/ATSH-AA/ – Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Oksfordit, 94 për qind e vendeve konsumojnë më shumë ushqim sesa sasia e rekomanduar në renditjen e bërë bazuar në konsumin ditor të kalorive të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sipas gazetës “Daily Mail”, në 173 nga 184 vendet e ekzaminuara në studimin “OurWorldInData” të Universitetit të Oksfordit, u zbulua se njerëzit konsumojnë më shumë se 2 000-2 500 kalori të rekomanduara ditore për të dyja gjinitë.

Të dhënat e përdorura janë llogaritur mbi sasinë mesatare të ushqimit të blerë nga çdo familje.

Bahreini me 4 012 kalori, SHBA-ja me 3 868 kalori, Irlanda me 3 850 kalori, Belgjika me 3 824 kalori dhe Turqia me 3 762 kalori janë në krye të listës, ndërsa Republika e Afrikës Qendrore është në fund të listës me 1 641 kalori.

Studimi zbuloi gjithashtu se në Bahrein, katër nga 10 të rritur vuajnë nga obeziteti.

Në studim thuhet se konsumimi i tepërt i ushqimit është shkaktari i parë i obezitetit dhe numri i rasteve në mbarë botën, i cili ishte 175 milionë në vitin 1970, sot ka arritur në një miliard.

Studimi tërheq vëmendjen për rrezikun e rritjes së përqindjeve të obezitetit, duke thënë se sëmundja në fjalë mund të shkaktojë hipertension, sëmundje të zemrës, Alzheimer dhe probleme të tjera shëndetësore.

Po ashtu theksohet se megjithëse kaloritë e ushqimit rriten dita-ditës, elementet ushqyese ulen dhe rezultati është që njerëzit fillojnë të hanë më shumë për të marrë më shumë lëndë ushqyese të dobishme.

Të dhënat e hulumtimit janë marrë nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).