Studim nga Valbona HYKAJ

Rituali i daljes në bjeshkë është një nga ritualet më të bukura dhe shumë domethenëse në trevën e Tropojës. Kjo përbën një nga pikat kulminante në çështjen e mbarëvajtjes së ekonomisë shtëpiake. Pas shembjes së komunizmit, ky ritual i bukur ka filluar përsëri me gjallëri dhe dëshirë të madhe pas viteve 90-të, por jo në përmasat që ka patur përpara se të vendoseshin kooperativat bujqësore, të cilat shkatërruan në themel ekonominë e fshatarëve dhe zbehën e tjetërsuan ritualet, doket, zakonet, traditat e pazëvëndësueshme të trevave të Shqipërisë.

Tropoja, me Alpet e saj të mrekullueshme, me bjeshkët gjigande që zbardhojnë nga dëbora deri në fund të gushtit, mbart brënda tyre bukuri përrallore e magjepsëse. Aty ngjizen në mënyre hyjnore mali i Shkëlzenit dhe lumi i kaltër i Valbonës, aty flenë e zgjohet Eposi i Kreshnikëve, i Gjeto Basho Mujit dhe Sokol Halilit, të cilët luftuan për nderë e krenari dhe mbrojtën trojet e të parëve e çdo gjë të bukur shqiptare nga dyndja e fiseve sllave.

Unë e kam për kënaqesi dhe e ndjejë detyrë të bëj objekt studimi një nga perlat e thesarit etnokulturor te trevave të bjeshkëve të mia, dhe ta trajtoj atë në mënyrë artisitke dhe letrare, duke u mbështetur në fakte origjinale, në gojëdhëna dhe sidomos në një intervistë te gjatë, marrë nënës sime.

Rituali dhe përgatitja për bjeshkë, po aq sa ishte një moment i bukur, po aq kërkonte punë, kohë dhe mundim. Në atë kohë mbizotëronte familja e madhe patriakale ku numri i pjesëtarëve shkonte deri në 30 vetë. Rolin kryesor në familje e luante më i madhi i shtëpisë, pra i zoti i shtëpisë.

Kur vinte koha për daljen në bjeshkë, pas festës së “Shëngjergjit”, i zoti i shtëpisë organizonte gjithçka dhe ndante detyrat për çdo pjesëtar të përgjegjshëm në familje. Dy–tre nga burrat e shtëpisë merreshin me përgatitjen e bojës, një proces që donte kohë dhe vëmëndje, dhe që do pasyrohet në kreun e parë. Pastaj lyheshin dhentë,(delet) dhe tufa e madhe me treqind copë ishte gati për udhëtimin e gjatë për në bjeshkë,udhëtim që zgjaste rreth tetë orë. Rolin kryesor ndër gratë e luante më e madhja, zonja e shtëpisë, e cila ndante detyrat e caktuara që ky ritual të organizohej në mënyrën e duhur.

Sistemi kooperativist i bëri bjeshkët thuajse, tokë të ndaluar për familjet malësore . Njeriu u kthye në formën e një roboti, dhe gati pa ndjenja, por thelle- thellë në brendinë e tij, ai ruajti si një thesar dëshirën e madhe për bjeshkët, për rudinat, ahet, pishat, për kullotat, krojet, lojërat me rrasa guri, shpatinat, boronicat, medrat, dredhëzat dhe ajrin e pastër që i kishte munguar për vite më radhë. Dhe pse komunizmi u mori gjithçka kishin, duke i organizuar në kooperativa bujqësore, banorët e trevës së Tropojës dhe jo vetëm ata, nuk reshtën së dëshiruari mallin për bjeshkët e tyre, për luginat e zanave, për lugjet e verdha, shpellat e borës, për fyejt e këngët melodioze; lirikat më madhështore në gjithë folklorin shqiptar.

Mjafton të përmendim veç ca vargje se si çobani i këndon çikës së bukur tropojane duke i ndërthurur vargjet me borën, stanin dhe ogiçin: “ Moj e mira në orteg të borës/, bardhë e butë gishtat e dorës/, po ti lëpinë dashi i kumonës/, po i lëpinë dashi i ngratë/,.. qëndis’ çikë të thafshin kraht’/ , duhet mbush’ arka, meste e çorapë….”

Pra, si përfundim rituali i daljes dhe i zbritjes nga bjeshka përmban në vetevete perla të paçmueshme të pasurisë etnokulturore të trevës së Tropojës, duke u ndërthurur bukur me karvanin e gjatë, me veshjet e bukura popullore, me “qitjet në shenjë” me pushkë, me ndalesat gjatë rrugës, me mbërritjen dhe kohën e ndjenjës dhe deri në përgatitjen e dytë për zbritjen nga bjeshka.

Lyerja e dhenëve me bojë dhe përgatitja e karvanit për në bjeshkë

Pasi festohet “Shëngjergji” një festë tradicionale për të gjithë shqiptarët por jo me data të njëjta, familja e madhe fillonte pregatitjet për daljen në stan, pra në bjeshkë. Dy- tre meshkuj të shtëpisë merreshin me lyerjen e dhenëve dhe deshëve (ogiçëve). Boja kërkonte përgatitjen e saj, burrat që caktoheshin për këtë punë shkonin në malin e Shkëlzenit. Diku në shpatet e këtij mali ndodhej një rrasë e madhe guri, që quhej guri i kuq. Aty me disa mjete të forta gërryese dhe goditëse, thyenin copa nga guri i kuq dhe kur mendonin se ishte e mjaftueshme ktheheshin në darkë në shtëpi, pasi rruga ishte shumë e gjatë. Gurin e marrë e coptonin duke e shtypur sa më imët me ndihmën e një çekiçi, pastaj sitej në një sitë dhe në një enë (kusi) përzihej me një kilogram tëlyen(gjalp) dhe zihej në zjarr për rreth një orë. Pasi ftohej ishte e gatshme për t’u përdorur për lyerjen e dhenëve. Këtë punë e kryenin dy-tre burra, njëri mbante dhentë, njëri enën e përgatitur me bojë dhe i treti i lyente. Deshët e tufës lyheshin me bojë në gjithë pjesën e kurrizit, ndërsa dhentë në dy anët e shpatullave, kurse qengjat e vegjël bojatiseshin në ballë ose me nga një shenjë të vogël në kurriz. Dy deshët e mëdhenj(ogiçët) që i prinin tufës lyheshin nga koka deri tek këmbët me bojen e kuqe. Ata nuk qetheshin asnjëherë dhe jakat e tyre binin deri në tokë.

Në qafë u vareshin kumonët(këmborët), që i zoti i shtëpisë i kishte blerë në Gjakovë. Tringëllima e kumonëve dëgjohej nga qafa e Tringëllimës.Po e marr si referim këtë bjeshkë të të parëve të mi, ngaqë çdo fis në Tropojë ka bjeshkën e tij dhe “tellën” e vet që është vendqendrimi ku ngrihen stanet për verim.

Tufën me treqind copë dhenë,përvec barinjëve,e shoqëronin edhe dy qenë të mëdhenj dhe të fortë që ruanin stanin dhe bagëtinë. Ata mbaheshin me hekura të fortë dhe ushqeheshin mirë dhe për ta kujdesej e zonja e stanit. Kur binte errësira, askush i gjallë nuk mund të afrohej ndër stane pa thirruar nga larg, në mënyrë që ti jepte mundësi të zotit të stanit të qetësonte qentë.

Pra siç thamë më lartë pasi mbaronte rituali i lyerjes së tufës, fillonte përgatitja e gjërave të tjera që duheshin për transferimin nga vërrini në bjeshkë. Këtu mund të përmendim, rroba për fjetje ku hynin postajat (lëkurët e deleve dhe deshëve) jastëk të bërë në vekë, enë për mbajtjen dhe ruajtjen e bylmetit, enë për mjeljen e dhenëve, etj.

Dita për nisjen e karvanit caktohej nga i zoti i shtëpisë dhe ajo ishte pas 15 majit. Bjeshka e parë ku do dilnin dhe që përdorej për kullosë pranverore quhej “Stani i poshtëm” dhe udhëtimi zgjaste tetë orë. Udhëtimi për në bjeshkë fillonte pa zbardhur mire dita. Disa kuaj ngarkoheshin me mjetet e nevojshme të jetesës në stan.Kuajt e tjerë rezervoheshin për gratë dhe fëmijët, më të vegjëlit vendoseshin edhe në mes të dy ngarkesave të kalit, ndonjëhere dhe në djep.

Gratë e shtëpisë niseshin siaps moshës dhe rendit që u takonte, të veshura në mënyrë ceremoniale. Më të rejat mbanin veshur atë ditë, “veshjen e gjanë”, veshje kjo tradicionale e rrethit të Tropojës, veshje e punuar me një kolor të mrekullueshëm ngjyrash, e qëndisur me telë ari dhe rruaza të shumëllojshme. Gratë e tjera që kishin bërë disa vite martesë visheshin me veshjen e ngushtë, këmishë e bardhë me jelek e mitan, me dy pështjellakë të vegjël, një përpara dhe tjetri lidhur pas. Gratë ngjiteshin në stan me kuaj. Karvani me dhenë nisej i pari, ku prinin ogiçët dhe pas shkonte tufa me ngjyrën e kuqe të bojës dhe çobanin pas tyre. Karvani me kuaj, me gratë dhe fëmijët dhe të shoqëruar nga meshkujt e shtëpisë u shkonte pas.

Kur mbërrinin tek “Luma e Gradit” (lumë i Tropojës që zbret nga bjeshkët dhe i bashkohet Valbonës) i zoti i shtëpisë shtinte dy herë pushkë duke i thirrur njërit prej burrave që kishte ndenjur në shtëpi: “o filani, o ditën e mire dhe u pafshim me hajër”, ky tjetri ia kthenete po me pushkë duke i thënë: “udha e mbarë ju qoftë, e u djergshi shëndosh e mirë”. Kështu karavani vazhdonte rrugën e gjatë drejt bjeshkës.

Nga mesi i rrugës ndalonin për të ngrënë bukë. Gratë e shtëpisë kishin përgatitur lloje të ndryshme ushqimesh, si, pite me mazë, tamël të trashur, bukë misri të gatuar me çerep dhe saçë, mazë të zier, kos të kulluar etj. Pasi hanin bukë e pushonin niseshin për të mbërritur tek stanet. Në karvanin e gjatë bashkoheshin dhe kushërinjtë që kishin të njëjtin gjak, pra rridhin nga i njëjti trung i familjes.

Kur mbërrinin tek stani, shkarkonin kuajt dhe burrat fillonin përgatitjen për ngritjen e stanit, i cili murin e kishte të ndërtuar që nga vera e mëparëshme, por që ndodhte ndonjëhere që ta rrëzonte dëbora e dimrit. Pra rregullonin stanin, nëse ishte i prishur duke e mbuluar me lugje të gdhendura me dru ahu. Në “Stanin e poshtëm” qëndorin nga gjysma e majit deri në fund të qershorit, pastaj dilnin në bjeshkën tjetër të quajtur “Tringëllimë” dhe aty veronin deri në fund të shtatorit.

Folklori i kësaj treve të bukur të veriut mbart dhe vargje nga më të veçantat që i kushtoheshin ngjitjes(daljes) në bjeshkë , si psh. “o karvani me bjeshkëtar oho-ho, e hoj dado/, udha e mbarë more udha e mbarë, oho-ho e hoj dado/, mbajmi mirë ti gra e f’mi, oho-ho, e hoj dado/, mbushi shekat me djath’ të ri, oho-ho, e hoj dado”. Kështu pra ditët e stinës së verës kalonin me ujin akull të ftohtë, me ajrin e pastër, me tamlin(qumështin) e nxehtë, me pësheren e djathit, me mazën e zieme, me bukën e ngrohtë, me boronciat, dredhëzat, medrat dhe gjithçka të pastër, të këndshme, të shëndetshme që ua ofronte bjeshka.

Gjysma e verës kalohej në njërën bjeshkë, pra në stanin e poshtër dhe pjesa tjetër pas qershorit, në Bjeshkën e Tringëllimës.

Pasi mbërrinin tek stani dhe këtu kryhej e njëjta punë për rregullimin e stanit dhe mbulimin e tij, shikohej dhe torishta(vatha) e dhenëve, që mund të ishte prishur në ndonjë vend. Dhentë ndaheshin në dy torishta (vatha), qingjat dhe dhentë shterpa në një vënd, dhe të tjerat në torishtën tjetër. Qentë lidheshin te dera e torishtës. Gratë kishin detyra të ndara. Njëra milte dhentë në shekat prej druri ahu, dhe ia sillte baçicës (kështu quhej gruaja që mblidhte bulmetin). Ajo kullonte tamlin, e valonte në zjarr, dhe me të zinte djathë, gjizë, kos, mazë, t’lyen.

Maza (kreja e qumështit) mblidhej (grumbullohej) në një lug prej druri ahu, që zinte 50 deri në 100 kilogram. Djathi mbahej në sheka prej druri, po ashtu gjiza dhe kosi.

Gruaja më e re, pra nusja, lante enët, mbushte ujin në krua, ndizte zjarrin, ua shtronte të gjithëve shtratin, fshinte stanin, u lante këmbët të gjithë burrave në darkë, dhe u hidhte ujë për të larë duart, para dhe pas buke.

Edhe burrat i kishin punët e ndara. Njëri ishte çoban që ruante dhentë nga mëngjesi deri në perendimin e diellit, kurse një tjetër bëntë dru për stanin dhe kujdesej për ndonjë punë tjetër. Çobani merte bukën me vete që ia përgatiste zonja e stanit, ajo, që merrej veç me kthimin e bukës.

Fëmijët ishin më të përkëdhelurit, ata hanin ushqimin e mirë, flinin gjumë sa të donin, luanin dhe argëtoheshin. Fëmijët nuk ngarkoheshin me ndonjë punë të madhe, më e shumta mund të mbushinin ujë në krua, ose ndihmonin në darkë për të ngujuar dhentë në torishtë.

Gratë dhe çikat(vajzat) kur zbrisnin nga bjeshka, dallonin me ato të vërrinit me faqet e tyre si mollë të shëndetshme dhe plot jetë. Për këtë ka plot vargje që i  këndoheshin çikës së bukur bjeshkëtare; “moj e mira nat’ stanishtë/, te je majë(shëndoshur), te je batisë/, ruaju pak të plaçin sytë’.

Pikërisht në këto bjeshkë ndër ahe e mrize, kanë lindur lirikat më të fuqishme te dashurisë. Diku nga mesi i verës organizohej qethja e dhenëve, ky ritual ishte i rëndësishëm, i lodhshëm por dhe i bukur. I zoti i stanit dilte nëpër bjeshkët më të afërta dhe mblidhte çobanë për të kryer qethjen e dhenëve. Dhentë qetheshin me modele të ndryshme, disave i’u liheshin jakat e gjata, disave iu bëheshin disa viza e lugje në shpinë, ndërsa ogiçët nuk qetheshin. Gratë e stanit përgatisnin drekën me ushqimet më të mira,me mish të freskët të një deleje nga tufa. Bashkët e leshit dërgoheshin në vërri ku gratë i përdornin për nevoja të ndryshme, duke i bërë çorape, triko, qilima, shtroje të ndryshme, shilte, sixhade si dhe veshje të ndryshme. Pasi hahej dreka, barinjtë mblidheshin bashkë dhe vendosnin rrasat e gurit, ku gjuanin me pushkë në shenjë, pastaj shpërndaheshin.

Ditëve të bukura poe edhe te mundimëshme të verës, do ti vinte fundi me momentin e djergies(zbritjes) nga bjeshka. Themi ditë të mundimshme, pasi gratë lodheshin shumë me nxënien dhe mbledhjen e bulmetit, që nga mjelja e dhenëve, vlimi i tamlit(qumështit), hedhja nëpër koritat e gdhendura me dru ahu dhe pishe, mbledhja e mazës, nxënja e djathit dhe e gjizës.

Kur vinte dita për tu djergë nga bjeshka, nata e fundit ishte ndër netët më të veçanta. Gratë përgatisnin pite me mazë të zier, djathë në tëlyen, tamël të trashun, bëhej kurban edhe një qengj nga tufa,e kështu darka e fundit në stan kalonte shumë festive. Të njëtat ushqime merreshin me vete për ditën e nesërme, stani prishej, dhe lugjet paloseshin në një qoshe për vitin tjetër.

Në mëngjes bjeshkëtarët niseshin herët, veshur me rrobat më të bukura. Burrat me tirq, kapuç, me rrethin me fishekë të ngjeshur në brez, me pushkën në krah, ndërsa gratë me veshjen e gjanë dhe të ngushtë tradicionale.

Ngarkoheshin kuajt me bulmet, me rrobat dhe enët e stanit, dhe niseshin për rrugë.

Në fillim nisej karvani me dhentë, dhe pas tyre kuajt e ngarkuar. Kur dilnin në një vend të quajtur “Qafa e Tringëllimës’, gjuanin me pushkë ndërsa karvani ecte përpara.

Në gjysmën e rrugës, tek vëndi i quajtur “Ara e Osës” ndalonin për të ngrënë bukë, ku gratë sërvirnin ushqimet më të mira të përgatitura. Pasi pushonin, vazhdonin rrugën drejtë vërrinit.

Njerëzit e tjerë që ishin në shtëpi u dilnin përpara karvanit që vinte nga bjeshka, ndihmonin për të shkarkuar kuajt. Pas një rruge të gjatë, më në fund bjeshkëtarët dhe vrritarët bashkoheshin në sofër rreth një darke të shijshme, përgatitur enkas për ta.

Ritualet, doket, zakonet, folklori janë një pasuri e pashtershme, e pazëvendësueshme e trashëgimisë kulturore historike të kombit tonë. Kultura e kombit tonë ka idenitetin e vet, rrënjët e thella në popull. Ndër shekuj kemi marrë dhe dhënë kulturë, tradita, doke, zakone me popuj dhe kombe të tjerë.

Të gjithëve na delë si detyrë ti ruajmë dhe ti pasurojmë këto vlera të çmuara. Sidomos tani në kohën e demokracisë, këto virtyte e vlera të rëndësishme tradicionale po lulëzojnë përsëri me ritme të shpejta. Këtu vlen të përmendim rikthimin e ritualit së daljes në bjeshkë pas viteve 1990. Rikthimin e punimit të veshjeve popullore edhe në kushtet e sipërmarrjes familjare, që janë aq magjepsese, sa kur vishen dhe kërcejnë çikat e Tropojës me “veshjen e gjanë”, ato krahasohen me zanat e bjeshkëve. Gjithashtu mund të përmendim dhe punimet me dorë, qilima, sixhade, qëndisje etj. Një popull pa tradita, folklor, doke, zakone, rituale, festa e ceremoni të ndryshme, as që mund të imagjinohet, pra të gjitha këto së bashku përbëjnë trungun e rrënjën e etnisë sonë.

___________

Bibliografi

1- “Bazat e etnologjisë”, prof.dr. Ajet SHAHU

2- Intervista me të moshuar.