Për të dytën herë me radhë në Kampionatin Botëror të Futbollit, Manchester City kryeson listën e pagesave të FIFA për klube, lojtarët e të cilit u zgjodhën për 32 skuadrat kombëtare në Katar.
Nga fondi 209 milionë dollarë i ndarë nga FIFA, fituesi i Premier League dhe Champions League ka marrë thuajse 4.6 milionë dollarë, duke kaluar totalin që ka marrë i gjithë Kontinenti Afrikan, i cili kishte pesë ekipe kombëtare në Botëror.
Lista e publikuar sot tregon se 18 klube afrikane kanë fituar në total 4.57 milionë dollarë.
FIFA deklaroi se 440 klube nga 51 vende u shpërblyen me pagesa të financuara nga 7.5 miliardë dollarë të ardhura nga organi qeverisës i futbollit për ciklin tregtar katërvjeçar, të lidhur kryesisht me kampionatin e meshkujve të vitit 2022.
Projekti, i prezantuar me rastin e Botërorit të Futbollit të 2010, tregoi, edhe një herë, se si klubi më i pasur dhe dominues i futbollit, ka kultivuar, tërhequr dhe mbajtur pjesën më të madhe të talenteve më të mirë.
Klubet e vendeve anëtare të UEFA-s morën 159 milionë dollarë, 76% të fondit total, ndërsa klubet angleze morën 37.7 milionë dollarë – deklaroi FIFA.
Një klub i kategorisë së pestë në Angli, Boreham Wood, mori më shumë se dyfishin e pagesës së FIFA-s – 31,026 dollarë kundrejt 15,513 dollarëve – falë Santos, skuadra e njohur braziliane që është shtëpia e Peles dhe ku Neymar nisi karrierën.
FIFA i llogariti pagesat në bazë të një tarife ditore prej 10.950 dollarësh për secilin prej 837 lojtarëve në Katar, deri në ditën pas ndeshjes së fundit të ekipit të tyre.
Shuma për secilin lojtar u nda mes klubeve që mbajtën regjistrimin e tyre që nga sezoni 2020-‘21.
Manchester City mori pagesa për lojtarët duke filluar nga Julián Álvarez dhe ish-mbrojtësi, Nicolás Otamendi, në ekipin fitues të Kupës së Botës, Argjentinës, për gjashtë lojtarë të skuadrës angleze që arriti deri në çerekfinale dhe lojtarin belg, Kevin De Bruyne, i cili u eliminua në fazën e grupeve.
City mori 5 milionë dollarë, nga fondi prej 209 milionë dollarësh i FIFA-s, në Kupën e Botës 2018, të zhvilluar në Rusi.
Barcelona është klubi i dytë që ka fituar më shumë në klasifikimin e vitit 2022, me 4.54 milionë dollarë, duke përfshirë 131.405 dollarë të periudhës së qëndrimit të Lionel Messi me klubin, në 2020-21, deri te transferimi i tij në Paris Saint-Germain.
Pjesa e Bayern Munich ishte më shumë se 4.3 milionë dollarë, duke përfshirë pagesat për katër lojtarë të skuadrës franceze, nënkampione.
Edhe pse Italia nuk u kualifikua në Kupën e Botës, 27 klubet italiane fituan në total 18.7 milionë dollarë nga futbollistët e tyre të huaj. Juventusi mori më shumë se 3 milionë dollarë, nga të cilat 394.215 dollarë për lojtarin francez Adrien Rabiot dhe alokime nga trio argjentinase Ángel Di María, Leandro Paredes dhe Paulo Dybala.
Një lojtar i skuadrave finaliste Argjentina dhe Franca, i cili ka qenë me të njëjtin klub nga fillimi i sezonit 2020-21, ka fituar 394.215 dollarë për atë klub.
Megjithatë, klubi i njohur argjentinas Boca Juniors ka të drejtë të marrë vetëm 32.851 dollarë për paraqitjen e shkurtër të mbrojtësit Nahuel Molina në klub në sezonin 2020-21 para se të transferohej në Europë. Rivali i Boca Juniors, River Plate, do të përfitojë 1.2 milionë dollarë.
Klubet spanjolle kanë fituar në total 24.2 milionë dollarë; klubet gjermane, pak më shumë se 21 milionë dollarë dhe klubet franceze, 16.5 milionë dollarë.
Klubet e Arabisë Saudite kryesuan klasifikimin aziatik me 6.6 milionë dollarë, ndërsa ato të vendit pritës, Katarit, 6.3 milionë dollarë.
Klubet e SHBA morën 5.4 milionë dollarë, ku në krye qëndron Seattle Sounders me 827,000 dollarë.
Paraqitja historike e Marokut, skuadra e parë afrikane që kualifikohet në gjysmëfinale, u arrit me shumë lojtarë europiane. Vetëm dy klube marokene të qytetit të Casablanca fituan para nga FIFA – 1,4 milionë dollarë Wydad dhe 31.938 dollarë, Raja.
Génération Foot, me 27 lojtarë në skuadrën kombëtare, është i vetmi klub nga Senegali, i cili fitoi 20.075 dollarë. Senegali arriti deri në fazën e një të tetave në Katar. Në mesin e lojtarëve ishte edhe Sadio Mané, i cili u tërhoq për shkak të një dëmtimi para ndeshjes së parë.
Pagesat e FIFA që vijnë nga të ardhurat e Kupës së Botës, u ranë dakord si pjesë e një marrëveshje me një grup elitar klubesh që në vitin 2008 formuan Shoqatën Europiane të Klubeve (European Club Association – ECA) .
Totali i fondit negociohet në momentin e rinovimit të marrëveshjeve të punës FIFA-ECA dhe do të jetë 355 milionë dollarë për çdo Kupë Bote për meshkuj në vitin 2026 dhe 2030.
Kupa e Botës 2026 do të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë dhe do të jetë i pari kampionat me 48 skuadra dhe 1.104 lojtarë të zgjedhur./ AFP/