100 ditë nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, nuk ka shenja se konfliktit po i afrohet fundi, madje ka shqetësime se ai mund të shtrihet edhe më gjerë në Lindjen e Mesme. Lufta filloi pasi persona të armatosur të grupit militant Hamas u futën në Izrael dhe kryen sulmin më vdekjeprurës në historinë e këtij vendi. Më pas Tel Avivi u kundërpërgjigj duke bombarduar dhe nisur një sulm tokësor në Gazë.

Gjithçka nisi pasi persona të armatosur të grupit militant u futën në Izrael dhe kryen sulmin më vdekjeprurës në historinë e këtij vendi. Ky sulm e kapi ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë së Izraelit plotësisht të papërgatitur duke rritur frikën për pasigurinë në vend, ndërsa dolën në pah detajet e masakrës nga militantët e Hamasit.

Sulmi vrau më shumë se 1200 njerëz, humbja më e madhe e jetëve në një ditë që nga themelimi i shtetit të Izraelit, në vitin 1948.

Përgjigja izraelite ishte e menjëhershme, duke filluar me bombardime sistematike ajrore dhe pasuar nga një ndërhyrje tokësore që së bashku kanë shkatërruar Gazën dhe kanë detyruar pothuajse 2 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Pothuajse 24 mijë palestinezë janë vrarë dhe 60 mijë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Tre muaj më vonë, trupat izraelite janë ende duke luftuar me militantët e Hamasit në rrënojat e Gazës dhe po kërkojnë për arkitektët e sulmit të tetorit, si Jahya Sinwar, udhëheqësi i Hamasit në Gazë dhe Mohammed Deif, udhëheqësi ushtarak i lëvizjes.

Shumica e spitaleve të Gazës janë shkatërruar, uria është një kërcënim në rritje dhe një krizë e tmerrshme humanitare kërcënon të përfundojë duke vrarë edhe më shumë banorë se ushtria izraelite.

Familjet e pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës filluan një tubim 24-orësh në Tel Aviv të shtunën mbrëma, duke i bërë thirrje qeverisë që të punojë më shumë për të kthyer në shtëpi të dashurit e tyre.

Mijëra njerëz u derdhën në “Sheshin e pengjeve” në Tel Aviv, një shesh përballë Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit që ka shërbyer si një pikë grumbullimi për aktivistët.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi të përkohshëm në nëntor, por 132 janë ende në Gazë.

Të tjerë protestues bënë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Izrael dhe bllokuan një autostradë kryesore të Tel Avivit, duke u përleshur me policinë që arrestoi dhe u përpoq të zmbrapste turmën. Protestues të tjerë u mblodhën pranë rezidencës private të kryeministrit Benjamin Netanyahu duke kërkuar largimin e tij nga detyra.

Njëqind ditë pas sulmit të Hamasit në Izrael, tani Gaza është kthyer në një gërmadhë. Pamjet me dron të xhiruara gjatë ditëve të fundit tregojnë përmasat e shkatërrimit në këtë territor.

Përpjekjet për të rënë dakord për një armëpushim deri më tani kanë dështuar dhe askush nuk e di fundin e këtij konflikti. Në të gjithë botën arabe, ka pasur zemërim për vrasjet dhe shkatërrimin e Gazës. Edhe Uashingtoni, aleati më i afërt i Izraelit, ka kërkuar përmbajtje.

Ndërkohë Afrika e Jugut ka ngritur një çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid, një akuzë që Tel Avivi e hedh poshtë si të pabazuar në fakte.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera kanë bërë thirrje për një ringjallje të një procesi për krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës, por qeveria e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu deri më tani nuk është përgjigjur.

Po ashtu në lojë tani janë futur edhe dy grupet e tjera militante, Hezbollahu në Liban dhe Huthi në Jemen. Të dyja këto grupe kanë mbështetjen e Iranit, një armik i betuar ndaj Izraelit. Po ashtu në lojë është dhe e ardhmja politike.