Nga dr. ambasador Islam LAUKA

Në postimin tim të fundit, paraqita disa pamje nga natyra e mrekullueshme e bjeshkëve tona, të cilat na kënaqin syrin e na qetësojnë shpirtin. Por gjatë qëndrimit tim atje, pashë se ndërhyrja brutale e njeriut në bjeshkë, po e çnatyron atë. Bjeshka e çnatyrueme nuk është bjeshkë.
Së pari, bie në sy ndërtimi, pa asnjë kriter, i shtëpive dhe hoteleve dy-tre katëshe. Jo me kombinimin e gurit dhe të drurit, siç bëheshin stanet dikur, por me hekur e beton. Dhe jo si më parë, kur nuk guxonte kush të ndërtojë jashtë téle, por vend e pa vend, pikë e pesë, rudinave të bjeshkëve. Pasojë e këtyre ndërtimeve, veç të tjerash, janë pakësimi i sipërfaqes së kullotave dhe shtimi i erozionit.
Së dyti, bie në sy rritja e numrit të njerëzve dhe zvogëlimi i bagëtive. Në gjithë hapësirën e Sylbicës, mezi gjeta një tufë dhensh, në pjesën e sipërme të saj, në Qukin e Brushtullës. Zvogëlimi i numrit të bagëtive do të thotë zvogëlim i plehut organik-ushqim i domosdoshëm për barin e lulet e rudinave. Që nga ana e tyre, shërbejnë si ushqim për bagëtitë. Se natyra i ka rregulluar për bukuri punët e veta. Në vend të deleve, tani shihen “tufat” e makinave. Vështirë që ky element të përshtatet me ekosistemin e bjeshkëve.
Së treti, dikur të virgjëra, sot bjeshkët po ndoten më keq se vërrini. Edhe tek Lkeni i Dashit, shishet e kanaçet e birrës, qeset plastike, etj gjenden të shpërndara rreth e rrotull, duke e shëmtuar mjedisin e tij.
Ky postim, le të shërbejë si një thirrje për bashkëqytetarët e mij tropojanë, për turistët vendas e të huaj: mos na i idhnoni bjeshkët se orët e tyre dinë të hakmerren idhshëm. Shikoni çfarë po ndodh në botë, si pasojë e ndërhyrjes barbare të njeriut në natyrë: përmbytje, thatësirë, epidemi…
Mos na raftë me e provue idhnimin e orëve të bjeshkëve tona!