Hong Kongu e ka miratuar një ligj të ashpër të sigurisë kombëtare, për të cilin autoritetet kanë thënë se është i domosdoshëm për stabilitet.
Megjithatë, sipas kritikëve, ky hap do t’i gërryejë edhe më tepër liritë civile.
Artikulli 23 shënjestron shkelje si ndërhyrja e jashtme dhe rebelimi, dhe ndëshkimet përfshijnë edhe dënime me vdekje.
Dokumenti ka kaluar shpejt në fazën finale nga parlamenti i qytetit, që është pro-Pekinit, në më pak se dy javë.
Artikulli 23 e zgjeron një ligj kontrovers për siguri kombëtare, që është miratuar më parë prej Kinës.
Ai ligj tashmë i ka bërë vepra penale shkëputjen e vendit, përmbysjen e pushtetit, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forca të huaja në Hong Kong.
Mirëpo lideri i Hong Kongut, John Lee, ka thënë se Artikulli 23 është i domosdoshëm për t’u ruajtur prej “sabotazhit të mundshëm dhe situatave tjera që mund të shkaktojnë telashe”, sidomos idetë për një “Hong Kong të pavarur”.
Ai e ka konsideruar miratimin e ligjit si “moment historik për njerëzit e Hong Kongut që kanë pritur për më shumë se 26 vjet”.
Zëvendëskryeministri i Kinës, Ding Xuexiang, ka thënë se miratimi i ligjit do t’i mbronte “interesat kryesore kombëtare” dhe do t’i mundësonte Hong Kongut që të fokusohej në zhvillim ekonomik.
Dhjetëra persona janë arrestuar pas miratimit të ligjit për siguri kombëtare, më 2020.
Kritikët besojnë se ai ka krijuar një klimë frike në Hong Kong.
Drejtorja e agjencisë ndërkombëtare Amnesty International për Kinën, Sarah Brooks, ka thënë se ligji i ri “përbën goditje të re për të drejtat e njeriut në qytet”, derisa Maya Wang, ushtruese e detyrës së drejtores për Kinën në organizatën tjetër ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, kanë thënë se ligji i ri do ta fusë Hong Kongun në “epokën e re të autoritarizmit”.
Kur Mbretëria e Bashkuar ia ka dorëzuar Kinës Hong Kongun më 1997, qytetit i ishin garantuar disa liri për 50 vjet, sipas marrëveshjes së nënshkruar, të njohur me sistemin “një shtet, dy sisteme”.
Mirëpo Perëndimi beson se ligjet e reja do të mund të rrezikojnë liritë në këtë rajon dhe do ta dëmtojnë statusin e Hong Kongut si qendër lidere biznesore.