Shqipëria u bë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV).

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Duke e cilësuar një lajm të shkëlqyer për vreshtarët dhe kantinat shqiptare, Krifca tha se “pas punës së bërë me ligjin e ri për verën dhe vreshtarinë i japim një tjetër mjet të fuqishëm sektorit të verës dhe vreshtarisë duke i dhënë vëmendjen e duhur zhvillimit të tij”.

Ky anëtarësim erdhi pas një pune të madhe që ka bërë MBZHR bashkë me ekspertët e fushës për të plotësuar çdo hallkë të zinxhirit që kërkon ky proces ndërkombëtarizimi i industrisë së verës “Made in Albania”. Shqipëria u bë kështu shteti i 50-të anëtar i OIV.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet zhvillimin e industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale më të hershme në vendin tonë, që e ka bërë Shqipërinë të njihet për varietetet autoktone të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore.

Sipas të dhënave të MBZHR, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11.2 %, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.