Komisioni Evropian të mërkurën miratoi Pakon e Zgjerimit 2023, duke ofruar një vlerësim të detajuar të gjendjes dhe progresit të bërë nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe për herë të parë edhe nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia në rrugët e tyre përkatëse drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, dhënien e statusit kandidat Gjeorgjisë, si dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me BeH, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë.
Në veçanti, raporti fokusohet në progresin në zbatimin e reformave themelore, si dhe në dhënien e udhëzimeve të qarta për prioritetet e reformave të ardhshme.
“Anëtarësimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, plotësisht i varur nga progresi objektiv i arritur nga secili vend”, thuhet në pakon e zgjerimit.
Ballkani Perëndimor – Çfarë thotë Pakoja e Zgjerimit
Kosova mbeti e përkushtuar në rrugën e saj evropiane. Vendi vazhdoi të përafrohet plotësisht vullnetarisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke përfshirë dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe miratimin e masave kufizuese kundër saj. Periudha raportuese dëshmoi arritje legjislative, duke përfshirë një reformë të rëndësishme zgjedhore. Megjithatë, duhet bërë më shumë punë, duke përfshirë planin e veprimit për reformat në drejtësi. Më 1 janar 2024 do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën.
Situata në veri të Kosovës është prekur nga disa kriza, ku e fundit ishte sulmi i dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, teksa është arritur një marrëveshje në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Kosova dhe Serbia ende nuk e kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë të detyrueshme për palët dhe pjesë kyçe e rrugëve të tyre evropiane.
Mali i Zi – Progresi në reformat e anëtarësimit në BE është kryesisht i ngecur, pasi që Mali i Zi ka vuajtur nga polarizimi i thellë dhe paqëndrueshmëria politike në periudhën raportuese. BE-ja mirëpret konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë, e cila ne presim të demonstrojë me shpejtësi kapacitetin dhe përkushtimin e saj për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së, si dhe të zbatojë reformat në lidhje me anëtarësimin në BE.
Përgjithësisht, progresi në negociatat e anëtarësimit do të varet nga reformat në fushën e sundimit të ligjit (d.m.th. përmbushja e standardeve të përkohshme të përcaktuara në kapitujt 23 dhe 24). Mali i Zi vazhdon të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët të Sigurisë së Jashtme.
Serbia vazhdoi zbatimin e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE, duke përfshirë edhe në fushën e sundimit të ligjit. Serbia filloi zbatimin e amendamenteve kushtetuese të vitit 2022 për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit, si dhe miratoi legjislacionin e ri për media. Zbatimi i këtij ligji për media mund ta përmirësojë ndjeshëm mjedisin rregullator.
Megjithatë, do të nevojiten ndryshime të mëtejshme për të qenë plotësisht në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane. Serbia duhet të përmirësojë, si çështje prioritare, përafrimin e saj me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe deklaratat ndaj Rusisë. Nevojitet gjithashtu punë e mëtejshme dhe angazhim politik për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit. Vlerësimi i Komisionit mbetet se Serbia i ka përmbushur teknikisht standardet për hapjen e grupit 3 (konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse).
Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës të 24 shtatorit dhe sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, teksa është arritur një marrëveshje në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosova ende nuk e kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë të detyrueshme për palët dhe pjesë kyçe e rrugëve të tyre evropiane.
Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht se anëtarësimi në BE mbetet qëllimi i tyre strategjik. Maqedonia e Veriut ka vazhduar të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Vendi ka arritur gjithashtu progres deri diku në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e migracionit.
Si vend negociues, Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e administratës publike, duke përfshirë menaxhimin e financave publike dhe prokurimin publik. Maqedonia e Veriut është zotuar t’i lansojë dhe t’i arrijë ndryshimet relevante kushtetuese si çështje prioritare, me synimin që t’i përfshijë qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë. Ka pasur mbarëvajtje të procesit të shqyrtimit të acquis të BE-së dhe autoritetet kanë treguar nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti Këshillit raportet e shqyrtimit për grupin themelor për Maqedoninë e Veriut në korrik dhe pret përcjellje të shpejtë, me synimin për hapjen e negociatave për këtë grup deri në fund të vitit.
Shqipëria vazhdoi të demonstronte vendosmërinë e vet për të zbatuar reformat e BE-së dhe për të arritur progres në reformat e “grupit themelor”. Përafrimi i vazhdueshëm dhe i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së ishte gjithashtu një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike të vendit për anëtarësim në BE.
Nevojiten përpjekje të mëtejshme për lirinë e shprehjes, çështjet e pakicave dhe të drejtat pronësore, si dhe në fusha kyçe të sundimit të ligjit, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka pasur mbarëvajtje të procesit të shqyrtimit të Acquis të BE-së dhe autoritetet kanë treguar nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti Këshillit raportet e shqyrtimit për grupin themelor për Shqipërinë në korrik dhe pret përcjellje të shpejtë. Ai synon që deri në fund të vitit të hapë negociatat e anëtarësimit për grupin 1 (themeloret).
Bosnjë dhe Hercegovina – Kur bëhet fjalë për Bosnjë dhe Hercegovinën, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë dhe Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit.
Vendi duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të përmbushur prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin për anëtarësim në BE. Komisioni do ta monitorojë vazhdimisht progresin dhe pajtueshmërinë në të gjitha fushat që lidhen me hapjen e negociatave dhe do t’i raportojë Këshillit më së voni në mars 2024.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, statusi i kandidatit i marrë vitin e shkuar solli një dinamikë pozitive shumë të nevojshme. Qeveria e re është krijuar me shpejtësi pas zgjedhjeve dhe ka filluar të realizojë reforma, veçanërisht përmes amendamenteve që vendosin kontrollin e integritetit në gjyqësor. Megjithatë, kërkohen përpjekje të mëtejshme. Kjo përfshin miratimin e reformave të rëndësishme të sundimit të ligjit dhe gjyqësorit, si dhe përparimin me reformat kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat janë prioriteti më i madh për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Është gjithashtu e rëndësishme të ruhet rendi kushtetues i vendit.
Masat secesioniste dhe autoritare të prezantuara në entitetin e ‘Republika Srpska’ nuk janë në përputhje me rrugën e BE-së. Kërkohen përpjekje të mëtejshme që Bosnjë dhe Hercegovinë t’i përmbushë prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin për anëtarësim. Prandaj, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe Hercegovinën, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit.
Po çfarë thotë Pakoja e Zgjerimit për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë?
Në raport bëhet e ditur se Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, dhënien e statusit kandidat Gjeorgjisë.
Marrë parasysh rezultatet e arritura nga Ukraina dhe Moldavia, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për reforma, Komisioni i ka rekomanduar që Këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit me të dyja vendet.
Për më tepër, Komisioni rekomandon që Këshilli të miratojë kornizat e negociatave pasi Ukraina dhe Moldavia të kenë miratuar disa masa kyçe. Komisioni është i gatshëm t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për progresin në lidhje me këto masa.
Në rastin e Gjeorgjisë, marrë parasysh rezultatet e arritura, Komisioni rekomandon që Këshilli t’i japë Gjeorgjisë statusin e një vendi kandidat duke e kuptuar se janë ndërmarrë një sërë hapash.
Pakoja e Zgjerimit për Turqinë
Turqia mbetet një partner kyç për Bashkimin Evropian dhe një vend kandidat, por negociatat e anëtarësimit mbeten të ngecura që nga viti 2018, në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian.
Vendi nuk e ka përmbysur trendin negativ të largimit nga Bashkimi Evropian dhe reformat e lidhura me anëtarësimin i ka kryer në shkallë të kufizuar. Bashkëpunimi me Turqinë në fusha me interes të përbashkët vazhdoi në fusha esenciale si lufta kundër terrorizmit, ekonomia, energjia, siguria ushqimore, migrimi dhe transporti.
Turqia duhet të ndërmarrë hapa të vendosur për të përmirësuar ndjeshëm përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe për të rritur bashkëpunimin për parandalimin dhe zbulimin e anashkalimit të masave kufizuese. Pas marrjes së detyrës nga Këshilli Evropian, Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioni do t’i paraqesin Këshillit, në muajin nëntor, një raport për gjendjen e marrëdhënieve BE-Turqi, duke u mbështetur në instrumentet dhe opsionet e identifikuara nga Këshilli Evropian dhe me synimin për të vazhduar në mënyrë strategjike dhe largpamëse.
Hapat vijues
Tani i takon Këshillit t’i marrë parasysh rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime për hapat vijues në procesin e zgjerimit.