Në episodin e radhës të “Domenica In”, Anna Oxa ishte e ftuar përballë Mara Venier. Pasi nuk u prit në emisionin e festivalit të fundit të ‘Sanremos’, ku kishte marrë pjesë si konkurrente, këngëtarja foli për veten duke u ndalur në momente të ndryshme të karrierës së saj, në transformim dhe evolucionin e vazhdueshëm. Jeta e saj tashmë është në kontakt me natyrën, ku gjen veten dhe thelbin e saj të vërtetë, me të cilin rilidhet edhe përmes muzikës.
“Jam në mal, në natyrë të vërtetë, e rrethuar me bjeshkë e pemë”. Një zgjedhje që prezantuesja Mara Venier e cilësoi si drastike, por që këngëtarja e korrigjoi menjëherë: “Nuk është drastike, natyrën e kam gjithmonë pranë, jetesa në qytet është bërë e rëndë, të jetosh në natyrë është shumë më e pëlqyeshme për mua, natyra ka diçka të veçantë, nuk ke nevojë të thuash kush je, çfarë bën, natyra e di, dhe ti je i lirë ta perceptosh këtë heshtje që flet.”
Të jetuarit në këtë mënyrë i lejoi asaj të transferonte plotësisht emocionet e saj dhe t’i transformonte ato në diçka që i përshtatej vërtet qenies së saj.
Më në fund, Venier i rrëfeu asaj se kur e kishte lajmëruar se do ta kishte të ftuar, shumë i thanë se do të ishte e vështirë ta intervistonim: “Jam mësuar me këtë muhabet vulgar”, thotë këngëtarja që më pas shfrytëzon rastin për të shtuar një detaj për jetën e saj që pak e dinë:
“Askush nuk e di që kam lindur në një familje në Bari, babai im është shqiptar, pasi në kohën kur ishte Konventa e Gjenevës, unë nuk mund të isha italiane. Isha dhe jam shqiptare dhe është një gjë e rëndësishme, sepse jeta intensive që kisha ishte e një të huaji në Itali”, tha Anna Oxa.