Ballina ED/OP Pendesa e Britanisë për daljen nga BE

Pendesa e Britanisë për daljen nga BE

Çfarë do të ndodhë ndërsa britanikët bëhen më të pakënaqur me Brexit? Mos prisni një rianëtarësim në BE, shkruan “The Economist”

Këto kohë, duket se gjithçka në politikën britanike është afatshkurtër: nga dorëheqjet brenda partisë, te zgjedhjet e parakohshme. Por nuk duhen lënë pas dore edhe disa prirje më të heshtura dhe afatgjata.

Një e tillë është rritja e zhgënjimit me Brexit. Sondazhet nga YouGov, Ipsos dhe NatCen Social Research tregojnë se shumica e britanikëve, tani janë penduar që vendosën të largoheshin nga Bashkimi Europian.

Shifrat e fundit tregojnë se raporti midis atyre që dëshirojnë që Britania të kishte qëndruar në BE dhe atyre që janë të lumtur për largimin, ka arritur në 60% me 40%, ndërkohë që raporti i votës në qershor 2016 për t’u larguar nga Bashkimi Europian, ishte 52% me 48%.

Ky rezultat do të ishte edhe më i ngushtë nëse do të kishin votuar edhe ata persona që nuk dëshironin Brexit, por që nuk shkuan në kutitë e votimit shtatë vite më parë. Shifrat tregojnë se ka një ndryshim të dukshëm në qëndrim.

Si shpjegohet kjo? Sipas Sir John Curtice, nga NatCen, ka disa faktorë.

Një prej tyre është demografia. Të moshuarit kryesisht mbështesin largimin nga BE-ja, ndërsa më të rinjtë parapëlqejnë qëndrimin në bllok, kështu që kalimi i kohës anon kundër Brexit.

Ata që nuk votuan në vitin 2016, tani janë të bindur se vendi nuk duhej të kishte dalë nga BE-ja.

Ata që e kanë mbështetur që në fillim qëndrimin në Bashkimin Europian, nuk e kanë ndryshuar mendimin dhe janë ende të bindur se kishin të drejtë.

Por ndryshimi më domethënës, është se rreth 20% e atyre që mbështetën largimin nga blloku në vitin 2016, tani thonë se janë penduar dhe se do të kishin dashur që Britania të kishte qëndruar në BE.

Pse?

Përgjigjja e qartë është zhgënjimi me rezultatin. Shqetësimet e votuesve janë zhvendosur përtej Europës, duke u përqendruar në shumë shqetësime afatshkurtra, si kostoja e lartë e jetesës, rënia e pagave, problemet me shërbimet publike dhe emigracioni i lartë.

Përkrahësit e Brexit pretendojnë se probleme të tilla janë shkaktuar kryesisht nga Covid-19 dhe lufta në Ukrainë.

Disa argumentojnë gjithashtu, si marksistët e dikurshëm, se Brexit i vërtetë nuk është arritur kurrë siç duhet. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se largimi nga BE-ja i ka përkeqësuar disa probleme në vend.

Britania ishte një nga ekonomitë e fundit të G7-ës që arriti nivelin e prodhimit të periudhës para Covid-19; rritja ekonomike mbetet e ulët; shumica e ekonomistëve mendojnë se pengesat shtesë në tregti kanë pasur efekte të dëmshme ekonomike; inflacioni dhe normat e interesit janë më të larta se në shumicën e vendeve të tjera europiane; migrimi neto po shkon në nivelin më të lartë në histori.

Për më tepër, shumica e premtimeve që bënë politikanët e fushatës për largimin nga BE-ja në vitin 2016 kanë rezultuar një mashtrim.

Nuk bëhet fjalë thjesht për premtimin famëkeq të shkruar në fasadën e një autobusi të kuq, ku pretendohej se vendi do të kursente 350 milionë paund (445 milionë dollarë) shtesë në javë nga largimi nga BE-ja, një shumë të cilën mund ta përdorte për të investuar në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS).

Fushata për largimin nga blloku pretendonte se tregtia me BE-në do të vazhdonte si më parë, burokracitë do të hiqeshin qafe me shpejtësi dhe se do të lidheshin me lehtësi marrëveshje të reja të mëdha të tregtisë së lirë me Amerikën dhe vende të tjera. Premtimi më kryesor, se nuk do të kishte asnjë anë negative për Brexit, por vetëm përparësi të mëdha, tashmë duket krejt bosh.

Vetë Nigel Farage, ish-udhëheqësi i Partisë së Pavarësisë, që asokohe ishte politikani kryesor që mbështeti largimin nga BE-ja, në maj e pranoi se “Brexit ka dështuar”. Sir Jacob Rees-Mogg, një politikan konservator pro-Brexit, përqeshet sa herë që përpiqet të përmendë përparësitë që ka sjellë Brexit.

Por nuk ka kërkesë për tu bashkuar me BE

Kjo nuk do të thotë se është rritur kërkesa për t’u bashkuar me BE-në. Europa po bie në listën e prioriteteve të votuesve dhe pothuajse askush nuk dëshiron që të rihapë një çështje kaq të hidhur e përçarëse.

Megjithatë, ka hapësirë për ta zbutur Brexit-in e fortë që kërkoi ish-kryeministri Boris Johnson në dhjetor 2020.

Në shkurt, kryeministri Rishi Sunak mori lëvdata për arritjen e marrëveshjes Windsor. Kjo zgjidhi shumë probleme praktike mbi kufirin në Detin Irlandez.

Këto probleme ishin krijuar nga vendimi i zotit Johnson për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor i BE-së, por duke e lënë Irlandën e Veriut në të dyja.

Së fundmi, Britania dhe BE-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin rregullator për shërbimet financiare, megjithëse kjo nuk do të ndihmojë shumë për ta hapur tregun e BE-së për firmat me seli në Londër.

Ndërsa po rriten shanset për një qeveri laburiste pas zgjedhjeve të ardhshme, po rriten edhe shpresat se ajo mund t’i përmirësojë më shumë marrëdhëniet me BE-në.

Sir Keir Starmer, udhëheqësi i Partisë Laburiste, këmbëngul se nuk dëshiron ta rikthejë vendin në tregun e përbashkët apo bashkimin doganor. David Lammy, zëvendëssekretari i Jashtëm, thotë se BE-ja gjithsesi nuk do të pranonte, nëse konservatorët nuk ndryshojnë qëndrim.

Por ai tha gjithashtu në një takim të fundit në Bruksel, se marrëdhëniet më të mira me BE-në ishin “përparësia e tij numër një”. Partia Laburiste ka hedhur ide të ndryshme.

Këto përfshijnë bashkëpunimin më formal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes; një marrëveshje për të lehtësuar tregtinë e ushqimit; një lidhje të plotë me programet kërkimore-shkencore të BE-së, si Horizon dhe Copernicus; një marrëveshje lëvizshmërie për të ulur telashet me vizat për muzikantët që udhëtojnë jashtë dhe të tjerët; dhe një marrëveshje të zgjeruar për shërbimet financiare, midis të tjerash.

Të paktën keni sovranitet

Janë hedhur edhe tre sugjerime të tjera mbi çështjen se sa më të ngushta mund të bëhen marrëdhëniet me BE-në, për të zgjeruar marrëveshjen e dobët të tregtisë dhe bashkëpunimit (TCA), që lidhi Boris Johnson.

Në prill, komiteti i Dhomës së Lordëve mbi BE-në, publikoi një raport ku shqyrtohej se si mund të përmirësoheshin lidhjet në fushat politike, diplomatike, të sigurisë, ndryshimeve klimatike dhe lëvizshmërisë.

Në maj, Komisioni i Tregtisë dhe Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, i kryesuar nga Hilary Benn, hodhi 114 ide për zbutjen e dëmit në tregti. Dhe në fund të qershorit, Instituti kërkimor Tony Blair, paraqiti listën e propozimeve për marrëdhënie më të ngushta me BE-në.

Pengesa më e madhe është që të bindet BE-ja për t’u pajtuar me ide të tilla.

Në takimin e forumit të BE-së, Maros Sefcovic nga Komisioni Europian, tha se barrierat tregtare ka të ngjarë të përkeqësohen dhe jo të përmirësohen dhe se nuk ka shumë shpresa për ndryshime të mëdha gjatë një rishikimi pesëvjeçar të TCA-së që pritet të kryhet në periudhën 2025-’26.

Komisioni mendon se rishikimi duhet të bëhet duke pasur në mendje zbatimin e marrëveshjes së vitit 2021, jo zgjerimin e saj. BE-së i pëlqen marrëveshja e tanishme që ka arritur me Britaninë, sepse ajo nxit eksportet e mallrave, por nuk ofron shumë në fushën e shërbimeve, që është pika e fortë e Britanisë.

BE-së gjithashtu nuk i pëlqen ideja që një vend jo anëtar, të zgjedhë të mirat që dëshiron nga tregu i përbashkët i bllokut, pa marrë përsipër detyrimet që vijnë me këto përfitime.

Nga zhgënjimi i Brexit, mund të nxjerrim dy mësime politike. I pari, është se konservatorët tashmë nuk kanë më mundësi t’i kërkojnë votuesve që u dhanë atyre votën në vitin 2019, për të mos kaluar në kampin laburist, që të mos humben përparësitë e Brexit, sepse këto janë kaq të vështira për t’u dalluar.

Mësimi i dytë është se kushdo që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, do të priret për të lidhur marrëdhënie më të ngushta me BE-në, pa u shkëputur edhe më shumë.

Ky proces mund të zgjasë më gjatë nga sa dëshirojnë kundërshtarët e Brexit dhe do të ishte gabim po të hamendësohej se BE-ja do të jepte pëlqimin për ndryshimet e ardhshme.

Megjithatë, Brukseli dhe kryeqytetet europiane me siguri që do të ndiejnë trysninë për të qenë më miqësorë me Britaninë, veçanërisht nëse i fiton zgjedhjet Partia Laburiste.

Destinacioni i ardhshëm është i pasigurt; por drejtimi i udhëtimit tashmë duket se është caktuar.

Mësimi
Mësimi i dytë është se kushdo që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, do të priret për të lidhur marrëdhënie më të ngushta me BE-në, pa u shkëputur edhe më shumë. Ky proces mund të zgjasë më gjatë nga sa dëshirojnë kundërshtarët e Brexit dhe do të ishte gabim po të hamendësohej se BE-ja do të jepte pëlqimin për ndryshimet e ardhshme.