Ballina Bota A e shpëton klimën shkurtimi i ditëve të punës?

A e shpëton klimën shkurtimi i ditëve të punës?

Shkurtimi i ditëve të punës gjatë një jave çon në rritjen e prodhimit dhe uljen e Burnouts. A ndihmon edhe kundër ndryshimit të klimës? Dhe në cilat lloj ndërmarrjesh funksionon një model i tillë në përgjithësi?

Në vendet e industrializuara të Perëndimit java e punës me pesë ditë është shumë e përhapur, por kjo nuk ka qenë kështu gjithnjë. Gjatë kohës së revolucionit industrial njerëzit shpesh punonin në fabrika më shumë se 70 orë në javë, deri sa u krijuan sindikatat dhe përpjekjet e tyre bënë që të kufizohej koha e punës.

Në vitin 1926 Henry Ford ishte një nga punëdhënësit e parë që aplikoi në fabrikat e tij javën me pesë ditë pune dhe 40 orë pune në javë. Ai besonte se punëtorët mund të ishin produktiv edhe në një kohë më të shkurtër, nëse bënin dy ditë pushim. Eksperimenti i tij doli me sukses, produktiviteti u rrit. Sipërmarrje të tjera ndoqën shembullin e tij duke futur në jetë javën me pesë ditë pune.

100 vjet më vonë një fushatë e re për shkurtimin e orëve të punës ka marrë hov: fushata për javën me katër ditë pune.

Viteve të fundit janë bërë projekte pilot për të aplikuar javën me katër ditë pune në Japoni, Zelandë të Re, Irlandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Islandë. Rezultatet kanë qenë gjithandej pozitive. Shëndeti dhe gjendja e punëtorëve është përmirësuar, produktiviteti është rritur. Shumë studime tregojnë se mund të ketë përfitime edhe për mjedisin dhe klimën.

Të shpëtojmë klimën me më pak punë?

Juliet Schor, studiuese e shkencave ekonomike dhe profesore sociologjie në Boston College të SHBA, ka parë se ekziston një lidhje e qartë midis bilancit të klimës dhe kohës së punës, të paktën në vendet me të ardhura të larta.

“Ne kemi parë se vendet me kohë të gjatë pune kanë emisione të larta të dioksidit të karbonit, ndërkohë që vendet me kohë të shkurtër pune kanë emisione më të ulta dioksidi karboni,” thotë Schor.

Një studim i kryesuar nga ajo në vitin 2012 studioi vendet e OECD, nga viti 1970 deri në vizin 2007. Rezultati: Ulja me 10 përqind e kohës së punës mund të reduktojë me 15 përqind gazrat e dioksidit të karbonit.

Një studim tjetër i grupit britanik të ambientit me emrin Platform, studim i bërë në vitin 2021 parashikon se emisionet e dioksidit të karbonit të Britanisë së Madhe do të uleshin me 20 përqind ose me rreth 127 milionë tonë, nëse deri në vitin 2025 vendi ul në katër numrin e ditëve të punës së një jave. Sasia e reduktuar do të ishte më e madhe se sa gazrat e emëtuara nga Belgjika.

Si bëhen këto reduktime? Sipas studimit ulja e numrit të ditëve të punës me një ditë ul harrxhimin e energjisë në vendin e punës, ul emisionet e shkaktuara nga vajtje- ardhja shtëpi-punë dhe nxit stilin e qendrueshëm të jetesës.

Puna e bërë nga shtëpia, e cila u aplikua gjatë pandemisë së Coronës, mund të sjellë po ashtu reduktime të emisioneve duke shmangur udhëtimin për në punë.

Më shumë produktivitet, më pak trafik nga java me katër ditë pune

Schor ka kryesuar po ashtu një studim mbi dy projekte pilot të kryera pak kohë më parë në Britaninë e Madhe, SHBA dhe Irlandë. Aty morrën pjesë gjithjes 91 ndërmarrje nga sektorë të ndryshëm, me 3500 punonjës. Projektet gjashtëmujore u mbikqyrën nga organizata jofitimprurëse me qendër në Londër, 4 Day Week Global, instituti Autonomy, Universiteti Kembrixhit dhe Boston College.

Të punësuarit morrën të njëjtën rrogë si më parë duke iu kërkuar që të kryejnë në kohë më të shkurtër të njëjtën punë që kryejnë në pesë ditë të javës së punës.

Rezultatet treguan se punonjëset dhe punonjësit qenë në pjesën më të madhe të rasteve po aq produktiv sa më parë, një pjesë madje më produktiv se më parë, morën më pak ditë me raport dhe u ndien në përgjithësi më të shëndetshëm dhe më të lumtur. Pas përfundimit të studimit 90 përqind e ndërmarrjeve vendosën të vazhdojnë me këtë sistem. Vetëm katër përqind u kthyen në javën me pesë ditë pune.

Por sipas Schor, e vështirë është të bësh llogaritjet e rezultatit në lidhje me dioksidin e karbonit të emetuar. Megjithatë studiuesit panë se nëse koha e vajtje-ardhjes në punë ulet mesatarisht me gjysmë ore në javë, atëherë emisionet e dioksidit të karbonit ulen nga koha e udhëtimit për në punë. Transporti është në SHBA, Britani të Madhe dhe BE përgjegjës për një të katërtën e emisioneve të dioksidit të karbonit.

“Sidomos në SHBA ne pamë uljen e trafikut të vajtje ardhjes në punë,” thotë Schor. Njerëzit jo vetëm që bënin më pak udhëtim për të vajtur në punë, por edhe kur e bënin përdornin më rrallë makinën për të vajtur në punë.

Ekipet e projekteve duan tani të analizojnë më mire në projektet e ardhshme efektet e tjera të javës me katër ditë pune mbi emisionet e dioksidit të karbonit.

Si e kalojnë kohën e lirë njerërit që punojnë katër ditë në javë?

Edhe nëse njerëzit kalojnë më pak kohë rrugës për në punë dhe ndërmarrja kursen energji, dobia për klimën varet nga mënyra si e kalojnë njerëzit kohën e lirë të ditës shtesë të pushimit. Nëse shkojnë në piknik me makinë ose udhëtojnë me avion ata shkaktojnë sërish rritjen e emisioneve të dioksidit të karbonit.

“Ne pyetëm njerëzit si e kalojnë ditën e lirë dhe pamë se aktivitetet e tyre nuk shkaktojnë rritje intensive të dioksidit të karbonit,” thotë Schor. “Fluturojnë ata diku në vende si Irlanda dhe Britania e Madhe, ku fluturimet janë të lira? Jo, nuk pamë raste të tilla.”

Studimet kanë treguar se njerëzit e kalojnë kohën më shumë në afërsi të vendbanimit dhe merren me hobet ose punët e shtëpisë. Kështu që ekziston një lloj tendence drejt stilit të qëndrueshëm të jetesës, mendon studiuesja e shkencave ekonomike.

Në projektet e fundit morën pjesë ndërmarrje shumë të ndryshme: që nga ndërmarrjet e prodhimit deri tek firmat e dizajnimit, zyrat e shëndetit publik dhe organizatat joqeveritare. Ndërkohë që disa ndërmarrje morrën vendim që t’ia japin punonjësve të premten ditë pushimi, ndërmarrje të tjera kishin modele të tjera me faza, për të siguruar që në të gjitha ditët të ishin në dispozicion një numër i mjaftueshëm punonjësish. Por shkurtimi i kohës së punës nuk u prit mirë nga të gjitha ndërmarrjet.

Kështu për shembull nga Mark Roderick, që me 40 punonjësit e ndërmarrjes së tij për prodhimin e makinave dhe nevojave industrial, Allcap, morri pjesë në projekt vitin e kaluar në Britaninë e Madhe.

“Shpesh tek ne njerëzit vijnë sepse ajo gjë që kërkojnë ata në ditë të caktuar, ndodhet tek ne në magazine. Ne jemi dyqan. Ne nuk mund të themi as thjeshtë, që të premten e mbyllim”, shpjegon Roderick. “Ne punojmë gjithë ditën me porosi të cilat dyhen kryer, përndryshe shkaktohet bllokim.”

Gjatë fazës pilot ndërmarrja e tij i dha punonjësve një ditë të pushim çdo dy javë. Sipas Roderick-ut, punonjësit shpesh ishin më të stresuar se gjatë javës normale me pesë ditë pune, sepse gjatë kohës që ishin në punë ata duhet të kryenin edhe punën e kolegëve që kishin marrë ditën e pushimit.

Në tre qendrat më të rëndësishme tregtare u hoq shkurtimi i kohës së punës me katër ditë pune. Kurse në qendrën teknike u fut java me katër ditë pune. Në këtë qendër ekipet prodhojnë pavarësisht nga afati kohor. “Atje punonjësit janë më të qetë, më pak të stresuar dhe bëjnë më pak gabime”, thotë Roderick. Po ashtu ndërmarrja mundi të kursente energji. “Ky sektori harrxhon shumë energji. Prandaj vendimi për të thënë “të premten nuk vjen njeri në punë dhe ne nuk e hapim sektorin u morr lehtë.”

Studimet të tjera janë planifikuar për javën me katër ditë pune

Sipas profesores Juliet Schor duhen bërë studime të tjera për të parë si ndikon shkurtimi i kohës së punës mbi emisionet e dioksidit të karbonit dhe harrxhimin e energjisë. Sepse deri tani çështja kryesore ka qenë produktiviteti dhe gjendja e punonjësve. Që muajin e ardhshëm do të fillojnë projekte të tjera pilot në Afrikën e Jugut, Europë, Brazil dhe Amerikë të Veriut.

Por në përgjithësi nuk ka dyshim se strukturat e punës janë duke ndryshuar aktualisht. Pandemia e Coronës ka nxitur ndryshimin e mënyrës së të menduarit në botën e punës dhe ka treguar sa fleksible mund të jenë rregullat. Edhe përdorimi i teknologjive të reja siç është Inteligjenca Artificiale krijon mundësi të reja në shumë fusha.

Prandaj Schor është e bindur se java me katër ditë pune, do të ketë të ardhme në një formë ose në një tjetër. /DW-Limit.al