Artistja shqiptare Aurela Gaçe në një rrëfim shumë të ndierë dhe origjinal siç ajo di të jetë gjithmonë, na bëri të lotojmë të gjithëve ndërkohë që tregonte për jetën, arritjet, vështirësitë dhe karrierën që ka pasur.

Zërin e saj e kemi dëgjuar potent jo vetëm në këngë, por shpesh edhe kur bëhet fjalë për kauza të tilla si dhuna ndaj grave.

Në emisionin “Një gotë Rose” këngëtarja ka rrëfyer çdo vështirësi dhe mbështetje që ka pasur në jetë, por ashtu siç ajo është përpjekur që këngët e saj të përçojnë gjithmonë një mesazh, nuk mundi të mos e bënte këtë edhe gjatë intervistës.

Duke rrëfyer për projektet e shumta që ka sjellë në treg dhe artistët me të cilët ka bashkëpunuar, me lot në sy Aurela na tregoi historinë e  këngës “Veten dua gjallë” dhe se çdo fjalë i kushtohet historisë fatkeqe të jetës së kushërirës së saj, shumë të afërt, të cilës dhuna i kushtoi jetën.

Siç e thotë dhe në vargjet e këngës: “Më lëndon, lëndon e unë e fal, por do shkoj se veten dua gjallë”, diva e këngës shqiptare i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të mos heshtin ndaj dhunës, të mos falin, sepse një dhunues nuk ndryshon kurrë dhe ajo që duhet të bëjnë është të largohen ndaj saj.

Ajo është shprehur se të gjithave u ndodh të paktën një herë në jetë të takojnë një dhunues, ashtu si vetë këngëtares i ka ndodhur por ka zgjedhur që të largohej.

Sigurisht që ndër të tjera Aurela, fjalët më të bukura ja kushtoi bashkëshortit të saj të cilin e konsideroi si një “engjëll që Zoti e zbriti në tokë vetëm për të”.