Vitet e fundit, nocioni i Inteligjencës Artificiale po bëhet kryefjala e zhvillimeve teknologjike, të cilat po sjellin përfitime të larta ekonomike dhe shoqërore. Ritmet e larta të përfshirjes së Inteligjencës Artificiale në shoqëri po sjellin ballafaqimin agresiv të dy aspekteve kryesore të kësaj vale të re ndryshimesh teknologjike, përftimet ekonomike kundër aspektit shoqëror.
Zgjidhja e një ballafaqimi të tillë do të duhet të shoqërohet në mënyrë rigoroze, me informim gjithëpërfshirës, pasi të njëjtat elemente dhe teknika që fuqizojnë përfitimet socio-ekonomike të Inteligjencës Artificiale mund të sjellin gjithashtu rreziqe të reja, ose pasoja negative për individët ose shoqërinë.
BE-ja është shfaqur vazhdimisht në përpjekje për të kryesuar sfidën e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale dhe balancimin e saj ligjor me vlerat dhe parimet themelore të Bashkimit Europian. Krijimi i habitatit të duhur i përparimit teknologjik, përfitimeve ekonomike dhe ruajtjes së të drejtave janë në interesin më të lartë të BE-së për të dominuar në këtë sferë.
BE-ja kërkon të krijojë politika për të alternuar arritjen e qëllimeve të dyfishta të nxitjes/përshtatjes së Inteligjencës Artificiale dhe të adresimit të rreziqeve që lidhen me disa aplikime të kësaj teknologjie. Duke krijuar një kornizë ligjore të besueshme për Inteligjencën Artificiale synohet të realizohet qëllimi për rritjen e ekosistemit dhe njëkohësisht besimit të përdoruesve.
Plani i formësuar në një Akt synon të bazohet në parimet dhe të drejtat themelore të BE-së dhe njëkohësisht të frymëzojë zhvilluesit për të krijuar zgjidhje të bazuara në Inteligjencën Artificiale për tregun e brendshëm të BE-së. Gërshetimi i duhur i zhvillimit dhe besimit të përdoruesve do të sjellë për shoqërinë arritjen e qëllimit përfundimtar për mirëqenien e dy palëve dhe mbajtjen e lidershipit teknologjik për BE-në.
Këshilli Europian ka kërkuar, në mënyrë të përsëritur, për veprim legjislativ, për të siguruar një treg të brendshëm që funksionon mirë për sistemet e Inteligjencës Artificiale dhe ku të dyja anët e medaljes së përdorimit të Inteligjencës Artificiale trajtohen në mënyrë serioze në nivel të Bashkimit Europian. Dekada dixhitale ku BE-ja jeton, kërkon domosdoshmërisht zhvillimin e veprimeve legjislative në përputhje të plotë me kornizën aktuale të legjislacionit ekzistues të BE-së.
Akti i Inteligjencës Artificiale në nivel Bashkimi Europian pritet të sjellë një panoramë të qartë të mbrojtjes së aspekteve etike të Inteligjencës Artificiale / robotikës dhe zhvillimit ekonomik të kësaj familje teknologjike. E sigurisht pas formalizimit ligjor vijojnë dhe mbështetje pasuese për nxitjen e zhvilluesve për ta bërë tregun e Bashkimit Europian sa më tërheqës për inovacionet.
Skepticizmi i lejimit të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale vjen si pasojë e kompleksitetit, varësisë nga të dhënat dhe sjelljes autonome nga e cila kjo teknologji karakterizohet. Mirëpo, qëllimi i Aktit të Inteligjencës Artificiale mundëson pikërisht garancinë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale është në përputhje me vlerat e Bashkimit Europian.
Akti i Inteligjencës Artificiale synon pikërisht mbrojtjen e interesit publik në aspektet më sensitive, siç janë mbrojtja e shëndetit, sigurisë dhe njëkohësisht arritja e një zhvillimi teknologjik dhe ekonomik për të gjithë Bashkimin Europian. Disa shtete të Bashkimit Europian kanë nisur tashmë me miratimin e rregulloreve kombëtare që Inteligjenca Artificiale të zhvillohet dhe të sjellë përfitime ekonomiko-sociale për vendin.
Në pamje të parë ngjan si një hap inkurajues, por në të vërtetë një qasje e tillë individualiste nga vetë shtetet mund të krijojë fragmentim të tregut të Bashkimit Europian. Krijimi i një Akti për Inteligjencën Artificiale siguron gjithëpërfshirjen e barabartë për të gjitha shtetet, treg më të gjerë dhe një ombrellë më të sigurt juridike për të drejtat e përdoruesve.
Duke qenë të vetëdijshëm për zhvillimin pozitiv që Inteligjenca Artificiale mund të krijojë në përparimin ekonomik të Bashkimit Europian, krijimi i një kuadri ligjor për Inteligjencën Artificiale do të sigurojë mbrojtje ideale për përdoruesit dhe vetë zhvilluesit. Nisma e BE-së për një kornizim ligjor të Inteligjencës Artificiale do të nxiste përparimin e teknologjisë dhe në të njëjtën kohë, plotësimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së interesave publike./Monitor-Limit.al