Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, në atë që do të shënonte një ndryshim orientimi për furnizimet ushtarake, që deri tani vareshin nga Rusia
Presidenti serb e bëri këtë paralajmërim në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Paris, gjatë së cilës bisedoi me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes, përfshirë prodhuesin e avionëve Rafale, Dassault Aviation.
Presidenti Vuçiç tha se ai pati një bisedë shumë të mirë me presidentin Macron të hënën në mbrëmje, e cila zgjati më shumë se tre orë dhe se ata “arritën marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve luftarakë Rafale”.
Ai tha se kontrata do të nënshkruhet në dy muajt e ardhshëm në prani të presidenti Macron, duke shtuar se blerja e avionëve të sofistikuar do të zgjerojë në mënyrë rrënjësore bashkëpunimin ushtarak por edhe në fushat tjera midis dy shteteve.
Hollësitë financiare të marrëveshjes së mundshme nuk janë bërë të ditura, por media pro qeveritare serbe e vlerësoi atë në rreth 3 miliardë euro.
Serbia e ka shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, që kur Kroacia, rivalja e saj ballkanike, bleu 12 avionë të përdorur të këtij lloji për rreth 1 miliard euro.
Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i mundësonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë të vjetër jugosllavë.
Rusia ka qenë një furnizues tradicional i Serbisë më avionë ushtarakë, përfshirë helikopterë. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Armatosja e shpejtë e ushtrisë serbe ka shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s.
Kritikët e furnizimit të Serbisë me armë perëndimore, thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiçin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovën fqinje, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Udhëheqësi populist serb ka bërë disa kërcënime të tilla të “maskuara” gjatë muajve të fundit.
Gjatë takimit ne Paris, ai dhe presidenti Macron diskutuan edhe për tensionet në Kosovë si dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë bërthamore dhe ndërtimin e mundshëm të një centrali bërthamor në Serbi.