Dënojmë fuqishëm lëvizjen cinike të Rusisë për t’i dhënë fund “Iniciativës së grurit përmes Detit të Zi”, pavarësisht përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, tha në Twitter Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”BE po punon për të garantuar sigurinë ushqimore për njerëzit vulnerabël në mbarë botën”, tha Von der Leyen.

“Korridoret e solidaritetit të BE-së do të vazhdojnë të sjellin produkte agro-ushqimore nga Ukraina në tregjet globale”, shtoi ajo.

Rusia është tërhequr sot nga marrëveshja ndërkombëtare për lejimin e eksporteve të grurit nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, dhe do ta rinovojë marrëveshjen vetëm pasi të përmbushen kushtet në lidhje me prodhimin rus, tha një zëdhënës i Kremlinit.

“De facto, marrëveshja e Detit të Zi përfundoi së funksionuari sot”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.

“Fatkeqësisht, kushtet e marrëveshjes të vendosura nga pala ruse nuk janë zbatuar ende, kështu që vlefshmëria e saj ka skaduar”, sipas Peskov.

“Sapo pala ruse të jetë e kënaqur, Rusia do t’i kthehet menjëherë zbatimit të marrëveshjes”, tha Peskov.

Javët e fundit, Rusia pretendoi se pengesat për eksportet ruse të grurit dhe plehrave kimike nuk ishin hequr.