Nga TAHIR BEZHANI
REFLEKSION PËR LIRIKAT MEDTATIVE TË MAL HAZIRIT
Këto ditë doli nga botimi libri i parë me poezi,” Brigje, erëra e valë,” i poetit Mal Haziri nga Dushkaja e Gjakovës. Autori vjen nga një krahinë malore e cila i ka dhënë Kosovës disa autorë të respektuar në të gjitha gjinitë letrare.
Pamjet epike të Dushkajës, traditat e ruajtura me kujdes, fisnikëria, bujaria e atdhedashuria, kanë mbetur si trashëgimi epike ndër breza e posaçërisht tek krijuesit e kësaj ane, si Hasan Hasani, Skender Hoxha, e të tjerë poetë te mirënjohur.
Nga ky rreth vicioz nuk ka mundur të largohet as krijuesi Mal Haziri, i cili në veprën e vet te sapobotuar,” Brigje, erëra e valë” ka shkrirë talentin prej krijuesi me një elokuencë të rrallë, me një titull mjaft provokativ për jetën e secilit prej nesh.
Ndonëse autori i librit del për herë të parë me botim poetik të kompletuar, Mal Haziri si krijues, dashamirëve të fjalës së shkruar iu është i njohur prej kohësh. Ka botuar poezi e prozë në portale të ndryshme elektronike, gazeta e revista tjera të kohës. Është prezent në jetën kulturo-letrare, jo vetëm në Gjakovë por edhe në vende tjera të atdheut tonë shqipfolës.Si një edukator brezash me përvojë, Mal Haziri, ka shkëlqyer kudo me punën dhe veprën e vet ndër vite, duke treguar gjithë aftësitë personale e profesionale, si në luftë dhe paslufte. E gjithë përvoja jetësore e ka kalitur denjësisht në mënyrë që përjetimet e një periudhe të gjatë jetësore, t’i bartë në art, në artin e të shkruarit dhe brezave t’ua lërë veprën madhore në lexim ,si koherencë kohore…..
Mal Haziri ka shpërthyer fuqishëm në artin poetik, ku poezitë e tij të larmishme, kanë prekë të gjitha skutat e jetës njerëzore, duke lënë te secili lexues impresionin e figurës emblematike me veçori krijuese e njerëzore.
Cilat vlera krijuese veçohen në librin “Brigje, erëra e valë”
Natyrshëm, autori duke bartur në vete kohë të gjatë gjithë përvojën jetësore dhe sakrificat e saj, ato sikurse janë fshehur në thellësinë e shpirtit e mendjes vite të tëra dhe në fund kanë pëlcitur furishëm nga ajo strofull vuajtjesh, por tani, rrugëtojnë ndërgjegjshëm shtigjeve të zemrës e mendjes plot elan shpirtëror.
Mal Haziri,autor i librit”Brigje,erëra e valë”
Poetikisht me mendësinë e shpirtit, poeti qëndron i skajuar në kujtesën historike ndër shekuj, me vuajtjet e sakrificat, traditën, qëndresën, luftërat, gjakderdhjet e shumta, varfërinë, rezistencën, por nuk harron assesi, dashurinë, si nocion etik njerëzor, si unitet i pazëvendësuar jetësor. Të gjitha këto elemente poetike, të futura me zhdërvjelltësi në embrionin e vargut poetik, e bëjnë poetin Mal Haziri të jetë një krijues në qendër të vëmendjes së lexuesit tonë bashkohor.
Siç e dimë historikisht, në periudha kalimtare të letërsisë sonë, ka ngjarë që një krijues, me një vepër të ngelet gjatë në kujtesën e krijuesve të spikatur. Mendoj se kjo rastësi do jetë edhe me autorin e librit simptomatik, “Brigje,erëra e valë”, Mal Haziri. Për këtë mendim kurdoherë ka dëshmuar cilësia krijuese e jo sasia e veprave poetike .
Që në fillim të librit, lexojmë poezinë “Porosia” e cila në vete mban elementin edukativ si porosi imanente brezash, për arsyen e ndryshimeve që i nevojiten njerëzimit për ecje para, për evolucion në çdo formë të jetës. E si do e fillonte ndryshe një “amanet” nga një edukator brezash i cili gjithmonë ka spikaturme edukatë personale e shoqërore, kudo qe ka qenë prezent në shoqëri. Ja disa vargje:
” Të heqim /nga mendja/ mykun/ku ka zënë fill/lëmashku….Të lutem / për një botë re/ku do t’jetonim/ së bashku…”
Ndërsa, në poezinë “Tjetërsim”, vërejmë një urrejtje të skajshme nga uzurpatorët e shpirtit e të mendjes ,të cilët në historinë tonë nuk munguan kurrë, si në këto vargje: ”Kur ma zhbënë emrin/u këputa së qari/ nga zemra- kristal…/Sa varfëri shpirti shihja/e qesëndi hileqarësh/dikush ndiqte e unë fshija/gjurmë qenesh e zagarësh…” Sa i fuqishëm na vjen emocioni si shfryrje ndaj padrejtësive të përjetuara nëpër kohë.Elemente të ngjashmelexojmë në disa poezi të këtij libri me vlera.
Si te çdo krijues i mirëfilltë, tek Mal Haziri nuk tejkalohet motivi i dashurisë për vendlindjen, e cila i la kujtime të përjetshme e që të ndjekin pas gjithë jetën, si hije, deri në varr. E bukur është edhe poema e këtij libri kushtuar vendlindjes me titull “Poemë për Dushkajën”, në të cilën është shkrirë si në bronz, jeta fëmijërore me gjitha kujtimet e përjetuara. Mjaftojnë disa vargje nga kjo poemë për të shijuar zjarrin me fuqinë poetike të shprehur në vargje:
“Dushkajë, vargu im i zgjimit/kënga ime që s’mbaron/bulëza ime e lotit/Dushkajë ,trualli im i rrënjës/rreshka ime e plagës/o hijeshia ime e shtatit/ Dushkaja ime, motra e Drinit plak/Itaka e përhershme e kthimit…”
Kjo poemë argumenton, pos atdhedashurisë, edhe talentin dhe fuqinë shpirtërore poetike që ka poeti Mal Haziri.
Poetin e mirëfilltë, të ngarkuar me filozofinë e jetës, padyshim se e e shoqëron edhe vetmia, si faktor apo rrjedhë jete. Natyrshëm, edhe poetin Haziri, kur e zë ky fenomen, e përplas,si nëpër lëfytës fyelli, oxhakut nëpër tym e flakë dhe, detyrimisht,emocionet shëtisin pa frenim idileve shpirtërore.Këtë e vërejmë tek poezia “Vetmia” ku poeti rrëfen:
“Qaj e qaj,e qaj e qaj/ndjell furtunë shpirti/zhgrehur në shi….
Ndër poezitë më të bukura lexova poezinë “Zemër e teleisur”,një poezi antologjike e cila në thelb trajton aspektin filozofik të jetës kompleksive, ku njeriu shpesh gjendet para një gjendje ekstazë dilemash, veprimesh, rrugëtimesh “si një tel i vdekur çiftelie që bie esëll në mendje.…”
Një poezi emblematike tek e cila lexuesin do e surprizojëpadyshim spontaniteti i të shprehurit poetik. Përsiatje të tilla poetike ndeshemi edhe në disa poezi të këtij libri.
Duke pasur një galeri të pasur me dije në të gjitha fushat e jetës,me një zotësi prej krijuesi të formuar, me elegancë poetike ai gdhend kohët e ndryshimeve të mëdha politike, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë Evropën. Zhbërjen e etapës së komunizmit dhe ndryshimet në kohën e demokracisë, poeti i vargëzon me talent të rrallë si në poezinë “Përmbysje”:
“Çekani theu drapërin/çekani zuri ndryshk/e dorëza iu lëmyshk,/dhe u rrëzua flamuri/nga shtizë e thyer/…e rrëzua MURI”
Me poezinë “Gurë rrënjëthellë” poeti Haziri elaboron aspektin e qëndresës kombëtare karshi luftës, kaluar rrathëve të historisë sonë, ku në vargje të rrjedhshëm paraqet me pak fjalë, qartë nga aspekti historik:” …strehën e moçme ma dogjën/e trupin shpore e poqën/për t’ gjallë, kurrë nga aty/s’un me ndoqën”…
Librit poetik “Brigje, erëra e valë”, nuk i mungojë motive tëpërkushtuara familjare ku vë në shprehje me forcën e zemrës motivin amnorë, pastaj ndërgjegjshëm nuk i kalon as miq e shokë të mendjes e zemrës, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën e poetit Haziri.
Duke pasur parasysh fokusin e gjerë e gjithëpërfshirës të poetit Mal Haziri në librin e lartcekur, mund të them lirshëm se tek lexuesit është ofruar një libër me poezi të ndjeshme e bashkohore, i cili do jetë një pasuri në bibliotekat tona personale, shkollore e universitare.
Secili lexues e njohës i poezisë së mirëfilltë, pas leximit, ka se çfarë të shkruaj e të komentojë, sepse, sipas mendimit tim, është arritje e mirë në poezinë tonë më të re.
Gjakovë, 25 shkurt, 2024