Ndërsa veturat avancojnë teknologjikisht, ato ua lehtësojnë hakerëve qasjen në informacionet personale të pronarit.
Një video e publikuar së fundmi nga kanali kanadezo-gjerman, YouTube Musk, tregon se si hakerët mund të kenë qasje në çdo model Tesla pa dijeninë e pronarit.
Së pari, duke përdorur një pajisje që mund të krijojë rrjet Wi-Fi, hakeri krijon atë që duket të jetë një rrjet publik për pronarët e Tesla-s, shkruajnë mediat e huaja.
Kur pronarët lidhin telefonin e tyre me rrjet, atyre u kërkohet të japin emailin dhe fjalëkalimin për të hyrë në llogarinë e tyre Tesla.
Pajisja e përdorur nga hakerët e kopjon këtë informacion dhe kodin e mëpasshëm të verifikimit, të cilin ata e përdorin për t’u identifikuar në llogarinë e pronarit të veturës.
Pasi këto detaje të ruhen në aplikacionin e telefonit të hakerëve, ata do të kenë qasje të plotë për ta ndezur veturën dhe për t’u larguar me të.
Por, ka të ngjarë që softueri i gjurmimit të vendndodhjes së Tesla-s të mbetet funksional, duke e bërë kështu më të lehtë gjurmimin e saj.
Ndryshe, Tesla e Elon Musk më parë ka mbajtur një ngjarje ‘Hackathon’ ku ka ftuar ekspertët e sigurisë kibernetike të hakojnë automjetet e saj, ndërsa përpiqet t’i mbrojë ato nga sulmet.