Nga veriu në jug, në plazhe, në mal, në qytetet historike, në bare e restorante, kudo, ndeshesh me turistë nga kombe të ndryshme. Shqipëria po përjeton vitin më të mirë të turizmit, me shifra rekord që nuk i ka përjetuar ndonjëherë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifër rekord kanë shënuar edhe për vizitorët e huaj për muajin gusht në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT kanë hyrë mbi 2 milionë turistë të huaj, ose 18.3% më shumë sesa gushti i një viti më parë që hynë rreth 1.7 milionë turistë të huaj.

Sipas INSTAT, në Gusht 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1 milion e 951 mijë shtetas ku mbizotërojnë ata nga Evropa Jugore, pasuar nga Amerika me rreth 40 mijë turistë të huaj, dhe Azia Lindore/Paqësori, me mbi 12 mijë shtetas.

Të dhënat e Ministrisë së Turizmit tregojnë se numri i vizitorëve nga Kosova, mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar. Këtë vit, për herë të parë italianët kaluan të dytët me rreth 10%, të totalit të turistëve të ndjekur nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por dhe turistët nga Polonia, Gjermania, Spanja dhe Franca kanë pësuar rritje.

Gjatë vitit 2023, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.