Një konferencë për shtyp është zhvilluar në Greqi për zjarret e vazhdueshme.
“Pas 15 ditësh dukurish ekstreme të motit dhe një 10-ditor me mbi 600 zjarre, sot është dita e parë që nuk jemi në të kuqe, në gjendje gatishmërie”, theksoi ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias gjatë konferencës për shtyp.
Konferenca për shtyp u zhvillua si emergjencë nga ministri për zjarret në pyje që kanë prekur vendin tonë. Kikilias kishte pranë tij sekretarin e përgjithshëm të Akademisë së Athinës, profesorin e fizikës atmosferike dhe klimatologjisë Christos Zerefos, shefin e Brigadës së Zjarrfikësve, Gjeneral Lejtnant Georgios Pournaras dhe kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe Mjedisit Pyjor të Ministria e Mjedisit dhe Energjisë, Evangelos Guduffa.
Ministri Kikilias e cilësoi periudhën të vështirë dhe nënvizoi vetëmohimin dhe heroizmin e të gjithë atyre që luftuan kundër zjarrit, duke iu referuar edhe vdekjes së dy pilotëve. Ndryshimi me vitet e tjera, theksoi ministri, ishin kushtet atmosferike, që ndikuan negativisht në menaxhimin e krizën.
“Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një hartë në gatishmëri për kaq shumë ditë rresht, në kaq shumë rajone,” tha Kikilias.
Duke iu referuar rreth 660 zjarreve, ai tha se shumica e tyre janë trajtuar, por dhjetë prej tyre janë bërë të mëdha, kanë testuar qëndrueshmërinë e të gjithëve. 74 persona u plagosën dhe tre vdiqën. Përdorimi në kohë i 112 si operacioni më i madh i evakuimit në Rodos funksionoi edhe një herë në mënyrë efektive.
Kikilias tha se shteti do të bëjë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet për të lehtësuar zonat e prekura. Pavarësisht përgatitjes, niveli i vështirësisë ka rezultuar shumë i lartë, vuri në dukje ai dhe shtoi se aty ku konstatohen mangësi apo gabime, do të ketë përmirësim dhe rishikim. Kriza klimatike nuk do të largohet dhe ne duhet të rregullojmë politikat tona në të gjitha nivelet, theksoi ministri. Kikilias tha më tej se më shumë se 60 zjarre kanë rënë në ditë.
“Ato janë shkaktuar nga dora e njeriut. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë zjarrvënie, qoftë nga pakujdesia kriminale, qoftë nga qëllimi. Diferenca me vitet e tjera ishte kushtet e motit. Kriza klimatike që prodhoi një valë të nxehti historikisht të paprecedentë është këtu. Që nga viti 2003 nuk kemi pasur një hartë me kategori me rrezik kaq shumë të lartë dhe në kaq shumë rajone. Departamenti i Zjarrfikësve vuri nën kontroll shumicën e të gjitha këtyre zonave. Megjithatë, 10 zjarre morën përmasa të mëdha dhe testuan kufijtë dhe qëndrueshmërinë e të gjithëve dhe mbi të gjitha të banorëve”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, Vasilis Kikilias deklaroi se deri më tani janë djegur 400 mijë hektarë, ndërsa mesatarja vjetore për Greqinë është 500 mijë.
“Ne bëmë më të mirën që mundëm në këto rrethana. Shkalla e vështirësisë operative doli të ishte shumë e madhe. Ne nuk po strukemi, po e shohim realitetin kokë më kokë”, tha ai, duke vënë në dukje se ka pasur një zjarr që ka kapërcyer një zonë zjarri 200 metra, ndërsa janë krijuar tornado zjarri prej 1000 gradë Celsius.
Zerefos: Kriza klimatike na çon në një rishikim të nevojshëm të të gjitha strategjive
Profesori i Fizikës Atmosferike dhe Klimatologjisë Christos Zerefos në konferencë për shtyp është shprehur se zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në mjedis dhe pronë.
“Kriza klimatike ka ardhur. Vitin 2023 duhet ta kujtojmë, siç kujtojmë 2021, 2019 dhe 2012”, tha Zerefos. Duke folur për ndryshimin që ka ndodhur në mjedis vitet e fundit, shkencëtari theksoi se harta e rrezikut me shkallën 5, tani është më e shpeshtë se dikur.
“Gjithmonë kemi pasur valë të nxehti të cilat kanë qenë më të shkurtra. Vala e të nxehtit të vitit 1987 në Greqi ka shkaktuar 3000 viktima”, duke thënë se vitet e ardhshëm do kenë më shumë ditë të nxehta.
Zerefos shpjegoi se ndryshimi klimatik në dimër këtë vit ka ndikuar në atë që po përjetohet në korrik.
“Dimri i butë ka bërë që këtë vit të humbasim gjysmën e ujit dhe të ulet lagështia e tokës”, theksoi ai, ku kjo gjë krijon një situatë që favorizon përhapjen e zjarreve në pyje.
“Ekosistemet pyjore të Greqisë janë ndër më të ndjeshmet në botë. Ekosistemi pyjor është thelbësor. Nëse e mbrojmë, ka shpresë që të rigjenerohet”, tha profesori i fizikës atmosferike.
“Kostoja e ndryshimeve klimatike do të kalojë 700 miliardë euro. Nëse përshtatemi, reduktohet në 400 miliardë euro”, shtoi ai duke thënë se njohuritë, informacioni dhe ndërhyrja e hershme janë elemente thelbësore për përballimin e zjarreve.
Duke folur për ngjarjet ekstreme të motit që kemi përjetuar vitet e fundit, duke kulmuar me valë të zgjatura të nxehtit, megazjarre dhe tornado, ai tha: Kriza klimatike po krijon një destabilizim të plotë të klimës në mbarë botën. Zjarret në pyje tani arrijnë një lartësi prej 1 km, siç ishte rasti në Peloponez në vitin 2007. Prandaj kriza klimatike na çon në një rishikim të detyruar të të gjitha strategjive.
Ai u bëri thirrje shkencëtarëve dhe publikut të jenë vigjilentë, duke shpjeguar se destabilizimi i klimës nuk është për shkak të El Niños. Për të theksuar, ai iu referua ngrohjes në ujërat e Amerikës dhe Mesdheut, që duket e pabesueshme. Në përfundim të prezantimit të tij, ai argumentoi: Ndryshimet janë shumë të mëdha, po aq sa energjia që dielli dërgon çdo sekondë, dhe tani duhet të përballemi me to.