Bashkimi Europian ka ulur parashikimin e tij për rritjen ekonomike këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke thënë se inflacioni po dëmton rëndë gatishmërinë e njerëzve për të shpenzuar në dyqane – ndërkohë që normat e larta të interesit po kufizojnë ndjeshëm kredinë e nevojshme për investime dhe blerje.
Parashikimi i rishikuar të hënën nga Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, vjen ndërsa frika nga recesioni rritet dhe ndërsa Banka Qendrore Europiane përballet me një vendim kyç këtë javë nëse do të vazhdojë të rrisë më tej normat, të cilat synojnë marrjen nën kontroll të inflacionit.
20 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro pritet të rriten me 0.8% këtë vit, nga 1.1% që ishte parashikuar nga parashikimi i pranverës, tha komisioni.
Ndërsa për vitin e ardhshëm, parashikimi për rritjen ekonomike është ulur në 1.3% nga 1.6% që ishte më parë.
“Dobësia në kërkesën e brendshme, në veçanti konsumi, tregon se çmimet e larta të konsumit dhe që vijojnë të rriten për shumicën e mallrave dhe shërbimeve po marrin një taksë më të rëndë se sa pritej,” thuhet në deklaratën e Komisionit.
Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Paolo Gentiloni, tha në një konferencë shtypi se “dobësim i mëtejshëm në muajt e ardhshëm” ishte parashikuar pasi ekonomia përballet me shumë sfida.
Një tjetër pasiguri është se sa larg do të shkojë BQE me normat e interesit, kredia më e shtrenjtë frenon rritjen ekonomike në disa fusha si pasuritë e paluajtshme, por nëse normat më të larta arrijnë të ulin inflacionin, kjo do të rriste fuqinë e shpenzimeve të konsumatorëve.
Frika nga recesioni është rritur edhe pasi eurozona kaloi dimrin pa një të tillë, duke regjistruar rritje të vakët prej 0.1% në dy tremujorët e parë të këtij viti.
Një faktor kyç në dobësimin e ekonomisë në Europë ka qenë Gjermania, ekonomia e së cilës e orientuar drejt prodhimit dhe eksportit është goditur nga çmimet më të larta të energjisë dhe ngadalësimi i kërkesës në Kinë, një partner kryesor tregtar.
Komisioni uli parashikimin e tij për ekonominë më të madhe të Europës këtë vit në minus 0.4%.
Gjermania është e vetmja ekonomi e madhe që pritet të tkurret këtë vit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon një rënie prej 0.3%.
Megjithatë, gjendja e ekonomisë më të madhe të eurozonës nuk i ngjan një recesioni tipik, sepse papunësia është në nivele rekord të ulëta dhe pagat gradualisht po arrijnë fuqinë blerëse të humbur nga inflacioni, ndërsa punëtorët po kërkojnë dhe marrin më shumë.
Çmimet e energjisë kanë rënë që nga kulmi i tyre lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, ndërsa inflacioni i ushqimeve vazhdon të bjerë. Inflacioni vjetor ishte 5.3% në korrik, nga kulmi prej 10.6% në tetor.
Eurozona pësoi goditje të dyfishta nga pushtimi i Ukrainës dhe pandemia COVID-19.
Rusia ndërpreu pjesën më të madhe të gazit të saj natyror në Europë, duke i çuar çmimet në qiell.
Rimëkëmbja ekonomike nga pandemia i çoi në rritjen e çmimeve të konsumit pasi kërkesa për mallra krijoi pengesa në furnizimet e lëndëve të para dhe pjesëve, të cilat tani kryesisht janë lehtësuar.
Çmimet më të larta u regjistruan fillimisht te ushqimet dhe më pas te shërbimet, një kategori e gjerë që varion nga prerja e flokëve dhe qëndrimi në hotel deri te trajtimet mjekësore dhe riparimet e makinave.
Perspektivat e dobësimit të rritjes ekonomike kanë bërë që disa ekonomistë të parashikojnë se Banka Qendrore Europiane mund të shmangë rritjen e normave të interesit të enjten pas nëntë rritjeve radhazi.
Presidentja e BQE-së Christine Lagarde ka thënë se vendimi është i hapur dhe do të merret bazuar në të dhënat e disponueshme. Në pak më shumë se një vit, banka qendrore ka rritur normën e saj standarde të depozitave nga minus 0.5% në 3.75%, ritmi më i shpejtë që nga fillimi i monedhës euro në 1999.
Ulja e vlerësimit në parashikimin e BE-së vjen pasi euro tregtohet më e ulët kundrejt dollarit amerikan – në 1.07 dollarë, nga rreth 1.12 dollarë në fund të korrikut.
Një arsye është rritja e vazhdueshme e dollarit, i cili ka shënuar rritje ndaj monedhave të tjera kryesore për tetë javë rresht, pasi tregu gjithnjë e më shumë sheh dobësi ekonomike në Kinë dhe Europë në vend të SHBA.
Një euro më e dobët mund të komplikojë jetën për BQE-në duke rritur çmimin e mallrave të importuara – të tilla si energjia – që kanë çmime në dollarë. Nga ana tjetër, i bën eksportet europiane më konkurruese në çmim./ “The Associated Press”