Kryeministri britanik, Rishi Sunak po mendon të prezantojë një nga masat më të rrepta kundër pirjes së duhanit në botë, e cila në mënyrë efektive do të ndalonte fare brezin e ardhshëm të blejë cigare.

Burimet e Whitehall thanë se kryeministri po shqyrtonte masa të ngjashme me ato të prezantuara nga Zelanda e Re.

Këto përfshijnë rritjen e përhershme të moshës ligjore për pirjen e duhanit në mënyrë që duhani të mos i shitet askujt të lindur pas 1 janarit të vitit 2009.

Një politikë e stilit të Zelandës së Re pa duhan do të nënkuptonte heqjen e plotë të cigareve për brezat e rinj, raporton “The Guardian”.

Nën ish-kryeministren Jacinda Ardern, Zelanda e Re miratoi gjithashtu ligje për të reduktuar përmbajtjen e nikotinës në produktet e duhanit dhe ato të shiten vetëm në dyqane të specializuara të duhanit, në vend të dyqaneve dhe supermarketeve të zakonshme.

Laburistët kanë thënë më parë se janë duke u konsultuar për heqjen graduale të shitjes së cigareve për të rinjtë në mënyrë të ngjashme me Zelandën e Re, dhe ministri në hije i shëndetësisë, Wes Streeting, tha në janar se donte të zbulonte nëse kishte një “vullnet për ndryshim”.

Politikat në shqyrtim janë pjesë e fushatës së re të ekipit të Sunak që synon konsumatorët përpara zgjedhjeve.