Aktorja e njohur amerikane, Angelina Jolie, ka njoftuar së fundmi se ka publikuar librin e saj “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkoni ato”, edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Këtë e ka bërë me dije përmes një njoftimi në Instagram në gjuhën shqipe. Libri i saj është publikuar edhe në Poloni, Rumani dhe Moldavi. E për krejt aktivistët që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, Jolie thotë se u dërgon respektin më të madh.

“Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë.

Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi, dhe ua dërgoj respektin tim të gjithë aktivistëve/eve që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në rajon dhe që përdorin të drejtën e tyre të jenë të zëshëm”, ka shkruar Jolie në Instagram.