Kryeministri kroat Andrej Plenković u shpreh sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Zagreb se sulmi në veri të Kosovës nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Kur të bëjnë propozimin do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët, të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës, ka qenë diçka e papranueshme dhe është një mesazh, i cili nuk kupton identifikimin e plotë me veprën e bërë dhe kjo është diçka që nuk ka qenë asesi e mirë, dhe jam i sigurt që në ditët në vijim, në bazë të analizës së detajuar, pasi duam të jemi tërësisht të informuar mbi atë se çfarë ka ngjarë, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj çfarë kemi përmendur”, u shpreh ai.
Plenković u shpreh se Komisioni Europian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh.
“Këto masa janë ndërmarrë edhe pa obligimin e aprovimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë disa prej masave, të cilat në mënyrë autonome ndërmerren nga ana e Komisionit Europian. Çfarë pritet tani është që i dërguari special dhe bëhet fjalë për të ish-ministrin e Punëve të Brendshme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, i cili është më se drejtpërdrejt i përfshirë së bashku me tërë shërbimin e politikës së jashtme të drejtuar nga zoti Josep Borrell, do të bëjnë një propozim”, tha ai.