Ballina Kulturë Njihuni me 5 tradita të veçanta të muzikës në Europë

Njihuni me 5 tradita të veçanta të muzikës në Europë

Nga gajdet sllovake te dueli poetik në Qipro, Europa ka shumë tradita muzikore

Që nga fillimi 41 vite më parë në Francë, Fête de la Musique, e njohur si Dita Botërore e Muzikës, është bërë fenomen ndërkombëtar.

Festimi i çdo gjëje, që lidhet me muzikën, zhvillohet më 21 qershor, në më shumë se 700 qytete në 120 vende – nga Brazili në Japoni dhe kudo tjetër.

Mes një bote ku Inteligjenca Artificiale po kërcënon të gjitha aspektet e jetës, një gjë mbetet e sigurt: heronjtë e muzikës me siguri do të mbeten të njëjtë edhe në të ardhmen.

Themeluesi Maurice Fleuret, ishte nismëtari i Ditës Botërore të Muzikës, për të vlerësuar “muzikën dhe koncertet kudo në botë”. Le të shohim disa nga praktikat muzikore më të bukura të Europës:

Muzika Duduk, Armeni

Duduku, ose oboe armene, është një instrument delikat frymor, i bërë nga druri i butë i pemëve të kajsisë.

E luajtur në forma të ndryshme në Azerbajxhan, Turqi, Gjeorgji dhe Iran, ajo krijon muzikë të ngrohtë, të butë, pak hundore, e cila mund të jetë edhe melankolike dhe misterioze.

Rrënjët e muzikës armene, shtrihen në kohët e mbretërve të lashtë, ndërsa disa studiues mendojnë se është rreth 1500 vjet e vjetër.

Shumë armenë e konsiderojnë muzikën e dudukut, e cila shpesh luhet në çifte, si shprehjen më elokuente të ngrohtësisë, gëzimit dhe historisë së tyre.

Sipas Dr. Jonathan McCollum, instrumenti është “në fakt i vetmi instrument vërtet armen, që ka mbijetuar gjatë historisë dhe si i tillë, është një simbol i identitetit kombëtar armen”.

Përkundër kësaj, popullariteti i muzikës duduk është zbehur në Armeni gjatë dekadave të fundit, veçanërisht në zonat rurale ku ajo filloi.

Duelet poetike Tsiattista, Qipro

Plot gjallëri, e improvizuar dhe me zë të lartë – Tsiattista është versioni i Qipros për betejat e repit të SHBA-së.

Është një duel poetik, nën tingujt e violinës ose lahutës, ku këngëtarët-poetë përpiqen të kalojnë njëri-tjetrin me vargje të zjarrta dhe rima.

Një traditë greko-qipriote, Tsiattista ka qenë prej kohësh tipar popullor i dasmave, festave dhe festimeve të tjera.

Për të pasur sukses nën dritat e skenës, poetët kanë nevojë për zgjuarsi, njohje të thellë me traditat muzikore dhe poetike të Qipros, një fjalor të pasur dhe imagjinatë të pasur. Konkurrenca mund të jetë e ashpër.

Shumica e interpretuesve janë burra të moshuar, por këto kohë, një brez i talentuar i poeteve të reja femra, po tërheqin vëmendjen.

Kultura e gajdeve, Sllovaki

Në fund të fundit, duket se gajdet nuk janë vetëm të skocezëve.

Sllovakia ka një traditë të pasur të gajdeve, duke përfshirë jo vetëm muzikën e veçantë, por edhe vallet, teknikat e prodhimit të instrumenteve, stilet dhe tekstet e veçanta shoqëruese.

Edhe pse ka shumë dallime rajonale, vajtimet e gajdeve mund të dëgjohen në të gjithë vendin e vogël të Europës Lindore. Në fakt, kultura e gajdeve është një shenjë dalluese, e kulturës tradicionale popullore të Sllovakisë.

Duke përdorur instrumente të bëra nga lëkura e një dhie, artistët shpesh performojnë së bashku me një përzierje eklektike të muzikantëve, këngëtarëve dhe kërcimtarëve të tjerë, në grupe të mëdha.

Daullet dhe këngët Inuite, Groenlandë

Ndonëse mund të mos jetë në kontinentin europian, Grenlanda është gjeopolitikisht pjesë e Europës, kështu që ne listë janë përfshirë daullet dhe vallëzimet tradicionale Inuite të ishullit.

E interpretuar ose solo ose në grup, kjo muzikë gjallëron festat kombëtare dhe ngjarjet shoqërore në ishullin Arktik.

Në një teknikë të akorduar mirë, bateristët përkulin gjunjët, përkulen përpara dhe godasin instrumentin, ose siç njihet qilaat, me një kockë ose copë druri, duke prodhuar një ritëm të mprehtë, me jehonë, me goditje.

Këta tinguj melodiozë dhe monotonë, zakonisht shoqërohen me tekste që flasin për dashurinë, mallin, humorin dhe gjuetinë e banorëve të ishullit.

Për inuitët e Groenlandës, daullet dhe këndimi mishërojnë identitetin e tyre të përbashkët dhe krijojnë vazhdimësi midis së shkuarës dhe të tashmes.

Praktikat e daulleve shihen si simbole të barazisë në Groenlandë. Ato u përkasin të gjithëve, pavarësisht nga mosha, gjinia, statusi shoqëror apo pikëpamjet politike.

Festivalet Baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania

Tradita e pasur e muzikës popullore e Baltikut, bashkohet në festivale në shkallë të gjerë një herë në pesë vjet, në Estoni dhe Letoni dhe çdo katër vjet në Lituani.

Këto ngjarje madhështore, që zgjasin disa ditë, sjellin deri në 40,000 këngëtarë dhe kërcimtarë. Pjesëmarrësit zakonisht u përkasin koreve amatore dhe grupeve të vallëzimit.

Festimet e kanë zanafillën nga koret dhe ansamblet muzikore, të cilat u zyrtarizuan në Estoni gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, duke u përhapur shpejt në zonat rurale dhe urbane.

Ngjarjet u bënë shumë të njohura, si një mënyrë për të pohuar identitetin kulturor balltik.

Që nga rifitimi i pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991, vendet baltike kanë ndërmarrë masa të ndryshme për të mbrojtur këtë traditë. Megjithatë, përballë ndryshimeve të mëdha ekonomike dhe shoqërore në rajon, ka shqetësime serioze për të ardhmen.

Kërcënimet kryesore burojnë nga eksodi rural dhe shpërbërja e grupeve lokale amatore.