Lideri socialist Costa është kryeministër që nga viti 2015
Portugalia mbajti zgjedhjet e parakohshme për herë të fundit në janar 2022
Antonio Costa, kryeministri i Portugalisë përfundoi papritur tetë vitet e tij pas hetimeve mbi korrupsionin e mundshëm të qeverisë që përfshin projektet e litiumit dhe hidrogjenit.
Dorëheqja erdhi të martën pasi policia bastisi vende duke përfshirë zyrat e përdorura nga shefi i kabinetit të kryeministrit, si dhe ministria e mjedisit dhe ministria e infrastrukturës, raporton” Bloomberg”.
Costa, 62 vjeç, ka qenë kryeministër që nga viti 2015 dhe renditet ndër liderët më jetëgjatë në samitet e Bashkimit Evropian. Në një konferencë për shtyp në Lisbonë, ai tha se ka një “ndërgjegje të pastër” dhe është “plotësisht i gatshëm” për të bashkëpunuar me hetimin. Ai shtoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme që presidenti portugez tani ka të ngjarë ti thërrasë.
“Kam kuptuar se dinjiteti i funksionit të kryeministrit nuk përputhet me dyshimin për ndonjë vepër penale, prandaj padyshim që kam paraqitur dorëheqjen time”, tha Costa.
Costa drejtoi një qeveri socialiste të mbështetur nga një shumicë absolute në parlament. Ndërsa ai kishte gjithë atë mbështetje nga ligjvënësit, gjatë vitit të kaluar ai është përballur nga sfida të tjera, duke përfshirë rritjen e kostove të jetesës, protestat e mësuesve dhe polemikat në lidhje me kompaninë ajrore shtetërore TAP SA, të cilën qeveria planifikon ta privatizojë.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa do të mbajë një takim të enjten me Këshillin e Shtetit, një organ këshillimor që duhet të konsultohet përpara se të shpërndajë parlamentin dhe ai do t’i drejtohet vendit menjëherë më pas. Presidenti ka autoritetin të emërojë kryeministrin dhe të përcaktojë një datë për zgjedhjet.
Kur parlamenti u shpërnda në fund të tetorit 2021, zgjedhjet e parakohshme u mbajtën rreth tre muaj më vonë.
Udhëheqësi socialist
Ndërsa fundi i mandatit të Kostës ishte një tronditje, nuk është ende e sigurt që Partia e tij Socialiste do të përfundojë në opozitë pas zgjedhjeve të parakohshme. Një sondazh i publikuar nga Diario de Noticias më 29 tetor tregoi 28.6% mbështetje për socialistët, 3.7 pikë përqindje përpara PSD, partia e qendrës së djathtë që është grupi më i madh opozitar në parlament. Partia e ekstremit të djathtë Chega është grupi i tretë më i madh në parlament dhe kishte 14.6% mbështetje në sondazh.
Aksionet portugeze ranë të martën, me indeksin standard PSI që ra 2.5%.
Më herët të martën, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Portugez tha në një deklaratë për shtyp se Vitor Escaria, shefi i shtabit të kryeministrit, ishte në mesin e pesë personave të arrestuar si pjesë e një hetimi në vazhdim lidhur me koncesionet e kërkimit të litiumit në minierat Romano dhe Barroso në Portugalinë veriore, një projekt prodhimi hidrogjeni në portin e Sines dhe një projekt qendre të dhënash, gjithashtu në Sines.
Referencat e bëra nga të dyshuarit për ndërhyrjen e kryeministrit Costa për të “zhbllokuar” disa procedura do të analizohen veçmas në një hetim në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë, tha prokurori.
Ashtu si shumë vende të tjera, Portugalia është përpjekur të nxisë prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe të zvogëlojë varësinë nga karburantet fosile. Investimet në projektet e hidrogjenit dhe energjisë së rinovueshme ishin ndër pikat kryesore në planin e rimëkëmbjes nga pandemia në Portugali. Qeveria madje kishte një ambicie për të eksportuar hidrogjen të prodhuar nga energjia e rinovueshme.
Ndërsa ekonomia po rimëkëmbet që nga pandemia, rritja është nën presion. Banka e Portugalisë shkurtoi muajin e kaluar parashikimin e saj për ekonominë e vendit për tre vitet e ardhshme, duke përmendur eksportet më të dobëta dhe ndikimin e rritjes së normave të interesit.