Ballina Bota 2023 – Viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor në 15 vjet

2023 – Viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor në 15 vjet

Me sulmet e përditshme të forcave izraelite në javët e fundit ndaj qyteteve palestineze, të cilat kanë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit dhe arrestimin e personave të lidhur me këtë grup, dhuna është përshkallëzuar edhe në Bregun Perëndimor. Që nga 7 tetori, më shumë se 120 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite dhe kolonët hebrenj. Shumica e të vrarëve kanë qenë anëtarë të grupeve të armatosura që vepronin në Bregun Perëndimor. Por, të dhënat e publikuara nga OKB-ja tregojnë se afër 30 për qind e viktimave kanë qenë fëmijë.

Në kampin e refugjatëve në Xhenin, një qytet që ndodhet në Bregun Perëndimor, fëmijët luajnë me lodra plastike, që u ngjajnë armëve, në zonën, ku disa orë më parë forcat izraelite kishin vrarë dy luftëtarë të grupit Xhihadi Islamik.

Disa nga fëmijët pretendojnë se po qëllojnë me armë në ajër për të nderuar shokët e rënë në luftë.

“Nuk kam frikë, frikësohem vetëm nga Zoti.”

Sipas të dhënave të OKB-së, ky është viti më vdekjeprurës në 15 vjet në Bregun Perëndimor. Më shumë se 120 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, në të cilin u vranë 1400 izraelitë. Ky sulm shkaktoi luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Shumica e palestinezëve janë vrarë nga forcat izraelite gjatë operacioneve në kampet e refugjatëve për arrestimin e personave të dyshuar për lidhje me Hamasin.

Është rritur edhe numri i të vrarëve palestinezë nga sulmet e kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, në fshatin e Nablusit, të paktën pesë palestinezë janë vrarë nga kolonët hebrenj në dy javët e fundit.

Çdo ditë vendosen njoftime të reja me emra të viktimave palestineze në shtyllat elektrike dhe muret e shtëpive në qytetet palestineze. Duke marrë parasysh përshkallëzimin e tensioneve, shumë banorë këtu besojnë se lufta po afrohet sërish në Bregun Perëndimor.