Rregullat e reja të Bashkimit Evropian do t’i rishkruajnë parimet themelore të të bërit biznes në internet dhe në telefona mobilë, duke e përmbysur mënyrën se si gjigantët teknologjikë fitojnë para dhe se si konsumatorët qasen në shërbimet që ata ofrojnë.

Akti për Tregjet Digjitale është një ndër ligjet më të rrepta në botë që merret me dominimin në treg të kompanive më të mëdha teknologjike të planetit, dhe ka për synim t’ua lehtësojë njerëzve kalimin në shërbime tjera konkurrente – siç janë platformat e mediave sociale, shfletuesit e internetit dhe dyqanet e aplikacioneve.

Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, në shtatorin e vitit 2023 caktoi 22 shërbime të kompanive të mëdha teknologjike si “roja” të shërbimeve online, dhe iu dha kohë atyre deri më 7 mars 2024 që të harmonizoheshin me rregullat e reja.

Kjo do të thotë që atyre do t’ju duhet t’i bëjnë aplikacionet e tyre për mesazhe ndërvepruese me ato të rivalëve, dhe t’i lënë përdoruesit të vendosin se çfarë aplikacione duan të instalojnë paraprakisht në pajisjet e tyre.

Ndër këto firma janë Alphabet (pronare e Google, YouTube e Android), Amazon, Apple, Meta (pronare e Facebook, Instagram e WhatsApp), Microsoft dhe ByteDance (pronare e TikTok).

I hedhim një vështrim mënyrave se si rregullat e reja mund të ndikojnë te secili shërbim.

Reklamat

Sipas Aktit të BE-së për Tregjet Digjitale, shërbimet e cilësuara “roja” tani duhet të marrin pëlqimin e qartë para se të gjurmojnë një përdorues për qëllime reklamuese.

Konsumatorët e bizneseve që përdorin shërbime të reklamave online, të ofruara nga Amazon, Google dhe Meta, do të kenë të drejtë t’i kërkojnë të dhënat e grumbulluara në lidhje me fushatat e tyre, një resurs i vlefshëm që shpesh është mbajtur i fshehur.

Dyqanet e aplikacioneve

Apple dhe Google do të detyrohen të ofrojnë hapësirë për dyqane aplikacionesh nga palë të treta në pajisjet e tyre me sistemin operativ iOS, përkatësisht Android.

Aktualisht, përdoruesit e pajisjeve me Android mund të instalojnë aplikacione nga burime alternative, por kjo shpesh i detyron ata t’i ndalin disa opsione të sigurisë. Apple ka paralajmëruar kundër instalimeve të tilla, për shkaqe sigurie.

Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar një “ortek dyqanesh alternative të aplikacioneve”, sapo rregullat e reja të nisin së zbatuari, me potencial për oferta ekskluzive – duke bërë që disa lojëra dhe aplikacione të ofrohen për shkarkim vetëm përmes dyqaneve të caktuara.

Ben Wood nga firma për analiza të industrisë, CSS Insight, ka thënë se bizneset e vogla, si dhe gjigantët si Amazon dhe Microsoft, mund të përpiqen t’i joshin konsumatorët dhe zhvilluesit te dyqanet e tyre të aplikacioneve.

Aplikacionet e parazgjedhura

Sikur në rastin e dyqaneve të aplikacioneve, konsumatorët më nuk do të mund të shtyhen drejt përdorimit të aplikacioneve të tjera të parazgjedhura në pajisjet e tyre – siç është shfletuesi i internetit Safari në iPhone, apo aplikacioni për harta Google Maps në një telefon me Android.

“Rojat” duhet t’u lejojnë përdoruesve të kalojnë më lehtë nga shërbimet e parazgjedhura në pajisjet e tyre – përfshirë dyqanin e aplikacioneve, shfletuesin e internetit, aplikacionin e hartave e të tjera – në alternativat e zgjedhura nga vetë ata. Për shembull, kjo mund t’ju ofrojë përdoruesve një “meny zgjedhjeje”, me një varg opsionesh, gjatë konfigurimit të pajisjes së tyre.

Tregtia online, motorët e kërkimit dhe rrjetet sociale

Shërbimeve të ndryshme, si tregut të Amazon-it, pasqyrës së përmbajtjes në Facebook, dhe motorit të kërkimit të Google-it, do t’u ndalohet favorizimi i shërbimeve dhe produkteve të tyre karshi alternative kur përdoruesit i përdorin ato.

Gjiganti i tregtisë online, Amazon, është përballur me hetime globale, pas akuzave se i ka favorizuar produktet e veta para atyre të shitësve të tretë që kanë përdorur platformën e tij.

Mesazhet

Sipas rregullave të reja të Aktit për Tregjet Digjitale, aplikacionet për mesazhe të shërbimeve “roja” më nuk do të jenë të izoluara nga njëri-tjetri.

BE-ja, deri më tani, i ka veçuar vetëm shërbimet Facebook Messenger dhe WhatsApp, që të dyja në pronësi të Meta-s. Sapo Akti të nisë së zbatuari, përdoruesit do të duhej të kenë mundësinë t’u dërgojnë mesazhe kontakteve në aplikacione të tjera – si Signal apo Telegram – nga këto platforma.

Zyrtarët janë aktualisht duke shqyrtuar nëse shërbimi iMessage i Apple-it duhet t’i shtohet listës.

Një hap i tillë do të përbënte një ndryshim të madh për gjigantin amerikan të teknologjisë, i cili ka dizajnuar një ekosistem të tërë produktesh – iPhone, iPad, kompjuterë Mac dhe të tjera – mbi bazën e bashkëveprimit të shkëlqyeshëm mes vete.