Izraeli ka zgjeruar operacionet ushtarake me trupa tokësore në Rripin e Gazës. Kryeministri izraelit, Netanjahu foli për “fazën e dytë të luftës” dhe përgatiti popullin për një luftë të gjatë dhe të vështirë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e ka cilësuar operacionin ushtarak me trupa tokësore në Rripin e Gazës si fazën e dytë të luftës. Qëllimi është që “të shkatërrohen aftësitë e Hamasit dhe të kthehen qytetarët e marrë peng”, tha Netanjahu në një konferencë për shtyp. Vendimin për zgjerimin e operacionit tokësor e mori qeveria e emergjencës njëzëri. “Megjithatë jemi në fillim”, theksoi Netanjahu. Lufta do të “jetë e vështirë dhe e gjatë”. “Pas lufte do të duhet të japim përgjigje për të gjitha pyetjet e vështira, përfshirë edhe mua.”
Sipas të dhënave të veta, ushtria izraelite depërtoi me trupa tokësore në veriun e Rripit të Gazës. Trupat tokësore kanë qëndruar aty, ndryshe nga ditët e fundit. Në këtë operacion marrin pjesë infanteria, trupat e tankeve, trupa inxhinierike dhe artileria. Do të rriten sulmet ndaj objektivave nëntokësorë dhe infrastrukturës së Hamasit, të kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, Gjermania, BE e disa vende arabe. Më parë ushtria izraelite kishte ndërmarrë aksione të veçuara, të kufizuara në kohë. Para tre javësh, Hamasi militant islamik sulmoi Izraelin dhe vrau 1400 vetë e mori më shumë se 200 pengje.
Netanyahu: Do të bëjmë gjithçka për lirimin e pengjeve
Ne do të përdorim çdo mundësi për të “risjellë motrat dhe vëllezërit tanë të rrëmbyer në krahët e familjeve të tyre”, theksoi kryeministri izraelit. Më parë Netanjahu ishte takuar me familjet e viktimave. Përfaqësues të të afërmeve kërkuan në fund një këmbim të të burgosurve. Izraeli duhet të lejojë lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite në këmbim për pengjet izraelite. Sipas Netanjahut në kabinetin qeveritar është diskutuar ideja e këmbimit të të burgosurve palestinezë me pengjet.
Një zëdhënës i Hamasit militant-islamist ishe shprehur më parë, se pengjet do të lirohen, nëse Izraeli liron të gjithë të burgosurit palestinezë. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha në një konferencë shtypi, se nuk kalon asnjë moment, në të cilin ai nuk mendon për pengjet. Por kthimi i tyre është një detyrë komplekse. Sa më shumë presion ushtarak të ushtrojë Izraeli, aq më i madh është shansi që kjo detyrë të përmbushet, tha Gallant. “Hamasi po përjeton tani tronditje që nuk i ka parë kurrë më parë.”/lla/tgsch