lartë, mes Las Vegasit dhe Los Anxhelesit, thanë zyrtarët të hënën, mes parashikimeve që duke nisur nga viti 2028, miliona vetë do të blinin bileta pasagjerësh.
“Njerëzit kanë ëndërruar për dekada të tëra që të ketë trena me shpejtësi të lartë në Amerikë”, tha Sekretari i Transportit Pete Buttigieg përmes një deklarate që përkoi me një ceremoni në terminalin e ardhshëm, që pritet të ndërtohet në rrugën e njohur “Las Vegas Strip”.
Zoti Buttigieg tha se projekti do të krijojë mijëra vende të reja pune, lidhje të reja për mundësi më të mira ekonomike, do të ndihmojë në uljen e trafikut dhe uljen e ndotjes së ajrit.
Brightline West, kompania simotër e së cilës operon me trena të shpejtësisë së lartë mes Majemit dhe Orlandos në Florida, synon të shtrijë një linjë hekurudhore të re nga “Las Vegas Trip” në një terminal të ri në qytetin Rancho Cucamonga në Kaliforni.
Themeluesi dhe presidenti i kompanisë Brightline Holdings, Wes Edens, tha se “ky moment paraqet themelet për një industri të re”.
“Ky është një projekt historik dhe një moment krenarie”, tha zoti Edens në deklaratë.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mike Reininger ka deklaruar se synimi është që trenat të fillojnë të lëvizin në periudhën që mbahen Lojërat Olimpike të Verës në Los Anxhelos në 2028.
Kompania Brightline mori një mbështetje prej 6.5 miliardë dollarësh nga administrata e presidentit Biden.
Projekti konsiderohet si linja e parë e vërtetë hekurudhore e trenave të pasagjerëve me shpejtësi të lartë në vend, e projektuar për të arritur shpejtësi prej 300 km/orë, e krahasueshme me të ashtuquajturit “trenat-plumb” Shinkansen, të Japonisë.
Bazuar në parashikimet e projektit, trenat elektrikë do të shkurtojnë udhëtimin katër-orësh nëpër shkretëtirën Mojave, në pak më shumë se dy orë. Parashikimet janë për 11 milionë pasagjerë në vit, ose rreth 30,000 në ditë, me tarifa shumë më të ulëta se kostot e udhëtimit përmes linjës ajrore. Trenat do të ofrojnë dhoma pushimi, internet falas, shitje ushqimesh dhe pijesh dhe mundësinë për të patur me vete bagazhe.
Las Vegasi është një destinacion i pëlqyer për shumë banorë të zonës së Kalifornisë së Jugut. Zyrtarët shpresojnë se linja e trenit do të lehtësojë trafikun në aksin ndërshtetëror I-15, ku drejtuesve të mjeteve shpesh u duhet të përballen me rradhë të gjata trafiku, ndërsa kthehen për në shtëpi pas një fundjave në Las Vegas.
Zona e Las Vegasit, që tani ka afro 3 milionë banorë, tërheq më shumë se 40 milionë vizitorë në vit. Gjatë vitit 2023 në aeroportin ndërkombëtar të qytetit, “Harry Reid”, u vendos një rekord prej j 57.6 milionë pasagjerësh.
Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, mesatarisht mbi 44,000 automjete në ditë përshkuan aksin ndërshtetëror Kaliforni-Nevada, në vitin 2023.
Kompania Brightline Holdings me bazë në Florida nisi linjën Miami-Orlando në vitin 2018 me trena që arrinin shpejtësi deri në 200 km/orë. Ajo zgjeroi shërbimin në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos shtatorin e kaluar. Ajo ofron 16 udhëtime vajtje-ardhje në ditë, me bileta vajtje-ardhje për distancën 378 kilometra, që kushtojnë rreth 80 dollarë.
Trena të tjerë të shpejtësisë së lartë në SHBA janë trenat Acela të operatorit hekurudhor Amtrak, që arrijnë një shpejtësi prej 241 km/orë .
Trenat e pasagjerëve për në Las Vegas nuk përdoren më që prej vitit 1997. Ideja e një treni me shpejtësi të lartë për në Los Anxhelos daton që në vitin 2005 dhe ka marrë emra të ndryshëm, përfshirë DesertXpress.