Në luftën kundër Ukrainës, Rusia mund të mos ketë krijuar epërsi ushtarake në terren, por ka qenë e suksesshme në luftën elektronike. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Mariia Prus, Moska tani po përdor modelet e reja të teknologjisë së informacionit për të çaktivizuar dronët ukrainas dhe armët perëndimore me precizion të lartë.

Një video tregon forcat e Ukrainës teksa shkatërrojnë një sistem ‘Pol-21’që Rusia e përdor në kuadër të luftës elektronike ndaj Ukrainës. Sistemi rus bllokon sinjalet nga satelitët e navigimit, duke përfshirë sistemin e pozicionimit global GPS, tek i cili mbështetet ushtria ukrainase për të përmbushur synimet e saj për t’i bërë ballë flotës ajrore të Rusisë, raketave dhe artilerisë së saj.
Eksperti ushtarak amerikan Philip Karber vizitoi Ukrainën në nëntor dhe ishte në vijën e parë të frontit.

“Rusët kanë zhvilluar dhe po përdorin një sistem të ri të luftës elektronike. Dhe në të paktën një pjesë të vijës së frontit, është rreth 40% efektive. Në thelb sistemi jep informacion të rremë për vendndodhjen e rusëve. Pra, ushtria nuk po godet aty ku gjenden realisht trupat ruse”, shprehet Phillip Karber President i Fondacionit Potomac.

James Lewis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Rusia – historikisht ka patur aftësi të mira në luftën elektronike.

“Të gjitha gjërat që keni dëgjuar për Rusinë janë të vërteta. Trupat e tyre janë të stërvitura keq; janë të pajisura keq; nuk kanë aftësi të mira planifikuese. Megithatë, për një element ato që keni dëgjuar nuk qëndrojnë. Dhe është lufta elektronike. Rusët janë të fortë në luftën elektronike”.


Bryan Clark nga Instituti Hudson thotë se Rusia filloi përdorimin e luftës elektronike rreth gjashtë muaj pasi sulmoi Ukrainën.

“Duke bllokuar GPS-in, komunikimet radiofonike, rusët po krijojnë vështirësi për trupat ukrainase, që këto të fundit të mos jenë në gjendje të koordinohen, sepse radiot e tyre ndonjëherë nuk funksionojnë. Dhe dëmi më i madh i bëhet sistemit GPS, sepse shumica e armëve ukrainase janë të telekomanduara”.

Megjithatë, Ukraina ende po mëson se si të përdorë luftën elektronike.

“Ukraina ka përdorur të njëjtat teknika në mënyrë shumë efektive kundër Rusisë dhe ata po ndërtojnë sisteme të reja për të patur rezultate më të mira”, shprehet Bryan Clark nga Instituti Hudson.

Ekspertët thonë se sanksionet po e detyrojnë Rusinë të përdorë teknologjitë e saj, ndërsa Ukraina ka qasje në bizneset e reja private, kompanitë e huaja dhe teknologjitë perëndimore.

Sipas një studimi britanik vitit 2022, në muajt e parë të luftës, përmes luftës elektronike Rusia çaktivizoi rreth 90% të të gjithë dronëve ukrainas dhe ndërhyri në mënyrë të konsiderueshme në aktivitetin e aviacionit. Dhe për më tepër, sulmi rus ndaj Ukrainës e ka kthyer vëmendjen e botës te lufta elektronike.

“Të paktën në pikëpamjen ushtarake, ekziston vetëdija se në këtë aspekt duhet të jemi në gjendje të luftojmë dhe të tejkalojmë kundërshtarët tanë, të tejkalojmë Rusinë”, shprehet James Lewis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në paketat e fundit të ndihmës për Ukrainën, vendet perëndimore e kanë furnizuar Ukrainën me sisteme të luftës elektronike. Megjithatë, ekspertët këshillojnë Ukrainën dhe NATO-n që të investojnë më shumë në zhvillimin e sistemeve elektronike që mund të rrëzojnë ato të Rusisë.

“Është një situatë shumë dinamike ku teknologjia ndryshon me të vërtetë mjaft shpejt, dhe unë mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjnë Ukraina dhe partnerët e saj është të vazhdojnë të përshtaten, të vazhdojnë të investojnë në identifikimin, analizimin dhe më pas kundërpërgjigjen për pajisjet ruse, thekson zoti Lewis .

Sipas tij zhvillimet lidhur me lufën elektronike ndiqen nga afër, jo vetëm nga NATO-ja, por edhe nga Kina.