Ballina Kryesore Si të ruani dhe të ngrini fiqtë për t’i konsumuar në çdo...

Si të ruani dhe të ngrini fiqtë për t’i konsumuar në çdo stinë

Fiku është një frut, përtypja e të cilit është një festë shijesh dhe ëmbëlsie.

Tuli i fikut, lëkura e butë dhe farat krokante e bëjnë këtë frut ideal për çdo stinë.

Ndonëse fiku i freskët është ekskluzivitet i stinës së verës, kjo nuk duhet të na ndalojë ta shijojmë edhe në ditët e ftohta të dimrit.

Fiqtë e Shqipërisë mbushin tezgat e tregjeve që nga Qershori deri në Shtator.

Ky i fundit është koha perfekte për marrjen e masave dhe ruajtjen e fiqve edhe për stinën e dimrit.

Ngrirja e tyre nuk ka nevojë për shumë mund apo teknikë.

Ndonëse nuk është e nevojshme të përdorni acid, sugjerohet përdorimi i lëngut të limonit për ruajtjen e ngjyrës dhe ruajtjen e cilësisë së lartë të fikut.

Ngrirja e frutit është një mënyrë e mirë për ta përfshirë atë në receta të ndryshme, duke qenë se fiku përshtatet me shumë aroma të larmishme.

Pas shkrirjes, fiku duhet kulluar mirë sepse ka tendencën të bëhet i qullët.

AgroWeb.org do t’ju tregojë për mënyrën më të lehtë për ngrirjen e fikut në 5 hapa të vetëm.

Ngrirja e fiqve të freskët

Hapi 1

Lajini fiqtë e freskët me ujë të ftohtë e të bollshëm.

AgroWeb.org ju udhëzon të zgjidhni kokrrat e forta dhe jo shumë të pjekura. Fiqtë e butë dhe të tejpjekur nuk ngrijnë mirë.

Hapi 2

Thajini me një peshqir dhe vendosini mbi një letër pjekjeje.

AgroWeb.org ju këshillon që fiqtë duhen vendosur rreth 12 milimetra larg njëri tjetrit.

Hapi 3

Vendoseni letrën e pjekjes në zonën e ngrirjes dhe lërini fiqtë të ngrijnë plotësisht për 2 deri në 4 orë.

Hapi 4

Hiqini fiqtë me kujdes nga letra dhe vendosini në qese plastike për ngrirje.

Hapi 5

Qeset vendosini në ngrirje për deri në tre muaj. Për përdorim hiqini nga ngrirja dhe vendosini në sirtarët e poshtëm të frigoriferit që të shkrihen ngadalë.