Ballina Kryesore Një shqiptare mahnit publikun e “The Voice Australia”, Rita Ora e përshëndet...

Një shqiptare mahnit publikun e “The Voice Australia”, Rita Ora e përshëndet në shqip

Sihana Haxhnikaj ishte shqiptarja nga Kosova e cila konkurroi për t’u bërë pjesë e “The Voice Australia”.

Mes pjesëtarëve të jurisë ishte dhe Rita Ora. Pikërisht ajo vendosi të shtypë butonin dhe të marrë në skuadrën e saj 16-vjeçaren e cila u shpreh se muzika ka qenë një pasion që prej moshës 4-vjeçare, ndërsa ka qenë Rita Ora ajo që e ka frymëzuar të ngjitet në skenë dhe të performojë.

Rita e pyeti vajzën për emrin duke i thënë se i tingëllonte i dëgjuar dhe në momentin që ajo tregoi origjinën, ajo vendosi të përshëndesë shqip dhe familjarët e vajzës.

Rita: “Si quhesh?”

Sihana: “Sihana Haxhnikaj”

Rita: “Më duket si emër i njohur. Nga je?”

Sihana: “Jam nga Kosova”

Rita: “O Zot, edhe unë prej atje vi. S’ka mundësi! A je rritur këtu?”

Sihana: “Po”

Më pas Rita “ia grahë” në shqip, duke e quajtur Sihanën “zemër” dhe duke e përshëndetur familjen e saj në shqip.

“Si jeni? Mirëmrama”, u tha Rita nënës e babait të Sihanës.

Kur Rita e pyeti se çfarë e bëri që të niste këndimin, Sihana i tha: “Në të vërtetë, ju më keni bërë të nisi të këndoj”.

Këtu Rita u emocionua shumë duke u ngritur nga vendi i saj e duke e përqafuar atë.

Më tej, Rita e sqaroi çështjen e afërsisë së saj të papritur me Sihanën, duke thënë se shqiptarët janë pak si popull, por “jemi pothuajse si familje”.

Dhe këtu, Rita njoftoi se Sihana është përzgjedhur në ekipin e saj për në raundin tjetër.

“Jemi shumë pak andej nga vijmë ne dhe duket sikur të gjithë jemi të afërm me njëri-tjetrin. Kështu që Sihana është si kushërira ime”, u shpreh Rita e emocionuar.

16-vjeçarja garoi me këngën ‘Nothing Breaks Like a Heart’ të Miley Cyrus. Ajo tërhoqi vëmendjen e të gjithë publikut, i cili duartrokiti thuajse gjatë gjithë performancës.