Kryetari i ri shqiptar i Leposaviqit, komunë e banuar me shumicë serbe në veriun e Kosovës, po qëndron i mbyllur në ndërtesën komunale, prej kur hyri aty, mbi dyzet ditë më parë. Lulzim Hetemi u ndihmua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij, mëngjesin e hershëm të 29 majit, dhe që nga ajo ditë nuk është raportuar të ketë dalë nga objekti komunal.
Hyrja e tij në objektin komunal u prit me protesta nga banorë vendës serbë dhe nga grupe të ndryshme të dhunshme, që sulmuan forcat e rendit dhe gazetarët e mbledhur.
Vëllai i kryetarit të Leposaviqit pohon se familjari i tij po punon në kushte të jashtëzakonshme brenda ndërtesës komunale, por thotë se nuk mund t’i komentojë arsyet se “si dhe pse ai [Lulzim Hetemi] po rri ende brenda komunës”.
“Normalisht, puna e kryetarit është shumë sfiduese. Besoj, dhe shpresoj që ia del, por, këto rrethana, normalisht, janë shumë të rënda për të dhe për ne. Është problem të punohet në këto kushte, por, besoj se ai do t’ia dalë. Pse, si po qëndron, nuk mund të flas në emër të tij”, deklaron Bashkim Hetemi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se e gjithë familja Hetemi është e shqetësuar për mungesën e funksionimit të rendit dhe të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas Bashkim Hetemit, “diçka nuk është në rregull” as me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila, ndonëse deklaroi njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, po kërkon largimin e kryetarëve, përfshirë vëllain e tij, nga ndërtesat komunale.
Bashkim Hetemi thotë se komunikon shpesh me Lulzim Hetemin, porse nuk e ka të qartë edhe sa do të jetë në gjendje vëllai i tij ta ushtrojë funksionin e kryetarit, në kushtet e tanishme.
“Nuk e di sa gjatë mund të shkojë në këto rrethana, por, rrethanat në të cilat po punon ai [Lulzim Hetemi] janë të jashtëzakonshme. Shumë e ka të vështirë punën. Atë nuk po e lejojnë të punojë normalisht”, shprehet Bashkim Hetemi.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar disa herë kryetarin e Leposaviqit, që nga mbyllja e tij në vendin e punës, por ai nuk është përgjigjur. Lulzim Hetemi është kontaktuar edhe për këtë artikull, por ai nuk u është përgjigjur as thirrjeve, as porosive me shkrim në telefon.
Partia s’e komenton ngujimin e Hetemit
Se pse Hetemi po vazhdon të mos largohet nga ndërtesa e komunës nuk ka folur as partia që ai i përket, Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Subjekti politik, që udhëheq edhe Kosovën në nivelin qendror, nuk ka komentuar as kur është pyetur se edhe sa kohë do të vazhdojë Hetemi të qëndrojë i ngujuar.
Por, se Hetemi e kishte seriozisht qëndrimin në ndërtesën komunale në Leposaviq, bëri të ditur kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti. Kur po përshkruante një telefonatë me Hetemin, Kurti tha më 11 qershor se “teksa unë isha i brengosur se mos është mërzitur [Hetemi], ai ishte brengosur se mos jam mërzitur unë”.
Hetemi është vizituar në ndërtesën komunale në Leposaviq nga zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës – përfshirë ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu – si dhe nga deputetë të LVV-së.
Pas rritjes së tensioneve në komunat në veriun e Kosovës, të banuara me shumicë serbe, komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkoi që kryetarët e rinj të largoheshin nga objektet komunale, dhe t’i ushtronin funksionet e tyre nga ndërtesa alternative.
Kështu vepruan kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci – që të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Përveç Hetemit, që mbetet i ngujuar në objektin e komunës në Leposaviq, largimin nga objekti komunal raportohet se kohë pas kohe e bën edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut.
Erden Atiq nuk ka folur për këto pohime, ndonëse është parë në disa raste jashtë ndërtesës së komunës, përfshirë në një aktivitet në Ambasadën amerikane në Prishtinë, për shënimin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Atiq nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë rreth këtyre pohimeve. I kontaktuar disa herë nga REL-i, Atiq nuk ka kthyer përgjigje.
Megjithatë, pohimet se, në periudha të ndryshme, Atiq ka qëndruar edhe natën në objektin e komunës, i mohon nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Katarina Agjançiq.
“Atiq qëndron në ndërtesën e komunës jashtë orarit të punës. Ai është këtu nga ora 8 deri në orën 4, ose ndoshta më vonë, por sigurisht që shkon në shtëpi. Ai jeton në Mitrovicë [të Jugut]”, shprehet Agjançiq për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se konsultohet me Atiqin për të gjitha vendimet, dhe se bashkëpunimi mes tyre është i mirë, por thekson se duhet edhe pak kohë që komuna e Mitrovicës së Veriut të punojë me kapacitet të plotë.
“Ne ende po organizohemi, po emërojmë drejtorë departamentesh, ka shumë sektorë të pambuluar, por, po zgjidhim [punët] gradualisht. Kur të kemi emëruar të gjithë drejtorët, do të shpallim edhe konkursin për përzgjedhjen e zyrtarëve. Mezi pres që të fillojnë investimet kapitale, që qytetarët ta ndiejnë përmirësimin”, thotë ajo.
Drejtori i programeve në organizatën “Aktiv”, më bazë në Mitrovicën e Veriut, Igor Markoviq, thotë se kryetarët e rinj nuk mund të zgjidhin asnjë problem esencial për jetën e qytetarëve.
“Përderisa të dyja komunat [Leposaviqi dhe Zubin Potoku] vuajnë nga shumë probleme që duhet të zgjidhen shpejt, kryetarët e porsazgjedhur nuk po merren me këto çështje kyç, duke e rrezikuar kështu edhe më shumë procesin e integrimit të veriut të Kosovës, që zbatohet që nga viti 2013”, shprehet Markoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai vlerëson se kryetarët po bëjnë edhe gabime, duke iu referuar vendimit të komunës së Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, mes saj dhe Mitrovicës së Jugut, në një kohë kur, siç thotë ai, tensionet kishin kulmuar.
Markoviq pohon se kryetari i Mitrovicës së Veriut ka pasur dhe tema më me prioritet, me të cilat do të duhej të merrej, përfshirë çështjen e qenve endacakë, mungesën e hapësirave të gjelbra publike, problemet me ujësjellësin, si dhe parkimin e paligjshëm.
Ndërkaq, për kryetarin e Leposaviqit, Markoviq thotë se, përveç se ka përfunduar në ballinat e mediave lidhur me ngujimin e tij në ndërtesën e komunës, nuk ka bërë asnjë gjë që parashihet në përshkrimin e detyrave të tij të punës.
“Për më tepër, refuzimi i tij për t’u larguar nga ndërtesa ka tërbuar edhe më shumë komunitetin lokal, aq sa ai ka humbur edhe legjitimitetin më të vogël ‘në sytë e komunitetit’, i cili mund të ishte ndërtuar gradualisht, përmes zbatimit të të ashtuquajturit rol të kryetarit teknik, në ndonjë objekt tjetër, siç ishte rasti në dy komunat e tjera veriore të Kosovës”, shprehet Markoviq për REL-in.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – u mbajtën më 23 prill të këtij viti, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntorin e 2022-tës.
Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj shqiptarë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se në procesin e votimit morën pjesë vetëm rreth 3 për qind të personave me të drejtë vote.
Zubin Potokun dhe Zveçanin i fituan kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin i mori Lëvizja Vetëvendosje. Që nga marrja e detyrës, aktiviteti i kryetarëve të rinj është shumë i kufizuar, ndërsa legjitimiteti po iu kontestohet. Largimi i Hetemit dhe i Atiqit nga zyra është një prej kërkesave që komuniteti ndërkombëtar i ka paraqitur Qeverisë së Kosovës, në planin që ka paraqitur për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës.
Në këtë pjesë të Kosovës, protestat e banorëve serbë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.
Qeveria e Kosovës njoftoi më 11 korrik se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën./REL-Limit.al