Nga dr. Alban LAUKA
Përplasjet e fundit mes dy kryeministrave shqiptarë po paraqiten në disa media si mosmarrëveshje të rëndomta e të përkohshme mes dy politikanëve në kërkim të pikëve elektorale. Në të vërtetë, Rama dhe Kurti janë dy profile të kundërta politike, me dallime thelbësore që i kishin vënë në shina përplasëse prej viteve 90. Të dy përfaqësojnë dy rryma të ndryshme të mendimit politik mbi burimin e legjitimitetit të sundimit, si më poshtë: Rama, si shumica e politikanëve në Shqipëri, zbaton një formë të përshtatur e të ndërthurur të idesë së të drejtës “hyjnore” të sundimtarëve për të qeverisur, kurse Kurti atë të kontratës shoqërore, që këtë të drejtë nuk e sheh si të zbritur nga qiejt, por të deleguar nga qytetarët. Në Britani dhe SHBA, kjo përplasje përfundoi në shek.17-18 me triumfin e ideve iluministe të kontratës shoqërore që prodhuan rendet kushtetuese bashkekohore.
Ndërsa monarkët mesjetarë e mbështesnin moralisht sundimin e tyre te Kisha (mbreti sundon sepse kështu vendosi Zoti), Rama mbështetet moralisht te fuqia dhe legjitimiteti i SHBA dhe ndonjë sponsori tjetër ndërkombëtar. Edhe në ushtrimin praktik të pushtetit, monarkitë mbështeteshin në aristokracinë ushtarako-feudale, gjithashtu të dekretuar nga lart, ngjashëm me rendin administrativ/oligarkik sot në Shqipëri. Si udhëheqës pragmatik, edhe Rama nuk e shpërfill tërësisht elektoratin. Në fund të fundit, votohet nga qindra mijëra shqiptarë në zgjedhje. Por që prej katapultimit të tij në karrige ministrore, elitat politike dhe ekonomike, vendore dhe ndërkombëtare, kanë qenë burim i domosdoshëm pushteti e legjitimiteti, pjesërisht edhe në funksion të popullaritetit të tij, që nga ana tjetër plotëson burimin “e epërm”. Për të ruajtur këtë burim, Ramës i duhet herë pas here të zbatojë porositë që i vijnë nga lart. Kjo mund t’i sigurojë përfitime të drejtpërdrejta, po edhe thjesht legjitimitet, ashtu si mbretërit njihnin autoritetin e Kishës dhe arrinin deri të shkonin në kryqëzata, por edhe përfitonin nga legjitimiteti që u rrezatonte ajo.
Në anën tjetër, në ngjitjen e tij graduale drejt pushtetit në Kosovë, Kurti ka shtyrë vazhdimisht nga poshtë-lart, duke shprehur kërkesat e një pjese të qytetarëve, dikur pakicë gati e papërfillshme, sot shumicë. Në këtë rrugëtim i është dashur të përballojë goditje nga lart, shpesh edhe nga ndërkombëtarët. Por duke pasur burim kryesor të pushtetit mbështetjen popullore, Kurti nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’u bëjë ballë këtyre goditjeve, në të mirë apo në të keq, përndryshe humb pikërisht atë mbështetje që i jep pushtet. Ndoshta mund të mendohet se Kurti tashmë ka edhe mundësinë e këmbimit të mbështetjes popullore me atë ndërkombëtare, me shpresën se do t’i sigurojë pushtetin që më parë ia dhanë qytetarët. Por kjo do t’a kthente Kurtin në vetëm një prej shumë politikanëve në Kosovë që për pushtetin e tyre u detyrohen ndërkombëtarëve, duke e vendosur praktikisht në varësi të tyre, kurse mbajtja e pushtetit si delegim nga qytetarët e çliron nga elitat vendore dhe të huaja, dhe e mban përgjegjës vetëm për “kontratën” me votuesit e vet. Dorëzimi i pushtetit nga qeveria e tij e parë para presionit amerikan për marrëveshje tregon qartë që Kurti preferon opsionin më largpamës të “kontratës”.
Me pak fjalë, Rama është i detyruar të bëjë përcjellësin optimal të rrymës elektrike, kurse Kurti është vetëvendosur në rolin e rrufepritësit. Veprimet e fundit politike të Ramës, që prej mbajtjes së një pozicioni “neutral” për Veriun e Kosovës, anulimi i mbledhjes së qeverive, deri te hartimi i pakonsultuar me Kosovën i draftit të Asociacionit, janë manovra për të çuar në vend porositë nga lart, për të imponuar dekretin ndaj kontratës nga poshtë. Rama arriti edhe të heqë dorë nga Ballkani i Hapur, që kundërshtohet nga të gjitha partitë në Kosovë, vetëm që të ketë mundësi t’a tërheqë Kurtin, ose të paktën t’i gërryejë sadopak mbështetje, përmes alternativës më popullore, Procesit të Berlinit. Këtë synim kishte edhe kryqëzata e tij ballkanike që kulmoi me pushtimin e hapësirës mediatike në Kosovë. Në anën tjetër, Kurti është “i dënuar” të përfaqësojë sa më besnikërisht vullnetin e popullit prej të cilit varet politikisht, prandaj nuk kishte arsye të pranonte të bëhej pjesë e turit të dekreteve.
Kush mendon se Rama dhe Kurti janë vetëm përkohësisht në përplasje duhet të mësohet me këtë gjendje tensioni në të cilën dy kryeministrat kanë ardhur natyrshëm, si pasojë e gjithë rrugëtimit të tyre të kundërt politik. Kjo gjendje do të vazhdojë për sa kohë pikët nga lart që kërkon Rama vijnë në kundërshtim me një shumicë të elektoratit të cilës i përgjigjet Kurti. Nëse shohim gjysmën e gotës plot, mund të themi se të paktën njëri prej kryeministrave është politikisht i ndjeshëm ndaj opinionit publik. Prandaj, si rrallëherë në historinë e shqiptarëve, edhe vetë votuesit mund të kenë një rol jo të parëndësishëm, jo vetëm në mbikqyrjen e “kontratës” në përgjithësi, por edhe në vendimmarrjen rreth kësaj çështjeje tashmë ndërkombëtare.